Synimi, një dimension i ri për jetën kulturore në Malësi

Vendimi ynë është që në të ardhmen të bëhemi edhe një zë i cili do të reagojë sa herë e sheh që në Malësi është ndonjë problem që e dëmton Malësinë. Po ashtu, do të ketë edhe reagime nga ana e shoqatës secilën herë që e vërejmë se është e nevojshme dhe në anën tjetër edhe e dobishme për shoqërinë tonë. Kemi paraparë që edhe të ndërmarrim ndonjë iniciativë, si edhe të propozojmë zgjidhje për problemet që kanë të bëjnë me vendin tonë

Koha javore: Z. Junçaj, Shoqata “Penda” është themeluar në ditët e para të janarit të këtij viti. Cilat janë synimet e kësaj shoqate dhe si e shihni rolin që ajo mund të ketë në shoqëri?
M. Junçaj:
Po, është e vërtetë se Shoqata “Penda” është themeluar në fillim të këtij viti, konkretisht më 5 janar 2026, nga një grup i cili e do dhe e vlerëson lart kulturën e trevës sonë, por jo vetëm. Synimet kryesore të shoqatës janë, aq sa ekziston mundësia, që t’i jepet një dimension i ri jetës kulturore në Malësi të Madhe dhe jo vetëm, pasi që njëri ndër synimet kryesore të shoqatës është që edhe të bëhet sa më shumë vetëdijesimi i bashkëkombësve tanë për vlerat që ka kombi ynë. Mendoj se, sidomos me kalimin e kohës, roli i kësaj shoqate në shoqërinë tonë do të vijë duke u fuqizuar pasi që është fjala për shoqatë joqeveritare dhe njëkohësisht të pavarur, ashtu që do të përpiqet të ndikojë edhe në vetë avancimin e shoqërisë.

Koha javore: Deri tani, ‘Penda’ është përqendruar kryesisht në veprimtari kulturore e letrare, përkujtimin e figurave dhe ngjarjeve historike, si dhe organizimin e simpoziumeve. A është ballafaquar kjo organizatë e re me ndonjë pengesë ose vështirësi gjatë kësaj periudhe?
M. Junçaj:
Është fakt se deri tani jemi fokusuar në veprimtaritë kulturore e letrare, përkujtime të ngjarjeve historike, simpoziume, si edhe promovime librash. Sa u përket pengesave, lirisht mund të themi se nuk kemi hasur në ndonjë pengesë nga ndonjë institucion apo individ, ashtu që në këtë drejtim mund të themi se nuk kemi ankesa. Ndërsa, sa u përket vështirësive, ato janë të pashmangshme pasi që kemi të bëjmë me një shoqatë të re e cila dita-ditës shkon duke u formësuar dhe fuqizuar më shumë, mirëpo në tejkalimin e tyre na ndihmon edhe përvoja e kohëve të fundit.
Vështirësitë kryesore janë se nuk kemi ndonjë vend apo zyrë të caktuar ku mund t’i bëjmë takimet dhe përgatitjet, pasi që për këtë do të duhej të kemi një buxhet të konsoliduar, ndërsa momentalisht jemi pa buxhet fare.

Koha javore: Malësia, ashtu si çdo shoqëri tjetër, përballet me dukuri dhe probleme të ndryshme që kërkojnë vëmendje, debat dhe ndonjëherë edhe iniciativa konkrete. Përtej veprimtarive kulturore e letrare, a parashikoni që “Penda” të bëhet një zë që ngre shqetësime, nxit diskutimin publik dhe propozon zgjidhje për çështjet që e preokupojnë shoqërinë?
M. Junçaj:
E kemi trajtuar edhe këtë temë brenda shoqatës dhe vendimi ynë është që në të ardhmen do të bëhemi edhe një zë i cili do të reagojë sa herë e sheh që në Malësi është ndonjë problem që e dëmton Malësinë. Po ashtu, do të ketë edhe reagime nga ana e shoqatës secilën herë që e vërejmë se është e nevojshme dhe në anën tjetër edhe e dobishme për shoqërinë tonë. Kemi paraparë që edhe të ndërmarrim ndonjë iniciativë, si edhe të propozojmë zgjidhje për problemet që kanë të bëjnë me vendin tonë, mirëpo, siç e cekët edhe ju vetë në fillim, ne jemi një shoqatë e re dhe për këto na duhet edhe pak kohë.

Koha javore: Çfarë bashkëpunimi keni arritur të ndërtoni me institucionet lokale, organizatat e tjera, shkollat dhe komunitetin, në mënyrë që idetë dhe nismat tuaja të kenë ndikim të gjerë në shoqëri?
M. Junçaj:
Gjatë këtyre nëntë muajve jemi munduar, aq sa kemi pasur mundësi që të bashkëpunojmë me institucionet tjera, sikur është fjala me Komunën e Tuzit. Në këtë rast duhet veçuar se disa aktivitete i kemi mbajtur në sallën e Kuvendit të Komunës, gjë që na e ka mundësuar kryetari i Kuvendit, z. Fadil Kajoshaj. Po ashtu, kemi pasur rast të bashkëpunojmë me Organizatën Turistike të Tuzit, si edhe me “Kryqin e Kuq”. Duhet potencuar se kemi pasur bashkëpunim të mirë edhe me Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës. Sa u përket shkollave, deri tani nuk kemi pasur ndonjë bashkëpunim pasi që ende nuk kemi bërë ndonjë projekt ku do të kyçen nxënësit, por e kemi në plan që këtë ta bëjmë në të ardhmen dhe mendoj se do të kemi një bashkëpunim të mirë edhe me shkollat e komunës sonë.
Po ashtu, kemi në plan të bashkëpunojmë edhe me organizatat tjera edhe jashtë komunës sonë, pasi që veç kemi biseduar me Shoqatën “Art Club” nga Ulqini që të bashkëpunojmë në të ardhmen.

Koha javore: Organizimi i veprimtarive kërkon mbështetje financiare e institucionale. Sa mbështetet “Penda” dhe si sigurohen mjetet për funksionimin e saj?
M. Junçaj:
Ky është edhe problemi kyç i shoqatës – mungesa e financave dhe për shkak të mungesës së tyre nuk jemi në gjendje që të japim kontribut edhe më shumë. Mbështetje institucionale deri tani nuk kemi pasi që edhe një projekt me të cilin kemi konkurruar në konkursin e shpallur nga Komuna e Tuzit nuk ka fituar mbështetje financiare. Ashtu që, sa u përket aktiviteteve tona, kryesisht janë përkrahur nga individët kulturëdashës, si edhe simpoziumi kushtuar Lidhjes së Prizrenit është përkrahur nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve. Andaj, duhet potencuar se mjetet financiare sigurohen duke kërkuar nga individët të cilët i vlerësojnë aktivitetet tona, por uroj që në të ardhmen do të rritet numri i mbështetësve tanë.

Koha javore: A ka ndonjë kriter për t’u bërë pjesë e shoqatës suaj apo ajo është e hapur për të gjithë ata që kanë vullnet dhe dëshirë për të kontribuuar në fushat ku ajo vepron?
M. Junçaj:
Sa i përket anëtarësimit në Shoqatën “Penda” ekzistojnë dy kritere kyçe: që personi mos të jetë i angazhuar politikisht dhe që aktivitetet të realizohen në gjuhën shqipe.
Pastaj, varet edhe nga anëtarët e shoqatës nëse e vlerësojnë se një person duhet të pranohet në shoqatë apo jo, ku pranimi bëhet me shumicën e votave pasi që një nga anëtarët ta propozojë.

Koha javore: Për fund, duke qenë se “Penda” është ende në fillimet e saj, cilat janë planet dhe prioritetet për periudhën e ardhshme?
M. Junçaj:
Planet janë të shumta. Së pari, do të vazhdojmë me organizimin e aktiviteteve të ngjashme, me të cilat, tashmë, shoqata është bërë edhe e njohur, si dhe do të organizojmë edhe aktivitete të reja të ndryshme. Po ashtu, për vitin 2027 e kemi paraparë një projekt të madh, për të cilin na duhet një mbështetje e madhe financiare dhe jemi duke punuar në atë drejtim.

Bisedoi: Toni Ujkaj

Të fundit

më të lexuarat