
Republika e Venedikut, sa herë që i jepej rasti ta sulmonte pa pasoja Ulqinin a Tivarin, apo t’i fitonte në tavolinën jeshile, ndërmerrte një veprim të tillë. E sprovoi këtë gjë edhe në luftën e gjashtë osmano-venedikase, të njohur si Lufta e Kandias, e cila u zhvillua në vitet 1645-1669. Qysh në fillim të luftës, në vitin 1649, venedikasit i ranë Tivarit, por pa sukses.
Një sulm edhe më i fortë u krye 14 vjet më vonë në Ulqin. Më 2 prill 1663, flota venedikase mbërriti në sabah në brigjet e Ulqinit dhe filloi përnjëherë zbarkimin e ushtrisë dhe mjeteve luftarake, që vështirësohej nga zbatica. Kur zbardhi dita, 800 kaçakë nga Boka, perastas e pashtroviqë dhe 1 200 mercenarë sulmuan varoshin e qytetit (Nënkalanë) nga dy anë, të cilin, pas një beteje tetë orëshe, e pushtuan dhe i vunë flakën. “Treqind shtëpi, disa magazina mallrash, armë, anije e velanije” janë bërë shkrumb e hi. U dogjën gjashtë fusta me 18 stola. Anijet bombarduan Kalanë dhe u bë përpjekje, por pa sukses, për të çuar në hava “portën e detit” (portën jugore në Kala) me eksploziv. Venedikasit, demek, ishin të kënaqur me arritjet, prandaj u tërhoqën së shpejti.
Në këtë luftë, Venecia humbi Kretën, bazën e saj të fundit në Detin Mesdhe. Flota e “Luanit me krahë” dhe arka e tyre u varfëruan ndjeshëm, njësoj si ajo turke, andaj Venediku, pas një konflikti të gjatë e rraskapitës, u detyrua t’i kthehej edhe më shumë tregtisë me Perandorinë Osmane përmes porteve shqiptare e dalmate. Prandaj, venedikasit bënë përpjekje të bindnin Portën e Lartë që në këmbim të tokave të pushtuara në Adriatik të merrte Kretën e humbur. Nuk ia dolën, kurse ulqinakët u bënë faktor i pashmangshëm në Adriatik.
I tronditur thellë nga gjendja në të cilën ndodhej vendi i tij, bailiu Morozini shkruante me dhimbje në vitin 1680: “Gjendja aktuale e çështjeve shtetërore mund të përshkruhet më mirë me lot sesa me mereqep, sepse kujtimi për madhështinë e vjetër shërben vetëm për torturim”.
E gjithë kjo periudhë ishte kohë plot drama dhe rënie të ndjeshme të fuqisë, si të Venedikut ashtu edhe të Dubrovnikut, i cili s’do të shërohet kurrë më nga pasojat e tërmetit katastrofik që preku këtë qytet, më 6 prill 1667. Edhe në Ulqin ka pasur shumë objekte të shkatërruara dhe të prishura, por pa viktima në njerëz.
Pas disfatës turke para Vjenës, në vitin 1683, venedikasit patën shpresë se do të përfitonin nga ky epilog i luftës. Më 5 mars 1684, me përpjekjet e Papës Inoçenti XI, Austria, Venediku dhe Polonia formuan “Lidhjen e Shenjtë” në Linz. Kështu filloi Lufta e Parë e Moresë (beteja për Peloponezin, 1684-1699) dhe, sipas traktatit të lidhur ndërmjet aleatëve, venedikasit mund të mbanin për vete gjithçka që rrëmbenin nga turqit. Venecia pajisi një flotë të fortë nën komandën e admiralit me përvojë Françesko Morozini. Së shpejti pushtoi Santa Maurën, çerdhen e kusarëve, e më pas Prevezën, Koronën, Navarinin, Modonin, Argosin dhe në vitin 1687 Herceg Novin, qytetin e fortifikuar mirë.
Për të mos u përsëritur një situatë e ngjashme, sulltan Sulejmani II urdhëroi vitin e ardhshëm esnafët në Berat që t’u vinin aty për aty në ndihmë qyteteve bregdetare (Ulqinit, Tivarit dhe Lezhës), nëse sanxhakbeu i Shkodrës do t’u kërkonte një gjë të tillë. “Përndryshe, nëse ndonjë nga këto qytete dëmtohet apo rrezikohet nga pakujdesia juaj, dijeni mirë se s’do t’i dëgjoj justifikimet tuaja dhe se do të dënoheni si shembull për të tjerët”, thoshte padishahu.
Në mars të vitit 1688, ai përsëriti se mbrojtja e kështjellave të vendosura në sanxhakun e Shkodrës është “një nga çështjet më të rëndësishme të fesë dhe të shtetit” dhe se është shumë e rëndësishme për prestigjin e tij personal si sulltan.
Përndryshe, në kohën e Perandorisë Osmane, shkodranët kishin detyrim të ndihmojnë ulqinakët dhe tivarasit nëse ata rrezikoheshin. Të njëjtën gjë bënin edhe fiset malësore.
Venedikasit nuk humbisnin asnjë rast për të vënë dorë mbi këto qytete. Kur në fillim të vitit 1689 Porta e Naltë dërgoi përfaqësuesit në Vjenë për të paraqitur kushtet e paqes, ata kërkuan për vete Ulqinin dhe Tivarin.
Të gjitha përpjekjet e venedikasve në Luftën e Parë të Moresë, që me flotën e tyre të bllokojnë ulqinakët, shkuan kot, ndaj Venediku vendosi ta sulmonte dhe ta pushtonte Ulqinin, “atë çerdhe kusarësh që kërcënon lundrimin e lirë nëpër Adriatikun Jugor”.
Flota venedikase, nën komandën e proveditorit të përgjithshëm Daniele Dolfino, u gjend para qytetit në mëngjes të 9 gushtit 1696. Në rrethim morën pjesë rreth 12 000 ushtarë, nga të cilët pesë mijë morlakë nga krahina e Zarës. Rrethi i Ulqinit kishte afërsisht një mijë banorë, kështu që morlakët dhe çetat e tjera venedikase filluan menjëherë shkretimin e varoshit dhe djegien e shtëpive. “Në pak orë, mundi i kaq shumë kohësh u bë hi, kurse të gjitha ndërtesat u bënë gërmadha e virane”, shënojnë burimet venedikase. Shkruajnë edhe se mbrojtjen e qytetit e drejtonte “mbreti kusar” Hajdar Karaminxhoja. Në betejë u dallua për heroizëm edhe vëllai i tij, Mustafa.
Më 22 gusht 1696 mbërriti ndihma për mbrojtësit e qytetit: tetë mijë vetë nga Shqipëria, Podgorica, Tivari dhe Kraja me në krye vëllezërit Omer Pasha dhe Ali Pasha, djemtë e Sulejman Pashës së Shkodrës. Të nesërmen morlakët i zmbrapsën nga llogoret venedikase, ndërsa artileria vazhdoi të bombardonte Kalanë. Më 26 gusht 1696, dy mijë ushtarë të tjerë mbërritën nga Shqipëria e Jugut. Të rënduar nga breshëria e pandalshme e gjyleve dhe plumbave, si dhe të sulmuar vazhdimisht nga morlakët, mbrojtësit e qytetit u tërhoqën me humbje të mëdha. Një i burgosur u dërgua në kala për të informuar të rrethuarit se s’mund të shpresonin më për ndonjë ndihmë. Mirëpo, mesazhi i tyre ishte se do të luftonin deri në frymën e fundit. Venedikasit thanë më vonë se “edhe kur binin bedenat, zemrat e tyre heroike s’u ligështuan”.
Më 3 shtator 1696 dështoi edhe përpjekja e fundit e venedikasve për të pushtuar Kalanë, e dy ditë më vonë, të mërkurën më 5 shtator 1696, pas një rrethimi 26-ditor, ushtria venedikase hipi në anije dhe u kthye kokëposhtë në Bokë.
Ulqini e pësoi keq; Kalaja u dëmtua rëndë, shtëpitë u rrënuan, varoshi u bë rrafsh me tokë e rrethina e shehrit u plaçkit. Në mol u dogjën një tartanë e një galeotë, si dhe disa barka. Megjithatë, asnjë kusar nuk u kap, sepse shumica e anijeve të tyre u strehuan në Bunë. Në këtë sulm, 50 ushtarë venedikas humbën jetën e njëqind u plagosën. Kjo aventurë i kushtoi venedikasve 15 350 dukatë.
Në përpjekje për të justifikuar gjithë aksionin dhe mjetet materiale e financiare të harxhuara, të dërguarit e tyre njoftuan se flota tregtare e ulqinakëve pas këtij sulmi mbeti me rreth njëzet barka me kapacitet të vogël.
Duke vënë në dukje se kurrë ndonjëherë nuk kishte ndeshur një situatë kaq të zorshme e delikate dhe me mbrojtës kaq të vendosur, Dolfin konstaton: “Ulqini s’u pushtua, por nëse qëllimi kryesor i përpjekjes ishte ndëshkimi i kryeneçësisë dhe guximit të kusarëve, mund të thuhet se ai qëllim u arrit”… “Ishte e shkruar të ndodhte kështu”, përfundon proveditori i përgjithshëm venedikas.
Përndryshe, gjatë këtij rrethimi të Ulqinit është regjistruar një episod emocional. Kadën Fatima i shkroi vëllait të saj, Sulejman Pashë Bushatlisë, nga Kalaja e rrethuar, në kulmin e sulmeve më të ashpra, një letër me këtë përmbajtje:
“Zotëriu im, sunduesi im! Ju lutem e Ju përgjërohem të mendoni për gjendjen në të cilën jemi katandisur. Vendi ynë ishte i pastër dhe pa asnjë telashe për kaq shumë vite. Këta dushmanë, që janë vetëm tri ose katër mijë, do të shkatërrojnë kaq shumë pasues zavallë e fukara të Profetit Muhamed, paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij të ndershme.
Harrojeni sjelljen e keqe të disa ulqinakëve kundrejt teje, sepse Zoti do t’i gjykojë në Ditën e Gjykimit.
Zoti im, na ndihmo, e Ju, zotëriu dhe sunduesi im, ejani, kjo është dita e ndihmës! Ju lutem, mos dëgjoni fjalët dhe këshillat e intriguesve që s’ia duan të mirën vendit dhe ju thonë të mos i ndihmoni banorët e tij!
Vëllai im, nëse vjen në ndihmë, do të fitosh merita të pafundme te Zoti Mëshirues dhe te njerëzit.”
Ulqinakët në këtë betejë kishin aleat fisin Hoti. Për shkak të heroizmit të treguar, pashai i Shkodrës vendosi që në të ardhmen Hoti të kishte përparësi ndaj të gjitha fiseve të Shqipërisë së Veriut.
Në Venedik pohonin se menjëherë pas këtij sulmi, sulltan Mustafa II u dërgoi ulqinakëve 2 700 cekinë ari për të rindërtuar flotën, në mënyrë që ata të mund të kontrollonin dhe mbronin sërish bregdetin shqiptar.
Më 7 shkurt 1699, Perandoria Osmane nënshkroi “paqe të përjetshme” me Republikën e Shën Markut dhe filloi të rindërtojë bedenat e rrënuara të Kalasë së Ulqinit. Pas çdo lufte, turqit nisnin riparimin e fortifikimeve dhe dërgonin armatim më të mirë. Ata dinin të vlerësonin rëndësinë e Ulqinit si bazë detare dhe të banorëve të tij të vyeshëm. Kjo u bë edhe më e rëndësishme pas rënies së Herceg Novit. Politika e tillë doli të ishte e menduar mirë, sepse vetëm 15 vjet më vonë (më 1714) filloi lufta e re.
Pas Luftës së Parë të Moresë, ulqinakët u përpoqën të merrnin përsipër të gjitha eksportet nga portet shqiptare dhe të nxirrnin jashtë tregtarët nga Boka, Franca e vende të tjera. Konsulli venedikas në Durrës, Pietro Roza, shkruante në vitin 1706 se ulqinakët kanë 200 anije dhe se ky numër sa vjen e shtohej sepse blejnë ose ndërtojnë anije të reja në kantierin e tyre. Prandaj konsulli frikësohet dhe thotë se ulqinakët do të jenë edhe më të rrezikshëm nëse ndaj tyre s’merren masa. Ndër masat që Roza propozon të merren është edhe rrënimi i menjëhershëm i Ulqinit si “çerdhe kaçakësh të pandershëm”. Ata patën shpresë se në vitin 1711, kur kishte një lëvizje të madhe malazeze kundër turqve, e nisur nga rusët, në atë trazirë të përgjithshme do t’i bie në dorë disi edhe Ulqini.
Në vitin 1714, ulqinakët u ankuan Portës së Lartë se venedikasit po pengonin lundrimin e tyre me pretekstin se po persekutojnë kusarët. Në fund të atij viti, Sulltani vendosi të dërgojë përfaqësuesit e tij në Venedik, të cilët i pyetën zyrtarët venedikas se pse po i sulmojnë ulqinakët kur e dinë se janë nën mbrojtjen e Padishahut. Pikërisht ankesat e ulqinakëve ishin një nga shkaktarët e luftës së fundit osmano-turke, e cila u zhvillua nga viti 1714 deri në vitin 1718.
Venedikasit morën zemër nga suksesi përreth Korfuzit dhe trupat austriake nën komandën e Eugjenit të Savojës në brendësi të Ballkanit, prandaj bënë përpjekjen e fundit për të rimarrë zotërimet e tyre të mëparshme në Adriatikun Jugor. Më 1716, konsulli i tyre në Durrës i bëri prapë thirrje Senatit të merrte masa të ashpra për të ulur rrezikun nga flota gjithnjë e më e fuqishme e ulqinakëve. Mbështetja erdhi edhe nga Selia e Shenjtë. Pushtimi i Ulqinit dhe Tivarit u propozua edhe nga Papa Klementi XI, shqiptar me origjinë, dhe perandori austriak Karli VI.
Në verën e vitit 1717, komandanti venedikas i Dalmacisë, Alvize Moçenigo, shqyrtoi se cilin nga “portet e forta të Shqipërisë” të sulmonte: Ulqinin, Durrësin, Vlorën, Lezhën a Tivarin. Vendosi për këtë të fundit, sepse është më afër kufirit të Budvës dhe Pashtroviqit. Mirëpo, rrethimi i ngritur nga data 16 deri më 22 tetor, s’dha fryt për shkak të forcave të vogla të ushtrisë venedikase. Venedikasit pësuan humbje të rëndë për shkak të ndihmës aktive të sanxhakbeut shkodran, Begolit.
Duke u përgatitur për një desant të ri në Ulqin, duka venedikas Xhovani Kornaro nxori një dekret më 9 prill 1718, me të cilin dy anije, “Shën Marku” dhe “Shën Theodori”, u caktuan t’u vihen mbrapa kusarëve ulqinakë nëpër Adriatik. Me një flotë prej gjithsej 200 anijesh dhe gati-gati 11 000 ushtarësh, komandantët venedikas më me nam, admirali Andrea Pizani, mareshali Matej Shulemberg dhe proveditori i përgjithshëm Moçenigo, mbërritën nga Herceg Novi mu pranë Ulqinit, më 23 korrik 1718, vetëm dy ditë pas nënshkrimit të traktatit së paqes në Pozharevc. Dalmatët zunë disa pozicione në rrethinën e qytetit, kurse ushtria venedikase, e ndihmuar nga malazezët në krye me peshkopin Danilo, rrethoi Kalanë. Qyteti mbrohej nga më pak se 2 000 veta, kështu që nga Shkodra mbërritën shpejt afërsisht 7 000 njerëz.
Në fund të korrikut, Senati i Venedikut u njoftua se ishte lidhur paqja, prandaj u dha një urdhër për ndalimin e armiqësive. Mirëpo, komandantët venedikas në terren e konsideruan si çështje nderi përfundimin me sukses të këtij operacioni. ”Sepse një arritje e tillë do t’i sillte lavdi ushtrisë dhe gjithë krishterimi e dëshiron dhe e pret”, shkruanin ata.
Dukej se do t’i dilnin në krye nijetit, pavarësisht guximit të madh të mbrojtësve të qytetit. Mirëpo, mbrojtësit morën mbështetje nga ku s’e prisnin; në mbrojtjen e Ulqinit morën pjesë çeta dervishësh, në mesin e të cilëve ishin shejh Sulejman Axhiza Baba (i quajtur Mësuesi i Dytë i Madh, i tarikatit Saadi) dhe Mehmet Pasha nga Gjakova. Atyre u erdhi zbulesa hyjnore (keshfi) se të nesërmen do të jetë furtunë e madhe dhe se flota venedikase do të tërhiqej, kurse këmbësoria në Sukë duhet befasuar me një sulm në mëngjes.
Kështu ndodhi përnjëmend. Furtuna e fortë, e shoqëruar me punentë, filloi në natën midis së enjtes dhe xhumasë, më 4 gusht. Flota venedikase pësoi disfatë të rëndë. U rrënuan 14 galera venedikase, 20 tartana, dy peota dhe të gjitha barkat e vogla. Plot 61 topa të mëdhenj e të vegjël ranë në duart e mbrojtësve të qytetit. Sipas burimeve venedikase, mbrojtësit kishin 1 300 ushtarë të vrarë në luftime. Dëmi i përgjithshëm që ulqinakët u shkaktuan nënshtetasve venedikas në këtë luftë llogaritet 100 000 cekinë.
Si dëmshpërblim për gjakun e të vrarëve, për shtëpitë e rrënuara në Kala e në varosh, e për ullinjtë e prerë, u dakordua që si peng të mbaheshin dy venedikas të zgjedhur, e të tjerët të dërgoheshin në vendlindje. Të gjitha operacionet luftarake përfunduan më 11 gusht 1718.
Dy shehidëve, Ludit dhe Jahjasë, ulqinakët u ndërtuan tyrbe në Ranë, në shenjë mirënjohjeje dhe për t’i kujtuar gjithmonë brezat e ardhshëm për heroizmin e tyre për mbrojtjen e vatanit.
Kronogrami në portën veriore të Kalasë ka mbetur si dëshmi e asaj kohe:
Zoti e bekoftë këtë kala islame buzë detit
Dhe le ta mbajë nën sundimin e myslimanëve deri në Ditën e Gjykimit
Këto shtylla të larta me kështjellë, si trupi me shpirtin,
Janë vepër e fuqisë së Zotit dhe e mirësisë së Tij.
O (njeri) i pafuqishëm, lutu për këtë kala islame
së cilës, në emër të së vërtetës, ia këndova këtë kronogram.
“Çeli gonxhja e trëndafilit“.
Viti 1130 sipas hixhrit (viti 1718).
