Për tri ditë, Ulqini ishte një pikëtakim i letërsisë dhe mendimit shqiptar. Nga 11 deri më 13 shtator 2026 u mbajt edicioni i 34-t i Kalimerës Poetike “Basri Çapriqi”, manifestim tashmë tradicional që prej më shumë se tri dekadash e mban gjallë lidhjen e Ulqinit me botën e letrave shqipe.
E organizuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, “Kalimera Poetike” edhe këtë vit solli në Ulqin shkrimtarë, studiues, kritikë dhe dashamirës të letërsisë, duke e shndërruar qytetin në një hapësirë ku fjala, libri dhe kujtesa kulturore u takuan me njëra-tjetrën.
Në hapje të edicionit të 34-t të Kalimerës Poetike “Basri Çapriqi”, të pranishmit i përshëndeti kryetari i SHAI “Art Club”, Ismet Kallaba.
Në fjalën e tij, ai foli për punën e vazhdueshme të “Art Club”-it në organizimin dhe mbajtjen gjallë të kësaj veprimtarie, si dhe për rëndësinë që “Kalimera Poetike” ka fituar ndër vite në jetën kulturore të Ulqinit dhe në hapësirën letrare shqiptare.
Kallaba u ndal edhe te tradita e mbrëmjeve homazh, duke theksuar se përmes veprës së tyre shkrimtarët vazhdojnë të jetojnë edhe pas vdekjes.
“Ky është viti i tretë që Kalimerën Poetike e fillojmë me një mbrëmje homazh. Unë do të doja të mos ishte kështu, por edhe shkrimtarët janë njerëz të vdekshëm, por vetëm fizikisht, sepse krijimtaria e tyre i bën ata të pavdekshëm, duke ua siguruar përjetësinë”, ka thënë ai.
Në kujtim të Rexhep Qosjes
Edicioni i sivjetshëm u hap të premten mbrëma (11 shtator 2026) në Muzeun e Ulqinit në Kala, me një mbrëmje homazh kushtuar akademikut Rexhep Qosja, një prej figurave më të rëndësishme të mendimit dhe letërsisë shqiptare, i cili u nda nga jeta në prill të këtij viti.
Mbrëmja solli në vëmendje jetën dhe veprën e një intelektuali që për dekada ka qenë një zë i rëndësishëm në debatet letrare, kulturore dhe shoqërore shqiptare.
Për figurën dhe krijimtarinë e tij folën shkrimtari dhe profesori universitar Ag Apolloni dhe botuesja Irena Toçi, ndërsa pjesë nga krijimtaria e Qosjes u lexuan nga aktori Naim Berisha. Mbrëmjen e moderoi poeti dhe studiuesi i letërsisë Haxhi Shabani.
“Më vjen mirë që, për herë të parë pas ikjes së tij nga kjo jetë, Rexhep Qosja kujtohet në këtë formë pikërisht në Mal të Zi, këtu ku është edhe vendlindja e tij, në Vuthaj. Ai është një nga ju, por i përket të gjithë shqiptarëve. Ne, si botues të tij, kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi krenarë që ai është një nga autorët kryesorë që kemi botuar që nga viti 1995, vetëm dy vjet pasi ishim themeluar si shtëpi botuese ‘Toena’. Libri i parë i Rexhep Qoses që u botua nga ‘Toena’ ishte ‘Fjalor demokratik’. Ne ngulëm këmbë që profesor Qosja të botonte edhe ditarin e tij, i cili përkonte me periudhën para luftës në Kosovë”, u shpreh Irena Toçi.
Ndërsa shkrimtari dhe studiuesi Ag Apolloni tha se Rexhep Qosja sigurisht është figura më e madhe që vjen nga kjo anë, është figura më e madhe e Kosovës.
“Ishte një intelektual i pakrahasueshëm dhe të gjithë të tjerët e njihnin si të tillë, edhe kur e kundërshtonin. Rexhep Qosja s’ishte hiç në garë, s’mund të garonte kush me të. Ai ishte shkrimtari më i përkthyer nga Kosova”, u shpreh ai.
Zgjedhja e Qosjes për të qenë në qendër të hapjes së këtij edicioni i dha manifestimit një dimension të veçantë. Nuk ishte vetëm një përkujtim i një autori të madh, por edhe një mundësi për të reflektuar mbi rolin e intelektualit në shoqëri, mbi letërsinë si formë kujtese dhe mbi përgjegjësinë që kultura ka në ruajtjen e identitetit.
Letërsia në qendër të vëmendjes
Programi vazhdoi të shtunën mbrëma (12 shtator 2026) në Librarinë “Ulqini”, ku publiku pati mundësinë të ndiqte mbrëmjen autoriale me shkrimtaren dhe studiuesen e letërsisë Anila Mullahi – Elezi.
Përmes një bisede mbi krijimtarinë e saj, u trajtuan aspekte të veprës dhe të mendimit të autores, duke e vendosur librin dhe autorin në qendër të komunikimit me publikun. Mbrëmja u moderua nga Liridona Sinishtaj – Doçe.
Studiuesja dhe shkrimtarja Anila Mullahi – Elezi, pedagoge dhe një zë i njohur në fushën e kritikës dhe studimeve letrare, foli për letërsinë, kritikën letrare dhe nevojën për një qasje të re ndaj veprës letrare.
“Me duket sikur jam mes njerëzve që flasin të njëjtën gjuhë, jo vetëm në kuptimin e gjuhës shqipe, por në kuptimin e dashurisë për letërsinë dhe për artin. Pas viteve ’90, në Shqipëri pati një vakuum shumë të madh kritik. Në Shqipëri, realizmi socialist kishte bërë që të mos kishte asnjë lloj frymëmarrjeje. Kritika kishte përfunduar në një nivel shumë të ulët, ku studimet ishin vetëm sociologjike, një këndvështrim i një sociologjie naive, që realizmi socialist në Shqipëri e kishte transformuar në interes të politikës. Tani vitet kanë kaluar dhe ne nuk jemi më nën këtë presion. Unë e ndieva nevojën për ta parë letërsinë në një këndvështrim jo vetëm tekstual, por as edhe vetëm sociologjik”, ka thënë ajo.
Në një kohë kur komunikimi kulturor po zhvillohet gjithnjë e më shumë në hapësira virtuale, takimet e drejtpërdrejta me autorët mbeten një mënyrë e rëndësishme për ta afruar lexuesin me librin. Pikërisht këtë rol vazhdon ta luajë edhe “Kalimera Poetike” – krijimin e një hapësire ku letërsia nuk mbetet vetëm në faqet e librit, por bëhet pjesë e një dialogu të drejtpërdrejtë me publikun.
Gëzim Aliu në mbrëmjen përmbyllëse
Edicioni i 34-t u përmbyll të dielën mbrëma (13 shtator 2026) në ambientet e restorantit “Shasi”, ku në qendër ishte krijimtaria e shkrimtarit Gëzim Aliu.
Për veprën e tij foli kritiku letrar Mërgim Bekteshi, ndërsa mbrëmjen e moderoi Vediha Gjoni. Diskutimi mbi krijimtarinë e Aliut ishte një tjetër dëshmi se “Kalimera Poetike” nuk kufizohet vetëm te prezantimi i autorëve, por synon të krijojë hapësirë për diskutim dhe interpretim të letërsisë.
Duke folur para publikut në Shas, Aliu u shpreh se e njeh Ulqinin dhe historinë e tij dhe se ndihet mirë që është pjesë e “Kalimerës Poetike”.
Pjesëmarrja e tij në edicionin e 34-t të “Kalimerës Poetike” e pasuroi programin me një debat mbi gjendjen aktuale të letërsisë dhe sfidat me të cilat përballen studimet shqiptare, duke e kthyer mbrëmjen përmbyllëse në një hapësirë jo vetëm për prezantimin e krijimtarisë, por edhe për reflektim mbi të ardhmen e letërsisë dhe të studimeve kombëtare.
Aliu u ndal edhe te gjendja e shkencave albanologjike, duke shprehur shqetësimin për numrin e vogël të studentëve që zgjedhin të studiojnë gjuhën, letërsinë dhe historinë kombëtare.
Ai theksoi se kriza e letërsisë nuk lidhet vetëm me krijimtarinë, por edhe me mungesën e brezave të rinj që do të merren me studimin, interpretimin dhe zhvillimin e saj.
“Letërsia faktikisht është në krizë. Kriza themelore lidhet edhe me numrin e paktë të studentëve të gjuhës, letërsisë, të historisë kombëtare. Kjo është, sepse librat e mi studimorë kush do t’i lexojë nëse departamentet tona albanologjike nuk do të kenë studentë brenda dhjetë vjetësh? Për këtë shkak duhet të ndërhyjë shteti dhe shoqëria, që të trajtohen në mënyrë speciale shkencat kombëtare. Përndryshe, do të mbetemi pa studentë të albanologjisë dhe pa studiues”, nënvizoi ai.
Fjala e Gëzim Aliut i dha një dimension reflektues mbrëmjes së fundit të “Kalimerës Poetike”, duke e zhvendosur vëmendjen nga krijimtaria individuale e autorit te një çështje më e gjerë: e ardhmja e letërsisë shqipe dhe e studiuesve që do të merren me të.
Mbrëmja e dytë dhe e tretë u shoqëruan edhe me program muzikor, ku morën pjesë instrumentistët Ares Fani në kitarë, Erald Rragami në fizarmonikë dhe Duliem Puka në violinë.
Për më shumë se tri dekada, Kalimera Poetike “Basri Çapriqi” është bërë pjesë e identitetit kulturor të Ulqinit. Në një kohë kur jeta kulturore shpesh përballet me sfida të shumta, vazhdimësia e një manifestimi të tillë dëshmon rëndësinë e investimit në kulturë dhe në fjalën e shkruar.
Një veçori e rëndësishme e manifestimit është edhe mënyra se si aktivitetet ndërthuren me hapësirat e qytetit. Nga Muzeu i Ulqinit në Kala, te Libraria “Ulqini” dhe deri tek ambientet e Shasit, letërsia këtë vit u vendos në vende që bartin secili historinë dhe karakterin e vet. Kjo e bën “Kalimerën Poetike” edhe një ngjarje që i jep jetë hapësirës publike dhe kulturore të vendit.
Edicioni i 34-t u mbyll pas tri ditësh, por jo edhe biseda për letërsinë. Sepse në Ulqin, në një qytet ku historia, deti dhe kultura takohen, fjala poetike vazhdon të ketë vendin e saj.
D. Teliqi
