
Përparimi i Malit të Zi në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian është pa dyshim një zhvillim i rëndësishëm politik dhe historik. Mbyllja e përkohshme e dy kapitujve të tjerë negociues, më 6 nëntor 2026 në Bruksel, duke e çuar numrin e kapitujve të mbyllur në 23 nga gjithsej 33, dëshmon se Podgorica po i afrohet gjithnjë e më shumë objektivit të saj strategjik – anëtarësimit në familjen evropiane.
Por, përtej shifrave, deklaratave politike dhe optimizmit diplomatik, shtrohet një pyetje thelbësore: a do të arrijë Mali i Zi që këtë përparim negociues ta shndërrojë në reforma reale, institucione funksionale dhe një jetë më të mirë për qytetarët e tij?
Mendoj se pikërisht këtu qëndron sfida më e madhe e vendit.
Mbyllja e Kapitullit 1, që lidhet me lëvizjen e lirë të mallrave, dhe Kapitullit 12, që përfshin sigurinë ushqimore dhe politikat veterinare e fitosanitare, është një tjetër dëshmi e progresit në përafrimin me standardet evropiane. Mali i Zi sot konsiderohet kandidati më i avancuar në procesin e zgjerimit të BE-së dhe objektivat e tij për përfundimin e negociatave deri në fund të vitit 2026, nënshkrimin e Traktatit të Anëtarësimit në vitin 2027 dhe anëtarësimin e plotë në vitin 2028, duken ambicioze, por jo të paarritshme.
Megjithatë, anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk është vetëm çështje kalendarësh dhe kapitujsh të mbyllur. Është, mbi të gjitha, çështje e transformimit të shtetit.
Evropa nuk kërkon vetëm ligje të harmonizuara, por edhe institucione që funksionojnë, drejtësi të pavarur, luftë të pakompromis kundër korrupsionit dhe respektim të të drejtave të çdo qytetari.
Për Malin e Zi, anëtarësimi në BE mund të përfaqësojë një kthesë të rëndësishme ekonomike dhe shoqërore. Qasja në tregun e përbashkët evropian, mundësitë për investime, fondet zhvillimore dhe programet financiare do të krijonin kushte të reja për zhvillimin e ekonomisë vendore.
Bujqësia, turizmi, infrastruktura, arsimi dhe shëndetësia janë vetëm disa nga sektorët që mund të përfitojnë nga integrimi evropian. Edhe qytetarët do të kishin mundësi më të mëdha për arsimim, punësim dhe lëvizje brenda vendeve të Bashkimit Evropian.
Por duhet kuptuar se anëtarësimi nuk është një zgjidhje magjike për problemet e brendshme. BE-ja nuk mund t’i zëvendësojë institucionet vendore dhe as të krijojë zhvillim aty ku mungon përgjegjësia politike.
Nëse nuk ka administratë profesionale, drejtësi të pavarur, konkurrencë të ndershme dhe luftë kundër korrupsionit, atëherë edhe fondet evropiane rrezikojnë të mos japin rezultatet e pritshme.
Prandaj, kapitujt 23 dhe 24 mbeten prova më e rëndësishme e seriozitetit të Malit të Zi. Sundimi i ligjit, funksionimi i gjyqësorit, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk janë thjesht kërkesa teknike të Brukselit, por parakushte për ndërtimin e një shteti demokratik dhe të besueshëm.
Një nga paradokset e politikës malazeze është se, ndërsa vendi po shënon përparim në negociatat evropiane, skena e brendshme politike vazhdon të karakterizohet nga mosmarrëveshje, interesa partiake dhe mungesa e një konsensusi të qëndrueshëm.
Qeveria e Millojko Spajiqit mbështetet në një shumicë të gjerë politike, ku përfaqësohen parti me orientime dhe interesa të ndryshme. Ky konfigurim mund të jetë një avantazh për përfshirjen e grupeve të ndryshme, por njëkohësisht paraqet edhe rrezik për stabilitetin e vendimmarrjes.
Në fund të fundit, Mali i Zi nuk mund të pretendojë se është gati për Evropën nëse institucionet e tij mbeten peng i kalkulimeve partiake dhe konflikteve politike.
Shqiptarët, jo vetëm pjesë e shumicës por faktor i rëndësishëm i integrimit
Në këtë proces, roli i shqiptarëve në Malin e Zi meriton një vëmendje të veçantë. Shqiptarët kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë pjesë e rëndësishme e orientimit euroatlantik të vendit. Përmes përfaqësimit në qeveri, parlament dhe institucione të tjera, ata kanë kontribuuar në ruajtjen e kursit proevropian dhe në ndërtimin e një Mali të Zi më gjithëpërfshirës. Megjithatë, mendoj se është koha që roli i shqiptarëve të vlerësohet përtej numrit të posteve dhe funksioneve politike. Përfaqësimi nuk duhet të jetë qëllim në vetvete, por mjet për të sjellë ndryshime konkrete në jetën e qytetarëve.
Pyetja që duhet të shtrohet është: sa po përkthehet ky përfaqësim në zhvillimin e zonave shqiptare, në investime, në punësim, në përfaqësim proporcional dhe në mbrojtjen e identitetit kombëtar?
Ulqini, Tuzi, Plava, Gucia dhe vendbanimet e tjera shqiptare kanë nevojë për më shumë vëmendje institucionale. Problemet me infrastrukturën, mungesa e vendeve të punës, zhvillimi i pamjaftueshëm ekonomik, përfaqësimi në administratën publike dhe mbrojtja e gjuhës shqipe vazhdojnë të jenë çështje që kërkojnë zgjidhje konkrete.
Nuk mjafton që shqiptarët të jenë pjesë e institucioneve qendrore. Ata duhet të ndihen të barabartë në çdo nivel të shtetit, si në mundësitë për punësim, ashtu edhe në qasjen ndaj investimeve dhe shërbimeve publike. Integrimi evropian duhet të jetë mundësi për ta përmirësuar pozitën e shqiptarëve, jo vetëm një proces në të cilin ata marrin pjesë politikisht.
Një nga përparësitë e procesit të integrimit evropian është se ai krijon standarde dhe mekanizma që mund të ndihmojnë në mbrojtjen e të drejtave të pakicave kombëtare.
Për shqiptarët në Malin e Zi, kjo nënkupton mundësinë për të kërkuar zbatimin më të mirë të të drejtave gjuhësore, përfaqësim proporcional në administratën publike, decentralizim më funksional dhe politika zhvillimore që nuk lënë pas dore komunat dhe zonat ku jetojnë.
Në këtë kontekst, përfaqësuesit politikë shqiptarë kanë përgjegjësi të dyfishtë: të kontribuojnë në përshpejtimin e integrimit evropian dhe njëkohësisht të sigurojnë që ky proces të prodhojë rezultate konkrete për popullin që përfaqësojnë.
