Shoqëria Kulturore-Artistike “Besa” shfaqi të shtunën mbrëma, më 7 nëntor 2026, në Qendrën Kulturore-Informative “Malësia” në Tuz, koncertin vjetor përmbyllës, në një sallë të mbushur plot me publik.
Me një program të larmishëm artistik, SHKA “Besa” ofroi një mbrëmje të këndshme, ku mes valleve dhe këngëve të interpretuara, spikaten tingujt e fyellit dhe të instrumenteve të tjera frymore, nën drejtimin e fyelltarit veteran të kësaj shoqate, Shtjefën Ujkaj.
Përpara performancave në skenë, ku u ngjitën anëtarë e anëtare të të gjitha moshave, kryetari i SHKA “Besa”, Dedë Nikprelaj, tha se me këtë koncert po përmbyllin një vit plot punë, përkushtim dhe suksese.
“Sonte jemi bashkuar për të festuar bashkë atë që na bën të veçantë – kulturën, traditën dhe identitetin tonë që jetojnë në zemrat tona dhe në brezat që po rriten”, theksoi Nikprelaj.
Sipas tij, ky vit ka qenë i begatë për shoqatën që drejton, duke theksuar se “Besa” ka qenë pjesëmarrëse në shumë aktivitete.
“Me sukses dhe krenari kemi përfaqësuar Malësinë me folklorin burimor dhe me kulturën tonë në ngjarje dhe raste të ndryshme, si në vend ashtu edhe në rajon”, tha Nikprelaj, duke veçuar, ndër aktivitetet e shumta verore, pjesëmarrjen dhe shpërblimet e shoqatës në Festivalin Mbarëkombëtar të Folklorit “Rapsha” 2026 në Vitojë.
Kryetari i kësaj shoqate e konsideroi aktivizimin e të rinjve dhe të rejave në këtë shoqatë kulturore-artistike si një arritje të rëndësishme në ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
“Të rinjtë tanë po mësojnë vallet, këngën, veshjet dhe instrumentet e të parëve dhe këtë po e bëjnë me dashuri dhe përkushtim. Ata janë garanci se kultura jonë do të vazhdojë të jetojë”, tha kryetari i SHKA “Besa”, Dedë Nikprelaj.
Ai më tej u shpreh se trashëgimia kulturore nuk ruhet vetëm në muze apo në libra, por ruhet në çdo hap të jetës, “edhe kur vallëzohet, edhe kur këndohet, kur vishet e kështu përcillet nga një brez te brezi tjetër”.
Kryetari i kësaj shoqate tha se ‘Besa’, prej shumë dekadash e deri më sot, tenton dhe ia arrin të japë kontributin e vet për të mbajtur gjallë shpirtin kulturor të Malësisë, “duke ruajtur, promovuar dhe përcjellë te brezat e rinj trashëgiminë tonë të pasur kulturore”.
Ai falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuuar në realizimin e këtij koncerti por edhe të aktiviteteve të tyre të mëparshme.
Koncerti vjetor i SHKA “Besa” u shoqërua edhe nga shoqatat mysafire, si SHKA “Koha”, SHKA “Vallet ilire” nga Ulqini, SHKA “Maja e Karanfilit” nga Plavë-Gucia dhe SHKA “Liria”, të cilat e pasuruan këtë koncert me programin dhe repertorin e tyre kulturor e artistik.
Kujtojmë se SHKA “Besa” ka 58 vjet veprimtari kulturore-artistike në ruajtjen, kultivimin dhe përcjelljen e trashëgimisë kulturore të Malësisë te brezi i ri.
t. u.
