Mali i Zi në fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësim në BE

Komisionerja evropiane për zgjerimin, Marta Kos tha në Takimin Ministror të Procesit të Berlinit, të mbajtur të enjten në Budvë, se Mali i Zi ndodhet në fazën përfundimtare të negociatave me Bashkimin Evropian dhe se në konferencën e ardhshme ndërqeveritare, që pritet të mbahet në mes të tetorit, pritet të mbyllen edhe disa kapituj të tjerë negociues.
“Ju tashmë keni mbyllur 18 kapituj negociues dhe presim që edhe disa kapituj të tjerë të mbyllen në konferencën e ardhshme ndërqeveritare në mes të tetorit. Tani jeni vendosur fuqishëm në fazën përfundimtare, prandaj vazhdoni të investoni të gjithë energjinë tuaj për përfundimin me sukses të negociatave”, ka thënë ajo në fjalimin e saj.
Kos ka shtuar se përparimi i Malit të Zi i ka dhënë vrull të ri politikës së zgjerimit në Ballkanin Perëndimor.
“Kjo është arritje e juaja këtu në Mal të Zi. Keni krijuar vrull të ri për zgjerimin në të gjithë Ballkanin Perëndimor”, tha ajo.
Duke folur për politikën e zgjerimit, ajo tha se arsyet gjeopolitike dhe parimi i bazuar në merita nuk janë në kundërshtim me njëri-tjetrin.
Ndërkaq, ministri i Punëve të Jashtme i Malit të Zi dhe nikoqiri i takimit, Ervin Ibrahimoviq tha se Mali i Zi duhet të punojë për reformat.
“Ende duhet të punojmë për reformat, por ajo që është gjithashtu e rëndësishme është ulja e tensioneve politike. Na pret ende punë në kuadër të integrimit evropian, ndërsa procesin e transformimit duhet ta përgatisim ne vetë”, ka thënë ai.
Takimi Ministror i Procesit të Berlinit mbledh ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfaqësues të lartë të vendeve anëtare të Procesit të Berlinit, BE-së dhe organizatave rajonale.

(Kohapress)


Mali i Zi dhe Shqipëria me komisionerë në Bruksel?!

Ashtu siç është raportuar ditët e fundit dhe siç u deklarua nga Tirana edhe nga vetë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, KE po shqyrton planet e reja për anëtarësimin e Malit të Zi, Shqipërisë dhe vendeve të tjera në Bashkimin Evropian.
Në bazë të planit të ri, media belge “Rapporteur” ka zbuluar se Mali i Zi dhe Shqipëria do të mund të dërgojnë komisionerët e tyre në Bruksel, në përbërje të Komisionit Evropian, edhe përpara se këto shtete të anëtarësohen zyrtarisht në Union.
Kjo do të mundësonte një përfshirje më të madhe të shteteve kandidate në politikat evropiane përpara se të 27 shtetet anëtare të BE-së të përfundojnë procedurat e tyre kombëtare të ratifikimit, një proces që mund të zgjasë në kohë.
Komisioneri i ri malazez dhe ai shqiptar mund të marrin pjesë në punën e Kolegjit të Komisionerëve dhe të ndihmojnë në formësimin e legjislacionit të BE-së, një e drejtë që deri më tani është rezervuar për zyrtarët e shteteve anëtare. Në dokumentin e zbardhur nga media belge thuhet se “Komisioni Evropian e konsideron të justifikuar mundësinë që një vend që po anëtarësohet në union duhet të emërojë një komisioner gjatë kësaj periudhe”.
“Një komisioner i tillë mund të marrë pjesë në punën e Kolegjiumit për çështje relevante, duke ruajtur plotësisht autonominë, kolegjialitetin dhe përgjegjësinë kolektive të këtij organi drejtues të BE-së”, thuhet më tej në dokument.
Nëse një komisioner do të merrte detyrën në Bruksel përpara se vendi i tij të bëhej zyrtarisht anëtar i BE-së, kjo do të ishte një lëvizje që bëhet për herë të parë në historinë e Unionit.
Po ashtu, Komisioni Evropian njoftoi se do t’u ofrojë vendeve kandidate një integrim gjithnjë e më të thellë në tregun e vetëm, ndërkohë që ato zbatojnë reformat e brendshme të kërkuara për anëtarësim në Bashkim Evropian.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat