Veshjet popullore – dëshmi e kulturës, traditës dhe historisë sonë

Veshjet popullore përveçqë paraqesin karakteristikat e veçanta të një populli dhe shprehin idealin estetik të një periudhe, ato njëkohësisht ruajnë edhe dëshmojnë kulturën, traditën dhe historinë tonë përgjatë shekujve

Arnisa Gjeka

Ulqini, qyteti ynë i lashtë, djep i kulturës shqiptare, ishte gjithnjë shënjestër e sunduesve. Me gjithë pushtimet shumëshekullore, nën të cilat është gjendur qyteti ynë, ai arriti të ruante çdo veçanti të tij. Njëra ndër to janë e dhe veshjet popullore në Ulqin dhe rrethinën e tij.
Secila prej veshjeve ka nga një karakteristikë që e dallon nga të tjerat, duke treguar lashtësinë dhe origjinalitetin e vet. Në Ulqin mund të dallojmë sot lehtësisht disa veshje popullore, por që nuk mund të përfundohet që janë të të gjitha.

Veshja tradicionale e Ulqinit
Nuset dhe gratë veshin këmishën, dimitë dhe brezin prej mëndafshi. Xhamadani është i qepur me kadife dhe i qëndisur me margaritarë. Nuset vendosin në kokë “hilallëkun”, të zbukuruar me margaritarë. Është një ndër veshjet më të reja, krahasuar me veshjet e tjera në Ulqin. Meqenëse mjaft e re, është veshje shumë e njohur.

Veshja e Anës së Malit
Nuset dhe gratë e reja veshin këmishë të endur prej pambuku ose mëndafshi. Përparësja (bohçja) endet me vija të ndryshme. Brezi është i ngushtë. Në përparëse e breza paraqiteshin motive të skematizuara të gjarprit, duke treguar kështu prejardhjen e vet ilire. Ato veshin xhamadan të zi ose të kuq.

Veshja e Krajës
Kjo veshje bartet nga vajzat e reja dhe gratë e martuara. Ato veshin këmishë të bardhë. Kanë grykën prej pëlhure. Përparësja (bohçja) është prej pambuku, me vija të gjera vertikale. Në bel vendosin brezin e ngushtë. Mbi këmishë vishnin xhamadan të zi ose të kaltër. Në kokë, gratë vendosin “kordele” të qëndisur, ndërsa flokët i mbulojnë me degërmi të bardhë.

Veshja malësore
Xhubletat e grave punohen prej kadifeje të zezë. Te xhubleta dhe brezi prej lëkure paraqitej shqiponja në formë natyrore ose e stilizuar. Veshjen e shoqërojnë këmisha, brezi, shamia dhe stolitë e tjera për zbukurim. Xhubleta e grave të Malësisë së Madhe, siç vërejti F. Nopça, “na del që te një figurë prej dheu e periodës neolitike”. Është veshja më e lashtë në Ulqin.

Veshja e Shestanit
Thuhet se kjo veshje ka ngjashmëri me atë të gruas ilire nga Dimali – Shqipëri, nga shekulli III-II p.e.r. Gratë veshin këmishë të bardhë e përparëse të vogël. Mbi këmishë vishet zhguni, që ka mëngë të gjata. Mbizotëron ngjyra e kuqe.

Veshja bregasore
Nuset veshin këmishë të mëndafshtë e përparëse dhe vendosin shami. Mbi këmishë veshin gunën, të qepur prej shajaku kuq e zi. Vendosin shumë stoli rreth qafës dhe duarve. Veshin bohçe të kuqe.
Veshjet popullore përveçqë paraqesin karakteristikat e veçanta të një populli dhe shprehin idealin estetik të një periudhe, ato njëkohësisht ruajnë edhe dëshmojnë kulturën, traditën dhe historinë tonë përgjatë shekujve.

(Autorja është nxënëse e dalluar e Gjimnazit të Ulqinit)

Të fundit

më të lexuarat