Pushteti qendror ndihmonte aksionin e kryqëzimit të shqiptarëve

Pushteti qendror i Malit të Zi jo vetëm që ishte i njoftuar për kryqëzimin e shqiptarëve, por edhe i ndihmonte zyrtarët shtetërorë në Krahinën e Plavës e Gucisë me të gjitha mjetet që kishte në dispozicion, madje ndante edhe mjete në të holla për përkrahjen e këtij aksioni

Hajrullah Hajdari

(vijon nga numri i kaluar)
Krahinori Jovan N. Pllamenac, më 21 mars 1913, me telegram e njofton ministrin e Punëve të Brendshme Jovan S. Pllamenac, se nga kapedani i Gucisë, Dragoviq, ishte njoftuar se sot të gjithë banorët e qytezës do të kalojnë në fenë ortodokse, ndërsa nesër të gjitha fshatrat rreth Plavës. Po ashtu, njoftonte se nga Vuthajt 17 familje kishin kërkuar të bëheshin ortodoksë, ceremonia do të kryhej nesër, e kjo vërtetohet edhe me telegramin e datës 23 mars 1913.
Brigadieri Avro Cemoviq nga Gucia i dërgon telegram, me numër zyrtar, datë 23 mars 1913, zëvendësministrit të Arsimit dhe Punëve Kishtare, ministrit të Brendshëm Jovan S. Pllamencit (Po aty), me këtë përmbajtje:

T E L E G R A M
Nr. zyrtar 23 mars 1913
Nga Gucia në Cetinë
MINISTRIT TË PUNËVE TË BRENDSHME
C E T I N Ë
“Mbasi numri i të kryqëzuarve në Kapetaninë e Plavë-Gucisë, prej se kam ardhur këtu, është shtuar në 3 mijë veta, është e domosdoshme të urdhëroni dhe të dërgoni për këtë Kapetani disa klerikë, të cilët do të mësonin popullin në punë të fesë dhe do të luanin rolin policor. Atyre do t’u jepja disa ushtarë si përcjellje”Brig. Avro Cemoviq

Se sa ishte numri i të konvertuarve në fenë ortodokse, nuk ka shënime të sakta. Megjithatë, pushteti i Malit të Zi ishte vënë në hall pasi numri i të konvertuarve po rritej dhe për këtë arsye duhej rritur numrin e klerikëve. Për këtë arsye krahinari Jovan Pllamenac, nga Peja i dërgoi ministrit të Brendshëm në Cetinë (DACG, MUD, 1913, tel. 1722/23 mars 1913) telegramin nr. 1722, datë 23 mars 1913, me këtë përmbajtje:

T E L E G R A M
Nr. 1722 datë 23 mars 1913
Nga Peja në Cetinë
KRAHINARI JOVAN PLLAMENAC PEJË
MINISTRIT TË PUNËVE TË BRENDSHME
CETINË

Meqenëse popullsia e komunave të Vuthajve, Vojnosellës dhe Brezovicës, të Kapetanisë së Gucisë, kaluan në fenë pravosllave, është e nevojshme që atje të dërgohen 3 klerikë për të bërë ceremoninë fetare dhe për të kryer në të njëjtën kohë detyrën e mësuesve.
Jovan Pllamenac
Zëvendëskrahinari Filip Protiq, më 25 mars 1913, po ashtu, me telegram e njofton ministrin e Punëve të Brendshme në Cetinë, se “atë ditë, në kishën e këtushme, e përfaquan fenë pravosllave 15 kryefamiljarë të Arzhanicës së Epërme në krye me bajraktarin Arif Tahiroviqin – Gjekiq, pasi paraprakisht u kryen të gjitha formalitetet”. (Po aty, tel. 1139/25 mars 1913)
Përveç rasteve të përshkruara, të cilat në dokumentet arkivore paraqiten si përqafim “vullnetar” i konvertimit në fenë ortodokse, nga disa dokumente arkivore mund të konstatohet se konvertimi me vullnet ishte i “kushtëzuar“ me arritjen e një qëllimi të caktuar, në shumicën e rasteve për të shpëtuar nga ndonjë e keqe edhe më e madhe. Në këtë kontekst po përmendim rastin e Joro Novoviqit nga Arzhanica e Epërme, i cili i drejtohet Drejtorisë Mbretërore Krahinore në Andrijevicë dhe kërkon që të angazhohet në rrugë zyrtare për kushëririn Ulo Novoviq, i cili gjendet si peng në Nikshiq, pasi familja e tij dëshiron të kalojë në fenë pravosllave dhe i lutet që i përmenduri të lirohet me qëllim që të kalojë në fenë e tyre e së bashku me Ulon edhe familja e tij. Natyrisht, zëvendëskrahinori Filip Protiq, për këtë rast e njofton ministrin e Punëve të Brendshme dhe kërkon që lutja t’i plotësohet. Për të njëjtën arsye, bajraktari Arif Tahiroviq i drejtohet Drejtorisë Mbretërore Krahinore në Andrijevicë, dhe kërkon, pasi kishin kërkuar të kalonin në fenë pravosllave, t’i lironin djalin e tij Zhujë Tahiroviqin, i cili gjendet peng në Nikshiq, në mënyrë që edhe ai të kaloje në fenë pravosllave. Në emër të tij kërkesën e nënshkroi Tomica Fatiq.
Nga këto pak raste që përmendëm mund të konstatohet se nuk kemi të bëjmë me ndërrimin e fesë me vullnet. Nga ana tjetër, po ashtu mund të konstatohet se pushteti malazez ishte në dijeni të plotë se ishte ndaluar predikimi i fesë islame dhe përdorimi i objekteve fetare, se objektet fetare gjuheshin me gurë apo u vihej zjarri, se po ndiqeshin të gjithë ata që për shkak të reprezaljeve nga organet e pushtetit vendor dhe se merreshin peng, burgoseshin, torturoheshin e vriteshin.
Veprimet e tilla të pushtetit vendor i vunë shqiptarët para një vendimi sa të vështirë aq edhe human, sepse për të shpëtuar jetën e vet dhe të familjarëve të tyre duhej të pranonin kalimin me “vullnet” në fenë pravosllave. Për një gjysmë viti shteti nuk reagoi kundër veprimeve të dhunshme ndaj shqiptarëve, përkundrazi e nxiti pushtetin vendor dhe pushtetarët, nuk mund të thuhet në mënyrë të heshtur, që në bashkëpunim me klerikët pravosllavë të kryenin formalitetet e konvertimit.

II. 3. A ishte në dijeni mbreti Nikollë ?
Pushteti qendror i Malit të Zi jo vetëm që ishte i njoftuar për kryqëzimin e shqiptarëve, por edhe i ndihmonte zyrtarët shtetërorë në Krahinën e Plavës e Gucisë me të gjitha mjetet që kishte në dispozicion, madje ndante edhe mjete në të holla për përkrahjen e këtij aksioni. Në lidhje me këtë po përmendim telegramin e krahinarit të Pejës, Jovan N. Pllamenac, dërguar ministrit të Punëve të Brendshme në Cetinë, Jovan S. Pllamencit, më 21 mars 1913, i cili ndër të tjera shkruante: “… Paraqitja e përditshme për të kaluar në fenë ortodokse e fshatrave të tëra parashtron nevojën që të gjithë klerikët e mësuesit të vendosen në shërbim të këtij akti të shenjtë. Siç e dini, deri më sot në fenë ortodokse kanë kaluar afër 5.000 veta dhe të gjitha mjetet që i kam pasur në dispozicion, i kam vënë në shërbim të kësaj çështjeje. Para që me kujdes i kam përdorur për këtë çështje, nuk kam, prandaj kam nderin që t’i propozoj Ministrit që të caktojë fondin nga i cili, në mënyrë të arsyeshme, do të shpërbleheshin disa të kryqëzuar të vobektë. Kjo është më se e nevojshme dhe kushti më kryesor për suksesin e mëtutjeshëm të kësaj pune.“ (DACG, MUD, 1913, tel. pa nr. 21 mars 1913) Është dokumentuar se shteti ua paguante shpenzimet e kryqëzimit, organeve lokale e shtetërore apo kujtdo që paraqiste dëshmi mbi shpenzimet e kryera. Kjo dokumentohet nga fatura e tregtarit Joko Drekaloviq, i cili për shpenzimet e bëra për familjet e kryqëzuara (kishte dhënë raki, kafe e ushqim) i paraqiti për pagesë Drejtorisë së Rrethit në Beran, më 14 maj 1913, faturën me vlerë prej 176 perperësh. (Po aty, tel. 4 maj 1913) (vijon)

Të fundit

më të lexuarat