Detin e kam në gjak, deti është jetë

l indur në Ulqin, më 1939.
Bahri Çaushi e vazhdoi traditën detare familjare. Gjyshi ishte detar me barka me vela. Baba ishte detar-tregtar me barka me motor. Bahriu lundroi me vapore sipër oqeanikë. Traditë e bukur, gjeneratë pas gjenerate…

TË PARËT

  • Gjyshi ishte MALUSH Çaushi, emrin e vërtetë e ka pasur SMAIL, o kështu e kanë thirr. Ai ka qenë kapedan me vela. Ka vdekur me 1961-sene, 86-vjeç. Ka punë me anije me të vëllanë, me ALI Çaushin, edhe ai ka vdekur. Veç me t’ rrejt, s’e di kur ka le e kur ka vdekur. Kanë punuar bashkë në det. Kanë vozitë, në atë kohë, për Shqipëri, për Aleksandri, Tarabulluz (Tripoli), Stamboll etj.… Kanë bajtur gjithfarsej malli. Kanë transportuar: dërrasa, dru, pi këtu, pi Boke, Dalmacie…
    Detar ka qenë edhe axha RIZA Çaushi, i cili ka punuar me jahtin e mbretit Faruk të Egjiptit, me shumë ulqinakë të tjerë si: Ganush Ishmi, Ahmet Harapi – Shepeteja, Malo Hoxha, Muho Pulti e të tjerë.
    Unë, si nip i tyre, jam krenar me ta dhe kam shkuar mbas gjurmëve të tyre.
    Baba – Meto Çaushi
  • Me det është marrë që në fëmijëri. Ka punuar në tregti. Në Kotorr e ka pasur “duganjën” e vet të cilën e kanë quajtur :”Radnja arbanasa”. Ende është mbishkrimi: “Çaush Meto”. Ka punuar me gjyshin (babën e vet), kur e ka lanë detin. Kur i janë vendosur themelet Krypores, ai me gjithë vëllezërit e tij ka punuar aty deri në pension.

BAHRIU
Fillimi – peshkimi – Më 1957, kam filluar si i ri me peshkim profesional, me fllugë me rrema, në “Ribarsko preduzeqe – Bojana” – Ulqin. Kam pune deri në mbarim të ’59-tës, kur shkova në shërbim ushtarak. Në peshkim kam qenë me peshkatarët e moçëm: Hamdi Dema, Dulo Muharremi, Asllan Zyberi – Qiroja, Januz Zyberi, vëlla i tij, e të tjerë. Ka qenë kohë e vështirë: pa çizme, pa çorapë, pa ndërresa. Varfëri, por – nevoja. Në atë kohë, deti, peshkimi aq ka qenë i pasur me peshk sa Ulqini e ka furnizuar me peshk prej Ulqinit deri në Dubrovnik, me tanë llojet e peshku ma kualitetativ si: hame, lojba, blinj, levrek, qefull, korba. Prej ati zenjinllëkut peshkatarët kanë jetuar vështirë, vështirë. Ajo më ka bërë, mbas kthimit ushtarak, mos ta vazhdoj më atë punë (peshkimin), por ta vazhdoj punën (lundrimin) e gjyshit. Ai, pastë rahmet, më thoshte: “Askush nuk më ka trashëguar – vetëm ti!” Nga ai vit, 1962, deri në pension, 1998, kam qenë në det, në anije. Për ushtrinë s’kam çka të flas; edhe atje isha në njësinë marinar; tre vjet, 30 muaj me anije dhe e kam pasur lehtë, kam qenë mbi det.

“Shkova në det”

  • Më 1962, mbas ushtrie – shkova në det. Gjendja ekonomike ishte e vështirë; isha i detyruem t’i siguroj vetes ekzistencën; e zgjodha detin, detarinë, si traditë të të parëve dhe ulqinakëve. Shkova në Kotorr. U paraqita në sipërmarrjen “Lovqen”, në të cilën më pranuen me shpejt, sepse në atë sipërmarrje ishin 70-80 ulqinakë që ishin 70-80% të punëtorëve të asaj sipërmarrrje. Tanë ulqinakët kanë qenë të çmuem shumë si detarë.

”Lesendro”

  • Anija e parë në të cilën jam barkue isht qujtë ”Lesendro”, 140-tonash. Kuptohet – u bana marinar. Si muço kam mësue shumë prej kapidanit Enver Begut, baba i Hajro Nimanbegut. Ai ka qenë beg i vërtetë, më të tana karakteristikat. Në “Lovqensko preduzeqe” – Kotorr, kam punue në barkat “Lesendro”, “Zelenika” dhe në nja dhetë të tjera. Ka qenë lundrim bregor: prej Kopri, Rijeka deri në Ulqin dhe anasjelltas. Kemi bajtë gjithfarë malli: trenj, dërrasa, çimento ma tëpër; ranë prej Metkoviqit (lumi Neretva) për Dubrovnik, Budva, gjithsekejt nëpër bregdet. Në këtë lundrim kam punue nja dy vjet.

Jashtë shtetit

  • Mandej kam shkuar jashtë shtetit. Jam punësuar në “Jugooceanija” të Kotorrit dhe jam nisur në lundrimet sipëroqeanike. Lundrimi i parë, pagëzimi i parë me oqeane, ka qenë në anijen “Kozara”, e cila ka punuar me qymyr; ka qenë 7000-tonash. Mbas kësaj kam lundrue me anijet të cilat kanë lundruar për Amerikën Veriore. Ishte anija “Boka” me të cilën për herë të parë kam shkue në Amerikë. Jemi gastue në Pensa-Cola, në Florida. Më isht dukë – si Amerika, si në ëndërr! Ashtu – hera e parë, mandej si diçka e zakonshme, sepse kemi pasur pajada vijaxho për Amerikë. Gjatë lundrimeve kam qenë prej Italie deri në Japoni. Të arrish në Japoni, nëpër Suez, duhen 20-25 ditë e net lundrim, ndërsa për Amerikë, nëpër Gjibraltar, duhen 10 ditë e net lundrim.
    Shtetet, vendet që kam qenë e pa: India: Bombei, Kalkuta; Japoni: Tokio, Jokohama; Kanada: Halifaks, Beikano; Kuba: Havana, vetëm një herë. Kam bërë qejf gjithkund se, kur je i ri, e ke pare, ka qenë bukur gjithandej, sidomos në Gjermaninë Lindore, Algjeri, Maroko.
    Kështu kam lundruar 20 vjet.

Trupi këtu – shpirti në det

  • Pushova lundrimet shkaku i familjes: gruaja, fëmijët, kur filluan të rriten, të shkojnë në shkollë.
    Trupi – këtu e shpirti në det. Por më afër janë fëmijët se dëshira.

Avaria në oqean

  • Në Oqeanin Atlantik na zuri moti i lig, ka mbajtur 4-5 ditë e net. Ishim në vijaxho nga Amerika duke shkuar për Holandë. Anija nisi të shkatërrohet, të pësojë avari.
    Kapedani kërkoi ndihmë, por, në pozitë ku ishim, ishte e pamundur të avitej, të na vinte kush në ndihmë. Mbas katër ditësh ra era dhe na erdhën në ndihmë dy rimorkiatorë dhe na gërguan (tërhoqën) e na qitën në portin Halifaks, në Kanada. Aty qëndruam deri sa u riparua anija dhe, pasi qëndruam 25 ditë në shkiverrë, u nisëm për Holandi. Ngarkesën e saj nuk e humbëm, e transportuam në Evropë.

Profecia e gabeles

  • Gabelja, në Uqin, në oborr, para se gjeta punë, detar, lundrues, më qiti fall dhe më tha: “Do t’ nisesh në një rrugë të gjatë, ke me qenë në rrezik të madh, do të vijë shpirti të të dalë, por do të shpëtosh, mandej do të gëzohesh shumë. Për çudi, ndodhi ashtu siç e parathashë. Pra, lundrova, isha duke u mbytur në oqean, por shpëtuam. Kur dolëm në tokë, e mora lajmin – isha bërë me djalë.

Ada
Në Adë kam nisur të punoj më 1977, deri në pension. Kam punuar në trap, kalimin e Bunës prej Shtojit në Adë, me dy flluga me motorë, të lidhura me një çardak. Kam punuar me Asllan – Bajuk Dermon, Fejzo Bushatin, Ruzhdo Kaharin… Ka qenë shoqëri e mrekullueshme!

Deti në gjak
Bahri Çaushi, detar i pensionuar, mediton: – Detin e kam në gjak. Ma tepër kam ujë deti në trup, se gjak. Barkat i shoh në gjumë çdo natë. Pa e parë detin çdo ditë, pa dalë bar një herë në breg të Ranës, më luajnë mendtë e kresë. Ai që s’ ka qenë në det, s’ e di çka është vështirë e as çka është mirë. Deti është një shkollë e madhe. Deti është jetë. Nesër me ba me qenë ajo kohë që ka qenë dikur, do të shkoja në det.

Bahri Çaushi e vazhdoi traditën detare familjare. Gjyshi ishte detar me barka me vela. Baba ishte detar-tregtar me barka me motor. Bahriu lundroi me vaporë sipëroqeanikë.
Por, Bahriu doli në pension.
Kush do ta vazhdojë traditën detare familjare?
Detari i pensionuar thotë:

  • Djemtë, tre, e duan detin, por ekzistenca i ka orientuar në hotelieri edhe, për mua është më mirë, i kam afër vetes, të sigurt.
    Ndërroi jetë ditë më parë. Pastë hirin e Zotit!

Hajro Ulqinaku

Të fundit

më të lexuarat