Kurti: Ulqini është shembull i rezistencës dhe vullnetit për ta ruajtur identitetin dhe kulturën

“Duke vepruar në drejtim të avancimit të drejtave universale të njeriut, të rëndësisë së bashkëjetesës, punohet në krijimin e një shoqërie më të qëndrueshme dhe stabile të Malit të Zi dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor. Mali i Zi dhe Republika e Kosovës ushqejnë marrëdhënie të mira, zhvillojnë dhe forcojnë bashkëpunimin rajonal në të gjitha sferat me interes të përbashkët”, është shprehur ministri i të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Fatmir Gjeka

Prishtinë – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka rikonfirmuar lidhjet e veçanta midis Kosovës dhe Ulqinit, ku ka marrë pjesë në programin solemn “Dita e Ulqinit – Folklori i Ulqinit”, organizuar në Prishtinë nga Ambasada e Malit të Zi në Kosovë, në bashkëpunim me Komunën e Ulqinit dhe Organizatën Turistike të Ulqinit.
“Ulqini është më shumë se sa një qytet bregdetar. Ai është një shembull i rezistencës dhe vullnetit për ta ruajtur identitetin dhe kulturën për mijëra vjet. Monumentet e tij, si Kalaja dhe qyteti i vjetër i Shasit, janë dëshmi të jetës dhe kulturës së shkëlqyeshme të këtij qyteti ndër shekuj’’, u shpreh kryeministri.
Ndërkohë, nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, thuhet se duke e përkujtuar historinë tonë të përbashkët, kryeministri veçoi se nuk mund të shpërfillim rolin e jashtëzakonshëm që Ulqini ka luajtur për qytetarët e Kosovës gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
“Mirënjohja ime shkon përtej fjalëve drejt Malit të Zi për mikpritjen dhe ndihmën e jashtëzakonshme që iu ofrua shqiptarëve të Kosovës në momente të vështira historike’’, shtoi ai më tej.
Kryeministri i Kosovës ka folur edhe për bashkëpunimin e ngushtë me Malin e Zi, duke thënë se kjo është dëshmi e përpjekjeve tona për të ndërtuar një rajon e një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët pa dallim, teksa theksoi se duke shtuar investimet dhe bashkëpunimin në fusha të ndryshme, si politika, ekonomia dhe kultura, synojmë të thellojmë marrëdhëniet tona.
Ndërkaq, Kurti ndër të tjera ka thënë se me Ulqinin ka edhe një raport të ngushtë personal e familjar.
“Për mua Ulqini ishte deti i fëmijërisë dhe i rinisë, deri kur jam bërë gati 30 vjeç, unë s’kam shkuar për pushime verore në ndonjë bregdet tjetër. Nga Plazhi i Vogël te Plazhi i Madh, nga Galebi i Albatrosit te Otranti e Lidoja, nga Kalaja mahnitëse te Kriporja e deri te lumi Buna, e sidomos nga lagjja Gjerana kam kujtime aq të bukura përgjatë rritjes dhe formimit tim sa edhe të panumërta”, kujtoi ai.
Ndërkaq, ministri i të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Fatmira Gjeka, duke marrë pjesë në aktivitetin në shenjë të falënderimit ndaj qytetarë/eve të Kosovës ka thënë se Mali i Zi nëpërmjet nismave dhe programeve të ndryshme, punon në promovimin e rëndësisë së tolerancës së ndërsjellë, historisë dhe të artit të pakicave.
“Duke vepruar në drejtim të avancimit të drejtave universale të njeriut, të rëndësisë së bashkëjetesës, punohet në krijimin e një shoqërie më të qëndrueshme dhe stabile të Malit të Zi dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor. Mali i Zi dhe Republika e Kosovës ushqejnë marrëdhënie të mira, zhvillojnë dhe forcojnë bashkëpunimin rajonal në të gjitha sferat me interes të përbashkët”, është shprehur ministri i të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Fatmir Gjeka.
Ai më tutje ka thënë se, Mali i Zi, që nga fillimi i rrugës së tij të integrimit, është përpjekur që me përvojën e vet t’i ndihmojë shtetet të cilat janë në fillim të pranimit në Unionin Evropian.
Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë mbi pesëqind zyrtarë nga Kosova dhe Mali i Zi nga fusha e turizmit, hotelerisë dhe ekonomisë.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat