Çmimin për Vepër Jetësore “Teuta”

“Njëri ndër poetët më të rëndësishëm malazias, krijimtaria e të cilit me mesazhet universale la një vulë të pashlyeshme në kulturën malaziase dhe e radhiti atë ndër poetët më të shquar. Librat e tij janë urë lidhëse midis njerëzve dhe kombeve dhe poeti i tyre është ndër yjet më të shndritshëm në qiellin poetik të Malit të Zi“, thuhet në motivacionin për ndarjen e Çmimit shkrimtarit Sreten Peroviq

Podgoricë – Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve “Teuta” i ka ndarë Çmimin për Vepër Jetësore “Teuta” akademikut malazez Sreten Peroviq, me motivacionin “Njëri ndër poetët më të rëndësishëm malazias, krijimtaria e të cilit me mesazhet universale la një vulë të pashlyeshme në kulturën malaziase dhe e radhiti atë ndër poetët më të shquar. Librat e tij janë urë lidhëse midis njerëzve dhe kombeve dhe poeti i tyre është ndër yjet më të shndritshëm në qiellin poetik të Malit të Zi“.
Për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, çmimi iu është dorëzuar vajzave të shkrimtarit Peroviq, në një ceremoni të mbajtur të premten (22 mars 2024) në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Duklës në Podgoricë.
Kryetarja e SHRSH “Teuta”, Ajete Beqiraj, ka thënë se me Çmimin “Teuta” ne më shumë nderohemi sesa nderojmë dhe jemi krenarë me të 11 laureatët tanë, shkrimtarë të shquar shqiptarë dhe malazias.
Në emër të familjes, Milica Peroviq, vajza e shkrimtarit Sreten Peroviq, ka falënderuar SHRSH “Teuta” për njohjen e kontributit të babait të tyre “për kulturën, artin dhe shoqërinë në përgjithësi si dhe përpjekjet e tij të vazhdueshme për paqe”, duke e vlerësuar atë meritor për këtë çmim.
Përfaqësuesit e SHRSH “Teuta”, Ajete Beqiraj dhe prof. Dimitrov Popoviq, janë pritur nga kryetari i Akademisë së Duklës, Bllagota Erakoviq, dhe akademikët Zuvdija Hoxhiq – Berisha, prof. Dragan Mitov dhe Prof. dr. Mihaillo Buriq.
“Jemi tejet të lumtur që sot keni ardhur të vlerësoni shkrimtarin tonë të madh, njërin ndër themeluesit e kësaj akademie si dhe kryetarin e deritanishëm, Sreten Peroviq”, është shprehur kryetari Bllagota Erakoviq, duke e cilësuar këtë si një gjest të mrekullueshëm.
Me këtë rast, Shoqata “Teuta” i ka dhuruar familjes edhe librin me poezi të zgjedhura të Peroviqit ”Në pragun e përjetësisë“, shqipëruar nga Qazim Muja dhe Smajl Smaka, botim i kësaj shoqate, si dhe kompletin e librave të saj Akademisë së Duklës.

i. k.


11 laureatët e Çmimit “Teuta”

Çmimi për Vepër Jetësore ”Teuta“ ndahet në kuadër të Manifestimit Letrar Trekufitar ”Muzat e Alpeve“, i cili organizohet nga SHRSH “Teuta” e që përgjatë njëmbëdhjetë viteve është mbajtur në 25 qytete të Kosovës, Mali të Zi dhe Shqipërisë. Edicioni i 11-të i këtij manifestimi, i cili ka filluar në vitin 2013, është mbajtur në Suha Rekë dhe Lushnje.
Laureatë të Çmimit “Teuta” janë shkrimtarët Jevrem Bërkoviq, Dritëro Agolli, Ramiz Kelmendi, Mirash Martinoviq, Moikom Zeqo, Nazmi Rrahmani, Zuvdija Hoxhiq – Berisha, Xhevahir Spahiu, Rexhep Qosja, Zija Çela dhe Sreten Peroviq.

Të fundit

më të lexuarat