Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Trojet Tona” këtë here i ka bërë jehonë këngës dhe valles shqiptare në Itali, duke prezantuar edhe traditat e Anës së Malit në një festival ndërkombëtar të zhvilluar në Lido di Jesolo.
Pjesëmarrja e këtij ansambli në aktivitete kulturore jashtë trojeve shqiptare tashmë nuk përbën një të veçantë, pasi shqiptarët, të shpërndarë në shumë vende të botës, kanë bërë që kënga, vallja dhe traditat kombëtare të udhëtojnë bashkë me ta. Mërgimi ka shtuar edhe më shumë mallin për kulturën shqiptare, duke nxitur organizime të shumta kulturore e artistike. Por e veçantë mbetet kur vetë festivalet ndërkombëtare u japin hapësirë kulturave të huaja dhe bëjnë pjesë të programit të tyre edhe traditën shqiptare.
I tillë ishte edhe festivali i fundit ku mori pjesë Ansambli “Trojet Tona”, duke i dhënë publikut italian mundësinë të dëgjojë këngën shqiptare dhe të shohë nga afër vallet tradicionale.
Kryetarja e Ansamblit “Trojet Tona”, Amra Demiri, për “Kohën javore” tregoi detajet e këtij udhëtimi dhe pjesëmarrjeje.
“Udhëtimi është bërë me avion prej Tiranës në Venecia. Kemi qëndruar në Lido di Jesolo tri net, ndërsa festivali është zhvilluar në fillim të muajit tetor në Lido di Jesolo. Ka qenë festival internacional, jo konkurrues, ku kanë marrë pjesë grupe nga Kroacia, Sllovenia, Polonia dhe Costa Rica”, u shpreh Demiri.
Ajo vlerësoi veçanërisht atmosferën dhe bashkëpunimin mes grupeve pjesëmarrëse, duke theksuar se kjo përvojë ka qenë një tjetër mundësi për të promovuar kulturën shqiptare jashtë vendit.
“Përshtypjet kanë qenë shumë të mira. Kemi kaluar mirë si grup, jemi shoqëruar edhe me grupet e tjera dhe atmosfera ka qenë shumë e mirë”, tha ajo.
Në skenën e festivalit, “Trojet Tona” u paraqit me Vallen e Dinoshës, Xhemilen dhe Vallen e Flamurit, duke sjellë për publikun ritmet, kostumet dhe bukurinë e traditës së Anës së Malit.
Përmes këtyre pjesëmarrjeve, Ansambli “Trojet Tona” vijon misionin e tij për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare, duke e bërë këngën dhe vallen e Anës së Malit pjesë të skenave ndërkombëtare. Italia ishte kësaj here vendi ku kjo traditë u prezantua me krenari, duke dëshmuar edhe një herë se kultura shqiptare, pavarësisht kufijve, vazhdon të udhëtojë dhe të gjejë duartrokitje kudo ku prezantohet.
Dafina Teliqi – Rexha
