
(vijon nga numri i kaluar)
Për të pasur një pamje më reale mbi rrjedhën dhe ngjarjet në seminar, po japim shënimet për sjelljen konkrete të çdonjërit. Edhe këtë radhë do të fillojmë nga shfaqjet më ekstreme, e kjo do të thotë përsëri nga M. Bardhi.
Bardhi ka diskutuar disa herë, bile edhe pa kërkuar falje u ka ndërhyrë të tjerëve në fjalë. Ai ka folur për, gjoja, mosrespektimin e dispozitave për zbatimin e administratës dygjuhësore, duke pyetur në mënyrë tedencioze se kur, si shqiptar, më në fund do të mund të fitojë letërnjoftimin, dëftesën, certifikatën e lindjes dhe dokumentet e tjera në gjuhën e tij shqipe, si dhe kur do të mund që mbiemrin e tij ta shkruajë në gjuhën e pastër shqipe? Po ashtu ka pyetur pse rubrikat në ditarin e shkollës nuk shkruhen në të dy gjuhët, ndërsa emrat e fëmijëve kryesisht në gjuhën shqipe (së pari emri e pastaj mbiemri). Ka fyer disa pjesëmarrës në seminar, duke iu thënë se nuk dinë asgjë, sepse në jetën e tyre nuk kanë lexuar asnjë libër nga ndonjë shkrimtar shqiptar. Ka pyetur: Pse në Mal të Zi dhe Serbi nuk mësohen shkrimtarët shqiptarë “kur fëmijët shqiptarë i mësojnë të tyrit, si Njegoshin etj”. Ka përmendur edhe Vuk Karaxhiqin dhe ka thënë se ai nuk ka dhënë asnjë kontribut për gjuhën shqipe, e megjithatë mësohet në shkollat në gjuhën shqipe. Duke folur për ndryshimet e planprogrameve ka theksuar se deri tani kemi qenë në lajthitje. Gabimisht ua kemi shpjeguar nxënësve historinë. Në histori nuk duhet të theksohet se malazezët i kanë çliruar këto territore, por i janë aneksuar Malit të Zi me vendimet e Kongresit të Berlinit”.
Në fund të seminarit, Bardhi përsëri, në mënyrë tedencioze, iu është drejtuar organizatorëve me këto fjalë: Ndoshta është më mirë të mbyllen të gjitha shkollat në gjuhën shqipe, sepse miratimi i këtyre dispozitave (mbi ndryshimin dhe plotësimin e planprogrameve, të cilat i eliminojnë disa shkrimtarë shqiptarë) nuk paraqet asgjë tjetër përveçse pengim të punës së shkollave në gjuhën shqipe.
Mehdi Alaj, mësues nga Katërkolla, ka folur për atë se Republika duhet të nxjerrë një dekret me të cilin të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Mal të Zi, në fund të mbiemrit, t’ua heqë prapashtesat “viq“ dhe “iq” dhe të quhen ashtu siç janë quajtur dikur (kjo provokoi aprovim të zhurmshëm të një numri të pranishmëve). (DACG, AO Ulcinj, F. SKJ, 1981, Informatë, pa nr., e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror, me rastin e organizimit të Seminarit për punonjësit e arsimit (albanalogëve dhe historianëve nga territori i komunave të Ulqinit dhe Tivarit), mbajtur në Ulqin, më 26 dhe 27 shtator 1981) Ka kërkuar shpjegim se çka do të thotë romantizmi shqiptar? A është pikërisht ajo që kërkojnë shqiptarët – administratën në gjuhën e tyre apo diçka tjetër? Ka dhënë vërejtje për disa libra, konkretisht për tekstin “Dituri shoqërie”, duke theksuar se atje thuhet “se ne e kemi prejardhjen nga sllavët e jugut, ndërsa duhet të thuhet se ne rrjedhim nga ilirët – banorët më të vjetër të Ballkanit”. (DACG, AO Ulcinj, F.SKJ, 1981, Informatë…, fq. 7)
Është karakteristike të përmendet një detaj: kur Fadil Taipoviqi, duke u përgjigjur në disa pyetje të Alajt, në një moment ka thënë shoku Alloviq (ashtu siç ai është quajtur më parë), ai ka reaguar shumë ashpër dhe si i pacipë është përgjigjur: “Unë nuk jam Alloviq, por Alaj”.
Duke marrë pjesë në diskutim, Bajram Rexha, albanolog në Qendrën Shkollore në Ulqin, ka shprehur mendimin se në planprogramin mësimor duhet të ruhet “status quo”-ja, duke theksuar se ideologjia është e përfaqësuar dhe për këtë arsye nuk duhet të ndryshohet asgjë. Sipas fjalëve të tij, drafti paraprak i planprogramit të ri do ta cungojë letërsinë dhe historinë shqipe, për të cilën arsye nuk duhet ta pranojnë (programi i vjetër ka paraparë mësimin e disa shkrimtarëve shqiptarë).
Tahir Pereziqi, profesor i Qendrës Shkollore në Ulqin, ka folur për atë se është e paarsyeshme që fëmijët në një shkollë të Ulqinit, të cilët mësimin e vijojnë në gjuhën shqipe, janë të obliguar që të mësojnë edhe gjuhën serbokroate, ndërsa, përkundër kësaj, fëmijët në shkollën tjetër, të cilët mësimet i vijojnë në gjuhën serbokroate, nuk janë të obliguar të mësojnë gjuhën shqipe.
Profesoresha e gjuhës shqipe në Qendrën Shkollore në Ulqin, Mejreme Maraj, e ka pyetur Dr. Bozhina Ivanoviqin: “Keni thënë se krajanët nga gëzimi se krajl Nikolla ua ka hequr shkollën kanë shtënë me pushkë dhe kanë therë qengja. Unë e kam për nder që gjyshi im ka qenë pjesë e delegacionit të Krajës që të lusin krajl Nikollën që në Krajë mos të hapin shkollën. Në lidhje me këtë, do t’ju lutesha të më thoni se në cilën gjuhë është dashur të punojë shkolla?!” Pa pritur përgjigjen, ajo vazhdoi: “Ata u gëzuan sepse nuk do të ndiqnin shkollën në gjuhën serbe”. (DACG, AO Ulcinj, F. SKJ, 1981, Informatë…, fq. 7)
Edhe Rexhep Kokaj, arsimtar nga Katërkolla, është angazhuar që nga librat e amzave dhe të gjitha evidencat tjera të fshihen nga mbiemrat e tyre (prapashtesat) “viq” dhe “iq”, duke konstatuar se kjo iu “është qepur” dhe nuk ka qenë dëshirë e shqiptarëve. Për këtë arsye, në të ardhmen duhen të quhen si paraardhësit e tyre e në asnjë mënyrë si deri tani.
(vazhdon)
(Marrë nga libri “Pozita kushtetuese-juridike dhe politike e shqiptarëve në Mal të Zi (1945-1990)”), Art Club, Ulqin, 2021)
