Kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj ka bërë të ditur se është shpallur tenderi për ndërtimin e sallës qendrore të sportit në Sukruq, një projekt i rëndësishëm infrastrukturor që synon zhvillimin e sportit dhe përmirësimin e kushteve për aktivitete sportive në territorin e e kësaj komune.
Salla e re sportive është planifikuar të ketë kapacitet deri në 2000 vende dhe të jetë e përshtatur për zhvillimin e disiplinave të ndryshme sportive, përfshirë futbollin, basketbollin, volejbollin dhe sporte të tjera.
“Me shpalljen e tenderit kemi bërë një hap të rëndësishëm drejt realizimit të një projekti që do t’u ofrojë sportistëve, klubeve, të rinjve dhe të gjithë qytetarëve kushte më të mira për sport dhe aktivitete sportive. Presim ofertat, ndërsa në përputhje me procedurën e tenderit do të përzgjidhet oferta me çmimin më të ulët që i përmbush të gjitha kushtet e përcaktuara”, ka deklaruar Gjelaj.
Kryetari i Komunës së Tuzit ka theksuar se krahas sheshit “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” dhe Arenës “Besa”, edhe salla e re sportive do të marrë një emër në frymën e krenarisë kombëtare, duke e lidhur sportin me historinë dhe identitetin e kësaj treve.
“Pengesat nuk e ndalin Malësinë. Atyre u përgjigjemi me punë, projekte konkrete dhe vazhdimin e zhvillimit të komunës sonë. Ndërtimi i sallës qendrore të sportit përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm në krijimin e një infrastrukture më të mirë sportive dhe mundësive të reja për brezat e ardhshëm”, përfundoi Gjelaj.
(Kohapress)
