Me rastin e 114-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Shqipërisë, 82-vjetorit të Çlirimit të saj dhe 20-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Malit të Zi, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi organizoi të enjten mbrëma, më 19 nëntor 2026, në Qendrën Muzikore të Malit të Zi në Podgoricë, pritjen me rastin e festës kombëtare, të titulluar “Albanian Night Show”. Në këtë ceremoni festive morën pjesë personalitete të jetës politike, përfaqësues të institucioneve të larta shtetërore e diplomatike, si dhe të jetës kulturore dhe shoqërore.
Në fjalën e saj, ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, Zhaklina Peto, nënvizoi rëndësinë e 28 nëntorit të vitit 1912 dhe figurën e atyre që i vunë themelet shtetit shqiptar – Ismail Qemalit dhe delegatëve shqiptarë që shpallën pavarësinë e Shqipërisë.
“Flamuri i ngritur atë ditë mbetet simboli që na bashkon, kudo që jetojmë. Në këtë nëntor, ne nderojmë gjithashtu edhe ata që luftuan dhe dhanë jetën për çlirimin e atdheut dhe të gjithë ata që kontribuuan në ndërtimin e tij. Sakrifica e brezave për liri dhe pavarësi na ngarkon me përgjegjësi për të çuar vendin përpara, duke forcuar demokracinë, garantuar drejtësinë dhe duke rritur mirëqenien e qytetarëve tanë”, u shpreh Peto.
Në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian, Peto tha se Shqipëria i ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave dhe, siç tha ajo, pas vlerësimit pozitiv të përmbushjes së kritereve të ndërmjetme, ka mbyllur përkohësisht katër kapituj.
“Shqipëria mbështet pa rezervë anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian. Mbështesim përparimin në mbylljen e kapitujve dhe punën për hartimin e Traktatit të Anëtarësimit. I urojmë Malit të Zi suksese me synimin e përfundimit të negociatave brenda këtij viti. Suksesi i njërit inkurajon tjetrin dhe i jep shpresë mbarë rajonit”, theksoi Peto.
Këtë vit, shtoi ajo, 20-vjetori i marrëdhënieve diplomatike përkon edhe me 20-vjetorin e rivendosjes së pavarësisë së Malit të Zi.
“Referendumi i 21 majit të vitit 2006 hapi një etapë të re për Malin e Zi. Bashkëkombësit tanë dhanë një kontribut të rëndësishëm në atë zgjedhje historike, të cilën e kujtojmë me respekt dhe mirënjohje. Pas njohjes së pavarësisë së Malit të Zi më 12 korrik 2006, Shqipëria vendosi marrëdhënie diplomatike me Malin e Zi më 1 gusht të vitit 2006”, tha mes tjerash, Peto.
Gjatë këtyre njëzet viteve, theksoi Peto, çdo hap përpara i ka lidhur fort dy vendet.
“Dialogu politik dhe marrëveshjet ndërmjet qeverive kanë lehtësuar lëvizjen, kanë nxitur tregtinë, turizmin dhe kanë forcuar mbrojtjen sociale të qytetarëve tanë. Projekte si hapja e pikës kufitare Zogaj-Skje dhe ndërtimi i urës mbi lumin Buna shprehin ambicie për t’i afruar më tej komunitetet tona dhe për të krijuar mundësi të reja për zhvillim”.
Sipas saj, në themel të këtij bashkëpunimi qëndron besimi i ndërsjellë, i forcuar gradualisht përmes dialogut dhe veprave konkrete.
“Shqipëria dhe Mali i Zi nuk kanë çështje të hapura ndërmjet tyre. Si fqinjë të mirë dhe aleatë të NATO-s, mund t’i përqendrojmë energjitë te mirëqenia e qytetarëve dhe te siguria në rajon.
Këto afërsi ndërmjet dy vendeve tona e ushqejnë çdo ditë edhe lidhjet njerëzore, në të cilat ju, të dashur bashkëkombës, keni një rol të pazëvendësueshëm. Përmes familjeve tuaja, traditës dhe angazhimit shoqëror, ju i keni mbajtur gjallë këto lidhje brez pas brezi. Me mirënjohje sot nderojmë mësuesit, intelektualët, veprimtarët dhe familjet që ruajtën gjuhën, kulturën dhe identitetin shqiptar në Mal të Zi”, u shpreh Peto.
Ndërkaq, në këtë ceremoni solemne përshëndeti edhe zëvendëskryeministri i Qeverisë së Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, i cili, duke folur për rëndësinë e 28 Nëntorit, theksoi, ndër të tjera, se Mali i Zi dhe Shqipëria kanë bashkëpunim të mirë në fushën e ekonomisë, tregtisë, investimeve dhe turizmit.
Ai theksoi më tej se një kontribut të veçantë në rrugën e Malit të Zi drejt Bashkimit Evropian kanë dhënë edhe shqiptarët, përkatësisht kuadrot shqiptare në Qeverinë e Malit të Zi, të cilët, sipas tij, kanë kontribuuar në mbylljen e nëntë kapitujve negociues.
Me këtë rast, ai përgëzoi Shqipërinë për përparimin e arritur në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian.
Gjatë kësaj mbrëmjeje u prezantuan rite dhe elemente të traditës shqiptare përmes muzikës, folklorit dhe kostumografisë tradicionale, duke sjellë motive nga dasmat tradicionale të krahinave të ndryshme të Shqipërisë, përfshirë polifoninë e Jugut dhe traditat e Shqipërisë së Mesme.
t. u.
