
.
.
Jeta është e bukur, e si e tillë ishte dashur të jetohet, të duhet e po ashtu të respektohet, sepse e kemi dhuratë nga Perëndia, e ajo dhurohet një herë dhe nuk kemi as fatin, as rastin ta ripërsërisim. Por shtrohet pyetja: sa jemi duke e jetuar në mënyrën e duhur, duke filluar nga dashuria për veten, pastaj për familjen, rrethin e shoqërinë?
Në jo pak raste dëgjojmë e përjetojmë thashetheme, inate e mllefe ndaj njëri-tjetrit, duke u munduar medoemos të përbuzim tjetrin, të nënvlerësojmë, të flasim mbrapa shpinës së tij e t’i ngjisim epitete që në realitet nuk ekzistojnë. Për më tepër, nuk mjafton as kjo, e përveç këtyre, mundohemi dhe t’i bëjmë keq, ta keqpërdorim, po të mundemi, t’ia marrim të drejtat dhe ta lëmë në errësirë.
Nga e kanë burimin të gjitha këto?
Ndoshta një pjesë të fajit e kanë rrethanat, një pjesë tjetër mënyra se si udhëheqin, por nuk duhet të harrojmë se secili prej nesh mban edhe përgjegjësi për zgjedhjet e veta. Ndryshimi i një shoqërie fillon gjithmonë nga ndryshimi i secilit individ. Megjithatë, nuk mund ta anashkalojmë as faktin se shpesh rrethanat dhe ata që na udhëheqin ndikojnë që të jemi të përçarë e të përçajmë, madje jo rrallë kjo reflektohet edhe brenda familjeve tona. Për më tepër, shpesh ndodh që ruajtja e pushtetit të vendoset përpara interesit të njerëzve dhe të shoqërisë, dhe për ta ruajtur karrigen janë të gatshëm të bëjnë shumë – jo shumë punë e shërbime, por shumë premtime, se ata i studiojnë mirë rrethanat dhe përgatiten mirë që mbështetësve t’u marrin “peng” mendjen që të brohorasin pas tyre, e as që i lejojnë më të përdorin kokën e tyre, e u thonë “ju përdorni këmbët për të lëvizur ku të na duheni, e ne të ‘zgjuarve’ na i lini të tjerat”.
Me të vërtetë mund të duket qesharake, por në realitet është një tragjedi e heshtur. Pse?
Sepse pasojat janë të rënda, e nuk shihen për një periudhë të gjatë. E megjithatë, ky është realiteti, disa e pranojnë e disa të tjerë e mohojnë, disa të tjerë nuk janë as në gjendje ta kuptojnë. Prandaj do ishte më e pranueshme një qetësi shpirtërore, një lutje dhe një kërkesë drejtuar Zotit që të na ndihmojë aty ku më së shumti kemi nevojë, një hapje të syve tanë, që të dimë ta duam veten, familjen e shoqërinë, pa inate, pa mashtrime, pa dëmtime të vetes e të tjerëve.
Megjithatë, nuk mjafton vetëm t’i kërkojmë Zotit një botë dhe një jetë më të mirë, por duhet të fillojmë nga vetja. Zoti na ka dhënë ndërgjegjen, arsyen dhe lirinë për të zgjedhur të mirën. Nëse secili prej nesh do të përpiqej të bëhej një njeri më i drejtë, më i ndershëm, më falës e më mirënjohës, atëherë edhe familja, edhe shoqëria do të ndryshonin dalëngadalë, e kështu do bëhej çdo gjë e bukur, jeta do të jetohej çdo ditë dhe do të shiheshin bukuritë e saj të vërteta që ekzistojnë në realitet. Sepse vetëm atëherë do ta kuptojmë se lumturia nuk ndërtohet mbi përçarjen e tjetrit, por mbi paqen me veten, me familjen dhe me Zotin. Në fund të fundit, ajo që na duhet më së shumti është të duam njëri-tjetrin, të kemi përgjegjësi për veprimet tona, të fillojmë ndryshimin nga vetja, e po ashtu të kërkojmë paqen në zemrat tona.
