
Nga të gjitha vendet kandidate për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian, Mali i Zi ka avancuar si asnjë vend tjetër, që dëshmohet me mbylljen e 25 kapitujve, ndërsa të tjerët parashihet të mbyllen deri në fund të vitit. Sipas parashikimeve, nga data 1 janar 2028 Mali i Zi do të jetë anëtari i 28-të i BE-së, që paraqet moment të veçantë për qytetarët e këtij vendi.
Pjesëtarë të skenës politike
Shqiptarët janë pjesë e skenës politike në Malin e Zi nga viti 1990, por edhe pjesë e qeverisë nga viti 1998, që vazhdon edhe tani. Por, nuk duhet të jemi të kënaqur me faktin se jemi pjesë e strukturës qeveritare, por sa është punuar në avancimin e pozitës dhe të statusit të shqiptarëve në këtë mjedis. Sepse nuk mjafton të përfaqësohesh me deputetë, ministra apo drejtorë në institucione të ndryshme shtetërore, por sa janë ata të denjë për të përfaqësuar dhe prezantuar kërkesat e shqiptarëve.
Pikërisht kjo është çështje kryesore e pjesëmarrjes në institucionet qeveritare, sepse aty nuk duhet të jemi vetëm si dekor, por individë me angazhim dhe realizim të objektivave konkrete. Nëse e analizojmë periudhën e pluralizmit politik, duke krahasuar premtimet në fushata zgjedhore dhe çka është realizuar në praktikë, nuk mund të jemi të kënaqur, sepse është mundur të realizohet më shumë. Por, duke ditur animozitetin e vazhdueshëm të pushtetit ndaj shqiptarëve, nuk duhet të dekurajohemi por e kundërta, duhet angazhuar vazhdimisht në realizimin e të drejtave të ligjshme, si kudo në botën demokratike.
Komuna e Tuzit – arritja më e madhe
E arritura kryesore e shqiptarëve në Malin e Zi është rikthimi i statusit të Komunës së Tuzit për territorin e Malësisë në vitin 2018, që u dëshmua në zgjedhjet lokale në vitin 2019, duke arsyetuar kërkesën e të gjithë shqiptarëve që Malësia të këtë qeverisjen lokale autonome. Me realizimin e programeve të ndryshme në tërë territorin e Malësisë, sipas buxhetit të pushtetit lokal, Komuna e Tuzit ka përgënjeshtruar në praktikë mohuesit e qeverisjes lokale autonome, të cilët vazhdimisht kanë qenë në shërbim të pushtetit të Podgoricës. Ndërsa veprimi i radhës duhet të jetë riemërtimi i Komunës së Tuzit në Komuna e Malësisë, si kërkesë legjitime e popullit të kësaj krahine etnogjeografike shqiptare.
Në Qeveri, jo vetëm për dekor
Për t’i joshur shqiptarët si shpërblim për mbështetjen e koalicionit qeveritar, Qeveria e Malit të Zi në vitin 1998 formoi Ministrinë e Popujve Pakicë, e cila kryesisht është drejtuar nga kuadrot shqiptare. Është çështje tjetër se sa kjo ministri e ka arsyetuar veprimin e vet, sepse në vendet demokratike një ministri e tillë nuk ekziston ngaqë për çështje të tilla merren ministritë tjera.
Por, nga viti 2023 ndodhi një ndryshim cilësor, sepse nga ky vit në qeverinë aktuale shqiptarët, përveç kësaj ministrie, për të parën herë janë të përfaqësuar edhe me dy ministri (Ministria për Zhvillim Ekonomik dhe Ministria e Administratës Publike). Një përbërje e tillë qeveritare ka hapur mundësi jo vetëm për investime në viset shqiptare në Mal të Zi, që deri më tash nga qeveritë e kaluara janë anashkaluar në tërësi.
Mungesa e platformës së përbashkët
Në rrethana të reja shoqërore, në pluralizëm politik, për shqiptarët në hapësirën e tyre etnogjeografike janë krijuar kushtet optimale që edhe ata të formojnë hapësirën e përbashkët politike, ekonomike e kulturore. Por, për një koncept të tillë mbarëkombëtar duhet të ekzistojë një platformë e cila meriton qasje të veçantë, që duhet të analizohet dhe të plotësohet sipas kërkesave të kohës, duke mbetur si koncepti më i avancuar në aktualitetin gjeopolitik regjional e më gjerë. Për realizimin e një ideje të tillë duhen kuadro të dëshmuara profesionale, guxim intelektual dhe vullnet politik, duke eliminuar paragjykimet dhe animozitetet personale e partiake.
Për shkak të mungesës së një platformë të tillë politike, partitë e shqiptarëve në Malin e Zi, si në nivelin lokal dhe qendror, vazhdojnë me qasje të animozitetit ndaj njëri-tjetrit, sepse në rend të parë janë interesat personale e klanore, e jo avancimi i çështjes shqiptare në këtë mjedis. Edhe zhvillimet aktuale shoqërore e politike në lidhje me negociatat e Malit të Zi për anëtarësimin në BE dëshmojnë një konstatim të tillë.
Uniteti i munguar
Momenti aktual kur pushteti është duke negociuar për të qenë pjesë e BE-së, ku janë mbyllur 25 kapituj, ofron mundësi që për çështjet që janë në favor të mbrojtjes së identitetit të shqiptarëve të jemi unikë dhe të dilet me kërkesa të përbashkëta. Por, fatkeqësisht, deri në këtë moment nuk kemi dëgjuar se subjektet politike të shqiptarëve, të përfaqësuar në Kuvendin e Malit të Zi, të kenë zhvilluar ndonjë takim të përbashkët enkas për këto çështje. Andaj, nga një vakuum i tillë politik nuk është për t’u çuditur që përfaqësuesit e shqiptarëve janë duke heshtur, veprim që nuk i nderon as sot e as në të ardhmen. Sepse nëse nuk flitet në kohën dhe momentin e duhur me kërkesa të parashtruara, çdo reagim më pas është humbje kohe, që nuk mund të arsyetohet me asgjë.
Heshtja nuk është zgjidhje
Duke ditur se në Mal të Zi ndaj arsimit dhe kulturës qeveria zbaton politikë unitare, në këtë drejtim më së shumti janë të dëmtuar shqiptarët, sepse janë të veçantë nga të tjerët, si popullsi e vetme josllave, në këtë mjedis. Në këtë drejtim, duke ditur qasjen dhe rrethanat shoqërore në vend ndaj shqiptarëve, në prag të anëtarësimit të Malit të Zi në BE, përfaqësuesit e shqiptarëve në qeverinë aktuale në Mal të Zi e kanë obligim të angazhohen në avancimin e tyre arsimor e kulturor, sepse heshtja nuk është zgjidhje.
Arsimi e kultura me defekte të vazhdueshme
Kapitulli 26, që trajton arsimin dhe kulturën, ka të bëjë me mbrojtjen e identitetit kombëtar shqiptar. Nëse i analizojmë programet mësimore dhe tekstet shkollore, në mënyrë të veçantë lëndët e identitetit kombëtar, si historia, kultura muzikore etj., janë dëshmi e mjaftueshme për shqetësim, sepse nuk shkohet në BE me defekte të tilla që janë kundër identitetit të shqiptarëve në këtë mjedis. Shqiptarët janë për integrimin evropian, por duan të mbrojnë identitetin e tyre kombëtar e jo të eliminohen në emër të integrimit apo të kozmopolitizmit bashkëkohor.
Përfundim
Një ndër kapitujt me interes të veçantë për shqiptarët është kapitulli i 26-të (Arsimi dhe kultura), ku sipas informacionit ai është hapur dhe mbyllur përkohësisht në vitin 2013. Në lidhje me këtë çështje nuk kemi informacion se është angazhuar dikush nga shqiptarët, qoftë si deputet apo pjesëtar i qeverisë. Andaj, përfaqësuesit shqiptarë në qeverinë aktuale ku jemi të përfaqësuar më tepër se asnjëherë deri më tash, si zëvendëskryeminsitër, ministra por edhe deputetë, duhen të angazhohen në këtë drejtim për të pasur përfaqësimin e merituar në lidhje me fushën e arsimit dhe të kulturës, sepse kemi të bëjmë me identitetin kombëtar shqiptar.
Çdo ngurrim në këtë aspekt nuk mund të arsyetohet, sepse nuk kemi të bëjmë me çështje personale apo partiake, andaj duhet eliminuar animozitetin e tillë, sepse kemi të bëjmë me mbrojtje të identitetit të shqiptarëve në këtë mjedis. Pasi çështjet e tilla janë identitare, që iu takojnë ekskluzivisht shqiptarëve, në këtë drejtim duhet angazhim konkret, sepse punët tona nuk i kryejnë të tjerët.
