Zëri që çan rrezen përgjysmë

Dokumentari është realizuar nga autori Haxhi Shabani, i cili është kujdesur për skenarin dhe regjinë e filmit. Përmes këtij projekti filmik, synohet të sjellë në vëmendje rrugëtimin jetësor dhe krijues të akademik Mehmet Krajës, lidhjen e tij me vendlindjen, si dhe gjurmët që ka lënë në letërsinë dhe mendimin bashkëkohor shqiptar

Në Ostros të Krajës, të premten mbrëma (20 nëntor 2026) u shfaq premiera e filmit dokumentar “Zëri që çan rrezen përgjysmë”, kushtuar shkrimtarit dhe akademikut Mehmet Kraja, një prej personaliteteve të njohura të letërsisë dhe kulturës shqiptare, me prejardhje nga kjo trevë.
Veprimtaria u organizua nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” dhe Bashkësia Lokale Ostros, duke mbledhur dashamirë të kulturës, artit dhe letërsisë, si dhe qytetarë të Krajës, të cilët patën mundësinë të njihen më nga afër me jetën dhe krijimtarinë e një prej bijve të shquar të kësaj treve.
Dokumentari është realizuar nga autori Haxhi Shabani, i cili është kujdesur për skenarin dhe regjinë e filmit. Përmes këtij projekti filmik, synohet të sjellë në vëmendje rrugëtimin jetësor dhe krijues të akademik Mehmet Krajës, lidhjen e tij me vendlindjen, si dhe gjurmët që ka lënë në letërsinë dhe mendimin bashkëkohor shqiptar.
Në hapje të aktivitetit, të pranishmit i përshëndeti kryetari i Bashkësisë Lokale Ostros, Beqir Berjashi, i cili vlerësoi rëndësinë e organizimit të një mbrëmjeje të tillë në këtë trevë, kushtuar një personaliteti që përfaqëson një vlerë të veçantë të trashëgimisë kulturore të Krajës.
Duke folur për konceptin e dokumentarit, autori dhe regjisori Haxhi Shabani theksoi se një nga veçantitë e krijimtarisë së Mehmet Krajës është mënyra se si ai ka arritur ta shndërrojë vendlindjen në një temë të rëndësishme të letërsisë shqipe.
“Shkrimtari Mehmet Kraja ka arritur që në veprën e tij, Krajën ta bëjë temë letrare, të njohur në gjithë letërsinë shqipe, duke ndërthurur aspektin imagjinativ me atë real”, u shpreh ai.
Shabani shpjegoi se në dokumentar veprën e Krajës e ka trajtuar përmes dy pesëkëndëshave simbolikë: të parin e përbëjnë Kraja, liqeni i Shkodrës, kufiri, Taraboshi dhe Shkodra, ndërsa të dytin Ulqini, Tivari, Prishtina, Kosova dhe Shqipëria. Sipas tij, këto hapësira, të ndërthurura mes tyre, ndihmojnë në kuptimin e plotë të botës letrare të autorit.
Shabani ndau edhe mbresat nga bashkëpunimi me shkrimtarin, duke vënë në pah lirinë e madhe krijuese që Kraja i kishte ofruar gjatë realizimit të filmit.
“Lirinë krijuese të pafundme që e ka krijuar për vete në veprën e tij, e pranon si të atillë edhe për të tjerët. Atë ma dhuroi edhe mua”, theksoi regjisori.
Ai bëri të ditur se Mehmet Kraja do ta shihte dokumentarin për herë të parë pikërisht në premierën e organizuar në Krajë, së bashku me publikun. Në fund, Shabani falënderoi protagonistin e filmit, si dhe Beqir Berjashin, Ismet Kallabën, Allmedin dhe Amir Sukën, si dhe të gjithë mbështetësit që kontribuuan në realizimin e këtij projekti.
Pas shfaqjes së dokumentarit, mbrëmja mori një dimension të veçantë me ndarjen e “Mirënjohjes së Krajës” akademik Mehmet Krajës, në shenjë vlerësimi për kontributin e tij të shquar në letërsinë, kulturën dhe mendimin shqiptar, si dhe për lidhjen e tij të thellë shpirtërore dhe krijuese me vendlindjen.
Mirënjohja iu dorëzua nga Beqir Berjashi, kryetar i Bashkësisë Lokale të Ostrosit. Në tekstin e saj theksohet se, përmes krijimtarisë së vet, Mehmet Kraja e ka shndërruar kujtesën, historinë dhe përjetimet e vendlindjes në vlera letrare me përmasa universale, duke i dhënë Krajës një vend të veçantë në hartën kulturore shqiptare.
“Me nderim për veprën dhe mirënjohje për personalitetin, Kraja nderon një nga bijtë e saj më të shquar”, thuhet ndër të tjera në motivacionin e mirënjohjes.
Pas pranimit të këtij vlerësimi, të pranishmëve iu drejtua akademik Mehmet Kraja, i cili ndau me ta emocionet dhe mendimet e tij lidhur me këtë nderim dhe raportin me vendlindjen. Fjala e tij shënoi një tjetër moment të rëndësishëm të mbrëmjes, duke e lidhur veprën letrare dhe rrugëtimin e tij intelektual me rrënjët nga të cilat buron.
“Ky ishte një rrëfim i Haxhi Shabanit për mua, por unë jam subjekt që përpiqet të them më tepër sesa thotë libri. Këtu është bërë një përpjekje për të rrëfyer se si funksionojmë ne shkrimtarët”, u shpreh ai.
Kraja foli edhe për sakrificat që kërkon krijimtaria letrare, duke nënvizuar se rruga e shkrimtarit nuk është e lehtë dhe kërkon përkushtim e punë të vazhdueshme.
“Nuk është e lehtë të jesh shkrimtar, nuk është aspak e këndshme. Ai që e ka ndarë mendjen të merret me këtë punë duhet ta dijë se do të përballet me një jetë që ka shumë sakrifica”, theksoi akademiku.
Duke u kthyer te lidhja e tij me vendlindjen, Kraja tha se prania në Krajë i rikthen pranë personazhet dhe kujtimet që kanë jetuar në veprat e tij. Ai e përshkroi këtë trevë si një hapësirë të mbushur me histori, vështirësi dhe dhimbje, por që ka ruajtur qëndrueshmërinë e saj ndër breza.
“Kraja është një mit, Kraja është jetë e vështirë, ka qenë në të gjitha historitë e saj me plot probleme e dhimbje, por ajo që është më e rëndësishme, Kraja është po ky gur që qëndron”, u shpreh Kraja.
Në përfundim, ai vuri në dukje kontrastin mes përmirësimit të kushteve të jetesës dhe pakësimit të banorëve në këtë trevë, duke theksuar se, ndonëse sot jetohet më mirë se dikur, Kraja po përballet me një sfidë të madhe demografike: largimin dhe zvogëlimin e popullsisë.
Realizimi i dokumentarit u mundësua me mbështetjen e Komunës së Ulqinit, Ministrisë së të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave, Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi dhe Bashkësisë Lokale Ostros.
Mbrëmja shërbeu si një rast për të rikthyer vëmendjen te personalitetet që kanë dalë nga Kraja dhe kanë dhënë kontribut në kulturën shqiptare, por edhe për të shprehur lidhjen e kësaj treve me njerëzit e saj, pavarësisht rrugëtimit dhe sukseseve të tyre jashtë vendlindjes.
Dokumentari “Zëri që çan rrezen përgjysmë” solli para publikut jo vetëm portretin e akademik Mehmet Krajës, por edhe historinë, kujtesën dhe identitetin e kësaj treve.

Dafina Teliqi – Rexha

Të fundit

më të lexuarat