
(vijon nga numri i kaluar)
Aktiviteti nacionalist i Bardhit nuk u ndal as më vonë. Përkundrazi, u rrit edhe më shumë dhe gjithnjë e më shumë ka ardhur në shprehje.
“Duke e vlerësuar aktivitetin e Bardhit në dritën e ngjarjeve në Kosovë, pa rezervë konfirmohet pohimi i mësipërm dhe nxirret përfundimi i qartë se ky është një njeri i mbingopur me nacionalizmin shqiptar, i gatshëm që kudo e në çdo vend të tregojë fytyrën e vet. Disa shembuj konkretë më së miri do ta vërtetojnë një përfundim të tillë.
Në fillim të prillit e kemi ftuar Bardhin në bisedime me qëllim të paralajmërimit dhe tërheqjes së vëmendjes ndaj sjelljes së tij, sepse e kemi vlerësuar, duke marrë parasysh ngjarjet në Kosovë, se është e nevojshme, gjegjësisht se do të ndikojë në pasivizimin e tij. Në bazë të asaj çfarë kemi dëgjuar, me këtë rast nga ai, kemi mundur lehtë të përfundojmë se me të vërtetë kemi të bëjmë me një nacionalist të thekur, i cili nga çështjet e vogla dëshiron të bëjë dhe të paraqesë probleme të mëdha, në mënyrën e tij, duke u nisur nga të metat dhe mangësitë e vogla, t’i bëjë ato të njohura se në territorin e Ulqinit dhe më gjerë, pakica nacionale shqiptare nuk është e barabartë me kombet dhe kombësitë tjera në Jugosllavi”. (DACG, AO Ulcinj, F. SKJ, 1981, Informatë pa nr. e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror, me rastin e organizimit të seminarit për punonjësit e arsimit (albanologëve dhe historianëve nga territori i komunës së Ulqinit dhe Tivarit), mbajtur në Ulqin, më 26 dhe 27 shtator 1981, fq. 3)
Pabarazinë e shqiptarëve, në krahasim me malazezët, për shembull, e sheh në futjen jo të plotë dhe të ngadalshme të administratës dygjyqësore dhe të gjithë asaj që publikisht theksohet. Ai thotë se nuk mund të bëhet fjalë për barazinë nëse materiali për Kuvend, ose cilido tjetër, shtypet vetëm në gjuhën serbokroate, nëse regjistrimi i popullsisë bëhet kryesisht në listat ndihmëse vetëm në gjuhën serbokroate (mendon për listat ndihmëse për personat e punësuar), nëse nuk mund të merret letërnjoftimi, patentë shoferi, leja e qarkullimit, certifikata apo cilido dokument publik, në gjuhën shqipe; nëse shenjat e sinjalizimit në rrugë apo vendbanimet shkruhen vetëm në gjuhën serbokroate etj. Veçanërisht ka theksuar se kjo nuk është karakteristikë vetëm për Ulqinin, por edhe për territoret tjera të banuara me popullsi shqiptare në Mal të Zi (Tuzi, Plava), duke theksuar si shembull karakteristik sinjalizimin rrugor dhe shkruarjen e vendbanimeve.
Duke u nisur nga e gjithë kjo, Bardhi konsideron se ka shumë arsye që njeriu të jetë i pakënaqur me gjendjen ekzistuese, duke shtuar: “Njeriu duhet të jetë i ngopur për të qenë i kënaqur. Kur them i ngopur, nuk mendoj në barkun plot dhe pasurinë, por i ngopur në kuptimin e eliminimit të gjithë asaj që njerëzit i bëjnë të pabarabartë. Nëse mendojmë në bashkim, atëherë pabarazitë ekzistuese duhet të eliminohen. Në të kundërtën, nuk mund të ketë kënaqësi, njeriu nuk mund të jetë i ngopur”.
Duke folur më tej për paraqitjen e pabarazisë, Bardhi tha: “Tanët në Jugosllavi, për sllovenët e Korushkës, kanë demonstruar dy herë, pikërisht sepse atje u shkatërruan monumentet e tyre kulturore, e shikoni – te ne asgjëkundi nuk ka mbishkrim në gjuhën shqipe, shenja të komunikacionit etj. Ose, vitin e kaluar më ka lindur fëmija e me shumë mundime kam arritur ta regjistroj në librin e amzës në gjuhën amtare. Pastaj, plotësimi i vendeve udhëheqëse bëhet në bazë të njëfarë çelësi e ndodh që në vend udhëheqës vendoset një shqiptar i cili ne shqiptarëve të tjerë nuk na kënaq, sepse kryesisht nuk e njeh gjuhën e vet amtare. Një i tillë, praktikisht, nuk mund t’i përfaqësojë shqiptarët”. (DACG, AO Ulcinj, F. SKJ, 1981, Informatë…, fq. 4)
Me atë rast, Bardhi theksoi edhe disa shembuj “të pabarazisë” duke theksuar se nuk mundet ashtu, se kjo nuk është në rregull etj., për të përfunduar: “Unë në shkollë luftoj për krijimin e njerëzve të vërtetë, të cilët do të luftojnë për të vetët. Kështu i edukoj unë”.
Duke e përfunduar bisedën tonë me mendimin e tij për ngjarjet në Kosovë dhe reflektimin e tyre në këto territore, Bardhi deklaroi se beson që në Ulqin nuk do të ndodhë diçka e tillë, por nuk ka mundur të japë asnjë garanci, kryesisht për arsye për të cilat ka folur më parë. Unë jam, tha ai, kundër thyerjeve të vitrinave, çezmave, automjeteve etj., por gjithsesi duhet pasur kujdes që njerëzve të mos u jepen arsye për ngjarje të tilla.
Mendojmë se për këto qëndrime dhe deklarata të tij nuk ka nevojë për koment. Duket qartë se në çfarë pozicioni gjendet. Thënë thjesht, është e dukshme se nuk gjendet në pozicionet e LKJ-së, në pozicionin e politikës sonë zyrtare, sidomos kur bëhet fjalë për Kosovën dhe ngjarjet që kanë ndodhur atje.
Interesante janë edhe veprimet e mëvonshme të Bardhit në lidhje me plotësimin e fletëpagesës në gjuhën shqipe, me ç’rast filluan grindjet mes tij dhe nëpunësës së bankës e cila punonte në ato punë, pastaj blerja e librave që në fund të vitit shkollor iu dhuruan nxënësve të shkëlqyer të Qendrës Shkollore.
Për këto veprime të tij në Ulqin është folur publikisht. Megjithatë, për rastin e dytë është e rëndësishme të theksohet se këta ishin libra nga një shkrimtar shqiptar, i cili në Shqipëri është shquar për përkrahjen e ngjarjeve kontrarevolucionare në Kosovë. Për këtë qëllim në mjetet e informimit shqiptar ka shkruar dhe ka publikuar tekste antijugosllave. Vërtet librat i ka blerë në Prishtinë, që për momentin e atëhershëm politik nuk ka qenë e çuditshme, por është e sigurt se ai ka mundur dhe duhet ta ketë ditur se kjo nuk është në rregull dhe se një veprim i tillë i tij do të provokojë reagimin e të gjithë njerëzve të ndershëm. Sikur në vendin e tij të ishte ndonjë profesor tjetër, i ndershëm dhe i përkushtuar ndaj kësaj shoqërie, libra të tillë, sigurisht, nuk do t’i kishte blerë, por ishte kujdesur të gjejë libra të tjerë më të mirë.
Vetë seminari ka qenë, sipas mendimit të shumëkujt, manifestim i vërtetë i nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar. Në seminar, siç është e ditur, është diskutuar për ideologjinë e planeve dhe programeve mësimore në shkollat në gjuhën shqipe. Seminari është organizuar pikërisht për këtë çështje, por ai, duke u nisur nga çka është dëgjuar e parë aty, pa dyshim e ka tejkaluar qëllimin kryesor, gjë që do ta shohim nga ekspozimi i mëtejshëm. (vazhdon)
(Marrë nga libri “Pozita kushtetuese-juridike dhe politike e shqiptarëve në Mal të Zi (1945-1990)”), Art Club, Ulqin, 2021)
