Malësia e Madhe në rrezik

Patriotizmi nuk është vetëm ndonjë fjalim patriotik, ndonjë valëvitje e flamurit kombëtar apo këndimi i ndonjë kënge patriotike, por veprimi për të mirën e vendit dhe ku ka veprim më të mirë sesa ruajtja e identitetit kombëtar të Malësisë së Madhe

Mark Junçaj

Gjatë historisë, krahina e Malësisë së Madhe u ka bërë ballë me sukses rreziqeve të shumta dhe secilën herë ia ka dalë që të ruajë identitetin e vet kombëtar. Këtë më së miri e dëshmon fakti se, edhe pse e pushtuar në vitin 1479 nga Perandoria Osmane, megjithatë ia ka dalë që të ruajë vetëqeverisjen lokale që e fitoi falë rezistencës dhe kryengritjeve të shumta gjatë shekujve në vazhdim. Po ashtu, vlen të përmendet se është krahina, e cila, për herë të parë që nga vdekja e kryeheroit shqiptar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, ngriti flamurin kombëtar më 6 prill 1911 në Deçiq.
Mirëpo, fatkeqësisht, edhe pse gjithë kohën luftoi për të mbetur brenda kufijve të shtetit shqiptar, nuk ia doli në tërësi, pasi që disa pjesë të saj (Trieshi dhe Koja e Kuçit) me vendimet e Kongresit të Berlinit (1878) iu dorëzuan Malit të Zi, ndërsa gjysma e Hotit dhe Gruda me vendimet e Konferencës së Londrës (1913) pësuan të njëjtin fat. Pjesët tjera të Malësisë, si: gjysma e Hotit, Kelmendi, Kastrati, Shkreli, si edhe Rranxat e Malësisë së Madhe (Reçi, Lohja, Rrjolli, Grizha, Kopliku dhe Buza e Ujit) mbeten brenda kufijve administrativë të shtetit shqiptar. Gjatë shek. XX pati përpjekje për ribashkimin e Malësisë, në veçanti pas Luftës së Parë Botërore dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, mirëpo deri më sot nuk ndryshoi asgjë.
Pas Luftës së Dytë Botërore u hapën shkollat me mësim në gjuhën shqipe, ashtu që filloi edhe arsimimi i malësorëve, mirëpo presioni politik si edhe varfëria e madhe ekonomike vazhduan të jenë prezente edhe gjatë regjimit komunist të Titos. Politika antishqiptare nuk pati të ndalur dhe vazhdoi me politikën e asimilimit dhe të largimit të shqiptarëve, si edhe zëvendësimin e tyre me popullsi joshqiptare. Këtë më së miri e vërejmë te Rozhaja dhe Tivari, ku pothuajse banorët me shumicë janë asimiluar ose e kanë braktisur vendlindjen. Me fjalë të tjera, kemi të bëjmë me një projekt që e parashikon asimilimin, spastrimin, pastaj kolonizimin e viseve të banuara nga shqiptarët.
Këtë sfidë e përjetoi dhe po e përjeton edhe Malësia e Madhe (pjesa në Mal të Zi), pasi që një pjesë (në veçanti një pjesë e banorëve të Tuzit) u asimiluan, ndërsa nga vitet ‘60 të shekullit XX filloi edhe emigrimi i malësorëve, i cili, fatkeqësisht, vazhdon edhe sot e kësaj dite. Domethënë, Malësia u godit nga asimilimi dhe emigrimi. Shumë interesant është fakti se edhe pse organet kompetente të Jugosllavisë e dinin për emigrimin ilegal, megjithatë nuk tentuan ta ndalojnë, por përkundrazi, përmes disa personave të vet edhe e nxitën. Megjithatë, emigrimi, sipas malësorëve, mendohej të jetë i përkohshëm dhe pas një kohe, pasi që ta rregullonin gjendjen e tyre financiare, të kthehen sërish dhe ta vazhdojnë jetën në Malësi. Mirëpo, fatkeqësisht kjo nuk ndodhi. Përkundrazi, gjendja e mirë ekonomike e malësorëve që jetuan në SHBA ndikoi që gjatë viteve dhe dekadave në vazhdim të joshen edhe shumë të rinj dhe familjarë për të emigruar në këtë shtet dhe në këtë mënyrë filloi boshatisja e fshatrave të Malësisë.
Situatën e përkeqësoi më shumë edhe lufta që shpërtheu në ish-Jugosllavi gjatë viteve ‘90 të shekullit XX. Të mërguarit i qëndruan afër Malësisë gjatë viteve të vështira, sidomos në mënyrë financiare, por kjo nuk mjaftoi që t’i parandalojë të rinjtë të cilët vazhduan ta braktisin atdheun, ashtu që momentalisht kemi shumë më tepër malësorë në mërgim sesa brenda atdheut.
Në ndërkohë filloi edhe faza e fundit e projektit për shkombëtarizimin e Malësisë që është faza e kolonizimit të viseve shqiptare. Që nga fundi i shekullit XX, në vendbanimin e quajtur Dheu i Zi, në masë të madhe filloi dyndja e joshqiptarëve, e cila vazhdon edhe sot e kësaj dite. Në fillim u vendosën vetëm në vendin e lartpërmendur, por më vonë filluan të zgjerohen edhe në vendbanimet tjera të Malësisë. Është interesant fakti se malësorët nuk po pyesin më se kush është blerësi, por vetëm se kush ofron më shumë dhe nuk është problem se kujt i shitet prona. Nuk po mendohet se për pak të holla po i bëhet dëm atdheut dhe se dëmi do të jetë afatgjatë, pasi që shitja e pronave joshqiptarëve ndikon në ndryshimin demografik të vendit.
Dikur ishte zakon që brenda kufijve të fisit të caktuar, nuk mund të blente tokë banori i një fisi tjetër dhe kjo e kishte anën e vet pozitive, pasi që në atë mënyrë ruhej territori i fisit të caktuar. Ndërsa sot kohët kanë ndryshuar. Mendoj se është koha e fundit të mendohet mirë dhe të vendoset se si duhet të jetë Malësia dhe çfarë karakteri kombëtar duhet të ketë. Fatkeqësisht, nuk shoh ndonjë lëvizje në këtë drejtim. Por është koha që të bëhet një strategji afatgjatë për ruajtjen e truallit të Malësisë, para se të bëhet vonë, një strategji në pajtim me ligjet ekzistuese dhe që shkon në favor të ruajtjes së identitetit shqiptar të Malësisë. Andaj hapi i parë do të ishte që t’u bëhet thirrje të gjithë atyre që duan të shesin pronë, të kenë shumë kujdes se kujt ia shesin dhe shumë mirë të mendojnë se mos po veprojnë në dëm të Malësisë. Hapi i dytë do të ishte shqyrtimi i mundësisë për t’i riblerë pronat e shitura, pastaj do të ishte mirë që të mërguarit të mendojnë për t’u kthyer në atdhe etj.
Patriotizmi nuk është vetëm ndonjë fjalim patriotik, ndonjë valëvitje e flamurit kombëtar apo këndimi i ndonjë kënge patriotike, por veprimi për të mirën e vendit dhe ku ka veprim më të mirë sesa ruajtja e identitetit kombëtar të Malësisë së Madhe.
Në fund fare mund të them se Malësia e Madhe është në rrezik dhe është koha të ndërmerret ndonjë hap për ta parandaluar këtë dukuri në mënyrë që mos të përkeqësohet gjendja edhe më shumë, ashtu që pas disa dekadash të dëgjohet thënia, sikurse për disa vendbanime të tjera, se në Malësi të Madhe (pjesën në Mal të Zi) jetonin banorët e saj shqiptarë të njohur me emrin malësorë.

Të fundit

më të lexuarat