Si arriti të mbijetojë politikisht në krye të Kuvendit?

Për momentin, pyetja kryesore nuk është nëse një tjetër iniciativë do të paraqitet, por nëse opozita dhe deputetët që e kundërshtojnë Mandiqin do të arrijnë ndonjëherë të sigurojnë një shumicë reale parlamentare për largimin e tij. Deri atëherë, Andrija Mandiqi mbetet në krye të Kuvendit të Malit të Zi

Nga zgjedhja në tetor të vitit 2023 deri te kriza e fundit politike në shtator 2026, posti i kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi është shoqëruar vazhdimisht me përplasje politike. Kryetari i Kuvendit, Andrija Mandiq është përballur tri herë me iniciativa për shkarkim, por ende vazhdon ta drejtojë parlamentin.
Mandiq u zgjodh kryetar i Kuvendit më 30 tetor 2023, pas zgjedhjeve parlamentare dhe formimit të shumicës së re. Në votimin e fshehtë mori 49 vota, pa asnjë votë kundër. Për zgjedhjen e tij votuan deputetët e koalicionit “Për të Ardhmen e Malit të Zi”, Lëvizja Evropa Tani, Demokratët, Mali i Zi i bashkuar, Forumi Shqiptar, Aleanca Shqiptare, SNP-ja dhe disa deputetë të tjerë.
Zgjedhja e tij në krye të Kuvendit shënoi një moment të rëndësishëm në karrierën politike të Mandiqit, i cili kishte qenë për shumë vite një nga figurat kryesore të kampit politik proserb në Mal të Zi. Në fjalimin pas zgjedhjes, ai e vendosi theksin te dialogu dhe pajtimi politik, duke deklaruar se qëllimi i tij ishte të punonte për një parlament ku palët të dëgjonin njëra-tjetrën. Por përplasjet nuk vonuan.

Përpjekja e parë për shkarkim në mars të vitit 2024
Më pak se pesë muaj pas zgjedhjes së tij, opozita nisi procedurën e parë për shkarkimin e Mandiqit. Iniciativa u paraqit nga Partia Demokratike e Socialistëve (PDS), e cila argumentonte se Mandiqi nuk ishte i denjë për të drejtuar Kuvendin. Ndër argumentet e opozitës në atë periudhë ishin qëndrimet e tij politike, çështje që lidhen me marrëdhëniet me Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën, si dhe disa veprime të tij në cilësinë e kryetarit të parlamentit. Çështja u hodh në votim më 11 mars 2024, ku 27 deputetë votuan për shkarkimin e Mandiqit, ndërsa 44 votuan kundër. Kështu, Mandiqi mbijetoi për herë të parë në post.

Përpjekja e dytë në vitin 2025
Në vitin 2025, PDS së bashku me Socialdemokratët paraqiten një tjetër iniciativë për shkarkimin e Mandiqit. Opozita pretendonte se gjatë drejtimit të tij ishte dëmtuar integriteti i Kuvendit dhe se ishin grumbulluar një sërë arsyesh që, sipas tyre, e bënin të papërshtatshëm vazhdimin e tij në krye të Kuvendit. Në qendër të debatit ishte edhe çështja e përdorimit të një automjeti zyrtar të Kuvendit nga Danillo Mandiq, nipi i kryetarit të Kuvendit. Opozita e përdori këtë rast si një nga argumentet për të kërkuar përgjegjësi politike nga kryetari i Kuvendit. Pas debatit, çështja shkoi në votim më 3 qershor të vitit 2025. Edhe këtë herë Mandiqi nuk u shkarkua. 20 deputetë votuan për shkarkimin e tij, ndërsa 41 kundër. Dy fletëvotime u shpallën të pavlefshme.
Në këtë rast, mbështetja e partive të shumicës parlamentare ishte përsëri vendimtare për qëndrimin e Mandiqit në detyrë.

Çfarë e solli përpjekjen e tretë?
Në fund të gushtit 2026, një deklaratë e Mandiqit shkaktoi një tjetër përplasje politike. Kryetari i Kuvendit i shprehu ngushëllime familjes së Ratko Mlladiqit, ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Serbe, të dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata Ndërkombëtare për krime të kryera gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.
PDS e konsideroi këtë veprim një arsye për të kërkuar përsëri shkarkimin e tij. Në fillim të shtatorit, iniciativa kishte 35 nënshkrime, ndërsa më pas u raportua se mbështetja për të kishte arritur në 38 deputetë nga 81. Kjo kishte më shumë mbështetje sesa kishin marrë iniciativat e mëparshme në fazën e tyre politike.
Kësaj radhe, përveç opozitës, iniciativa mori mbështetje edhe nga deputetë të disa partive të komuniteteve boshnjake dhe shqiptare dhe nga deputetë të tjerë jashtë bllokut opozitar.
Nga ana tjetër, Mandiqi e ka kundërshtuar iniciativën dhe ka deklaruar se nuk ekziston shumica e nevojshme për shkarkimin e tij. Ai e ka cilësuar debatin rreth ngushëllimeve si pjesë të një fushate politike kundër tij.
Përballja e tretë ishte planifikuar për 24 shtator 2026. Por këtë herë nuk pati as votim. Seanca e jashtëzakonshme nuk arriti të zhvillohej sepse në sallë nuk u sigurua kuorumi i nevojshëm. Sipas rregullave parlamentare, për zhvillimin e seancës duhet të jenë të pranishëm të paktën 41 nga 81 deputetët. Kjo e la Mandiqin përsëri në detyrë.
Në sallë ishin të pranishëm deputetë të opozitës dhe disa përfaqësues të shumicës, por mungesa e deputetëve të tjerë pengoi krijimin e kuorumit. Madje u raportua se në vendet e deputetëve të Lëvizjes Evropa Tani nuk ndodheshin kartat e nevojshme për evidentimin e pranisë.
Pas dështimit të seancës, Mandiqi në paraqitjen e tij të parë tha se ajo që po përpiqen të ndalojnë është përparimi gjithnjë e më i madh i komunitetit serb në Mal të Zi.
“Koalicioni që ndërtuam tri vjet më parë, pavarësisht sprovave të shumta, është dëshmuar si rezistent dhe stabil. Falënderoj të gjithë deputetët që sot shprehën qartë qëndrimin se nuk dëshirojnë të marrin pjesë në një tjetër debat për të kaluarën e errët të Malit të Zi. Mos u mashtroni. Ata që u përpoqën të më shkarkonin nga posti nuk e kërkuan drejtimin e Kuvendit sepse donin t’u shërbenin më mirë qytetarëve. As nuk e bënë këtë sepse janë veçanërisht të shqetësuar për moralin. Edhe këtë çështje, njësoj si në dy përpjekjet e mëparshme, e keqpërdorën, e shtrembëruan dhe e përmbysën, në mënyrë që gënjeshtra të paraqitej si e vërtetë dhe e vërteta të fshihej.
Ajo që i frikëson dhe ajo që po përpiqen të ndalojnë është integrimi dhe përparimi gjithnjë e më i madh i komunitetit serb në Mal të Zi, si dhe pajtimi gjithëpërfshirës që sot po arrijmë me të gjitha komunitetet e tjera.
Atyre nuk u përgjigjet paqja. Ata duan që Mali i Zi të kthehet në kohën e tensioneve të vazhdueshme. Ata duan të na mbajnë vazhdimisht në llogore”, deklaroi kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq.
Nikollë Camaj, nënkryetar i Kuvendit dhe deputet i Forumit Shqiptar, kishte deklaruar paraprakisht se nuk do ta mbështeste nismën e PDS-së për shkarkimin e Mandiqit. Edhe pse kishte konfirmuar praninë e tij në Kuvend më 24 shtator 2026, ai nuk ishte në sallë në momentin kur duhej të përcaktohej kuorumi. Camaj sqaroi më vonë se ndodhej në ndërtesën e Kuvendit dhe po priste të njoftohej nëse mungonte vetëm një deputet për të siguruar kuorumin. Sipas tij, nuk dëshironte të bëhej pjesë e asaj që e konsideroi një “shfaqje” politike, por po monitoronte situatën nga korridori.
Për momentin, pyetja kryesore nuk është nëse një tjetër iniciativë do të paraqitet, por nëse opozita dhe deputetët që e kundërshtojnë Mandiqin do të arrijnë ndonjëherë të sigurojnë një shumicë reale parlamentare për largimin e tij. Deri atëherë, Andrija Mandiqi mbetet në krye të Kuvendit të Malit të Zi.

Dafina Teliqi – Rexha

Të fundit

më të lexuarat