Veprimtari me peshë dhe vlerë të lartë shkencore

Akademik Prof. dr. Zymer Ujkan Neziri ia kushtoi një jetë të tërë studimeve për folklorin, duke botuar shumë vëllime studimore për epikën legjendare të Rugovës dhe më gjerë, këngë të kreshnikëve dhe balada, si dhe për lahutarë të eposit të kreshnikëve në Rugovë dhe troje të ndryshme etnike shqiptare

Në ambientet e Institutit Albanologjik të Prishtinës, të premten, më 6 nëntor 2026, në mënyrë solemne u organizua Tryeza shkencore “Jeta dhe vepra”, kushtuar jetës dhe veprimtarisë së bujshme dhe të frytshme kulturore-shkencore të epikologut të famshëm dhe të mirënjohur shqiptar, Akademik Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri, me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tij.
Në këtë tryezë me peshë dhe vlerë madhore shkencore, ku përveç shumë studiuesve, miqve e kolegëve ishte i pranishëm edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës së Qeverisë së Kosovës, Hajrullah Çeku, programin e së cilës me elokuencë e moderoi Alketa Gashi, epikologut Neziri iu njohën meritat dhe kontributi për eposin shqiptar (dhe jo vetëm), vjelë në trevën e Rugovës por edhe në trevat tjera etnike shqiptare.
Me kumtesa në tryezë janë paraqitur Prof. dr. Nicola Scoldaferri nga Universiteti i Milanos (Itali), Prof. dr. Ina Arapi nga Universiteti i Vjenës (Austri), Prof. dr. Ardian Ahmedaja nga Universiteti i Muzikës dhe i Arteve të Interpretimit – Vjenë (Austri), Prof. dr. Justin Elliot nga Universiteti i Londrës (Britani e Madhe) dhe Prof. dr. Albin Sadiku nga Instituti Albanologjik i Prishtinës.
Akademik Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri ia kushtoi një jetë të tërë studimeve për folklorin, duke botuar shumë vëllime studimore për epikën legjendare të Rugovës dhe më gjerë, këngë të kreshnikëve dhe balada, si dhe për lahutarë të eposit të kreshnikëve në Rugovë dhe troje të ndryshme etnike shqiptare. Sipas shkencëtarit britanik, Justin Elliot, epika e Rugovës është sinonim i epikës shqiptare në përgjithësi. Këtë, pohoi ai, ia kishte thënë etnomuzikologu Ramadan Sokoli, sipas sugjerimit të të cilit ishte nisur të studionte fushën e etnomuzikologjisë së kësaj treve, me ç’rast kishte pasur fatin ta njihte epikologun Neziri, falë kontributit të të cilit kishte mundur t’i thellonte edhe studimet e tij.
Programi përfundoi me paraqitjen e Ansamblit folklorik autokton “Rugova” në hollin e Institutit Albanologjik.
Në mbrëmjen e së njëjtës ditë (6 nëntor 2026), kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në Zyrën e Kryeministrit ka pritur studiuesin e eposit shqiptar – epikologun Akademik Prof. dr. Zymer Ujkan Neziri, me rastin e 80-vjetorit të lindjes. Në takim Neziri ishte i shoqëruar nga studiuesit Ina Arapi, Ardian Ahmedaja, studiuesi arbëresh Nicola Scaldaferri dhe e bija Shqipe Neziri – Vela.
Në fjalën e rastit, Kurti ka vlerësuar kontributin shumëvjeçar të Nezirit në mbledhjen, dokumentimin dhe studimin e këngëve të eposit shqiptar, duke theksuar se puna e tij ka ruajtur nga harresa një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë gojore shqiptare.
Duke evokuar mbi jetën dhe veprimtarinë 80-vjeçare të bujshme të epikologut Neziri, Kurti ka theksuar se falë punës së studiuesit, trashëgimia kulturore shqiptare është pasuruar me një korpus prej më shumë se 100 mijë vargjesh të këngëve kreshnike, të botuara në 15 vëllime.
Me këtë rast, kryeministri i Kosovës Albin Kurti i ka shprehur epikologut Neziri mirënjohje për veprën e tij jetësore dhe kontributin në ruajtjen e trashëgimisë kombëtare, duke i uruar shëndet dhe jetë të gjatë dhe në shenjë falënderimi për kontributin e tij shumëpërfshirës e frytdhënës ia dorëzoi plaketën mirënjohëse.
Në fund, i ftuar por në pamundësi për të marrë pjesë në këtë aktivitet me peshë dhe vlerë të lartë, moshatarit, mikut të çmuar, nderuar e respektuar dhe shokut të rinisë së hershme, që nga fillimvitet e 60-ta të shekullit të kaluar kur vijonim mësimet në Gjimnazin “11 Maji” të Pejës, i uroj përzemërsisht këtë ditëlindje jubilare dhe e përgëzoj për kontributin shkencor e kombëtar.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat