Thirrje për forcimin e bashkëpunimit politik shqiptar

“Të jesh pjesë e pushtetit vetëm për të qenë pjesë e pushtetit, pa kushte dhe pa përgjegjësi të qarta politike, nuk mund të konsiderohet sukses. LD në MZ sot nuk është pjesë e shumicës qeverisëse dhe kjo nuk është zgjedhje e rastësishme. Një nga arsyet thelbësore është fakti se në këtë shumicë marrin pjesë edhe forca politike me orientim të hapur pro serb, të cilat, në raste të caktuara, kanë mbajtur qëndrime që janë të papranueshme për parimet mbi të cilat është ndërtuar politika demokratike shqiptare në Mal të Zi”, ka thënë kryetari i këtij subjekti politik, Saubih Mehmeti

Lidhja Demokratike në Mal të Zi, subjekti i parë politik i shqiptarëve në Malin e Zi, shënoi të mërkurën mbrëma, më 9 shtator 2026, në Ulqin, 36-vjetorin e themelimit të saj, në prani të anëtarëve, mbështetësve, figurave politike e shoqërore nga vendi, Shqipëria, Kosova e diaspora.
Fillimisht, në hapje të këtij solemniteti, u vu në dukje se 36 vite janë një rrugëtim i gjatë, një rrugëtim i shënuar nga sfida, përpjekje, debate, angazhim politik dhe shoqëror, “mbi të gjitha nga përkushtimi i njerëzve që besuan se zëri i shqiptarëve në trojet e veta etnike, sot në Mal të Zi, duhej të ishte i pranishëm dhe i artikuluar në jetën publike e institucionale”.
Më tej u përmend se pas vitit 1990, historia e shqiptarëve në Mal të Zi u zhvillua në një periudhë të ndërlikuar politike e shoqërore.
“Në këtë kontekst, themelimi i LD në MZ-së shënoi një moment të rëndësishëm në organizimin politik të shqiptarëve. 9 shtatori 1990 mbetet data që shënon fillimin e këtij kapitulli. Sot, 36 vite më pas, kujtesa për atë kohë na rikthen te njerëzit, tek idealet, te përkushtimi dhe te përgjegjësia që shoqëron çdo angazhim publik. Na rikthen edhe te ndjenja kombëtare, te dashuria për gjuhën, kulturën dhe identitetin shqiptar, vlera që kanë qenë pjesë e pandashme e veprimtarisë së LD në MZ-së”, u tha në hapje të këtij solemniteti.
Ndërkohë, kryetari i këtij subjekti politik, Saubih Mehmeti u shpreh se, në një kohë kur shqiptarët në Mal të Zi e jo vetëm kishin nevojë më shumë se kurrë për një zë të organizuar politik, të guximshëm dhe përfaqësues të interesave të tyre, themelimi i LD në MZ-së ishte një hap historik dhe i domosdoshëm me qëllim të mbrojtjes së identitetit kombëtar dhe të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi.
“Një nga dimensionet më të rëndësishme të historisë 36-vjeçare të LD në MZ-së është bashkëpunimi i saj me subjektet e para politike shqiptare që u krijuan në fillim të pluralizmit në Kosovë, Maqedoni, Luginën e Preshevës dhe Shqipëri”, theksoi ai.
Kryetari i kësaj partie u shpreh më tej se LD në MZ ka ruajtur ndër vite kontakte dhe bashkëpunim me subjektet politike shqiptare, duke e konsideruar këtë si një vlerë politike dhe jo si ndërhyrje në punët e brendshme të njëri-tjetrit.
“Nuk mjafton që partitë shqiptare të bashkëpunojnë vetëm kur janë përballë ndonjë problemi të madh (siç e kishim rastin e mbrojtjes së Plazhit të Shtojit), ku me dinjitet e mbrojtëm dhe ia arritëm qëllimit. Nevojitet një bashkëpunim i mirëfilltë, i vazhdueshëm dhe institucional, veçanërisht për çështjet që lidhen me pozitën politike, ekonomike, kulturore dhe kombëtare të shqiptarëve në Mal të Zi”, tha ai.
Mehmeti u shpreh se LD në MZ ka qenë dhe mbetet e bindur se pjesëmarrja e subjekteve shqiptare në qeverisje nuk duhet të jetë qëllim në vetvete.
“Të jesh pjesë e pushtetit vetëm për të qenë pjesë e pushtetit, pa kushte dhe pa përgjegjësi të qarta politike, nuk mund të konsiderohet sukses. LD në MZ sot nuk është pjesë e shumicës qeverisëse, dhe kjo nuk është zgjedhje e rastësishme. Një nga arsyet thelbësore është fakti se në këtë shumicë marrin pjesë edhe forca politike me orientim të hapur pro serb, të cilat, në raste të caktuara, kanë mbajtur qëndrime që janë të papranueshme për parimet mbi të cilat është ndërtuar politika demokratike shqiptare në Mal të Zi”, tha ai.
LD në MZ, shtoi ai, beson se bashkëpunimi i partive shqiptare duhet të rikthehet në një nivel më të lartë politik.
Nënkryetari i LD në MZ-së, njëherësh kryetar i Degës së kësaj partie në Malësi, Marash Dedvukaj, u shpreh se LD në MZ ka pritur më të mirat nga pushteti, duke thënë se kanë agjituar aq shumë dhe kanë bërë të gjithë sa janë prezentë që ta largojnë nga pushteti PDS-në.
“Dhe e kemi larguar. Kurse sot, ka zëra që thonë, më mirë kemi qenë kur në pushtet ka qenë PDS-ja sesa tani. Domethënë, aq situatë e tensionuar ka ardhur tani”, tha ai.
Dedvukaj shprehu habi dhe zhgënjim ndaj atyre që, siç tha, për një vend (kolltuk) janë në gjendje të lidhin kontratë dhe të shkojnë në koalicion me ata, vetëm për të marrë një post.
Ai më tej shtoi se LD në MZ pret ndryshime.
“Deri tani subjektet e tjera shqiptare na kanë marrë si të ishim zorrë e verbër pa të cilën mundesh, por na kanë ofruar kur u është dashtë vota jonë për të bërë koalicion me ne, por s’e di se deri kur do ta pranojmë këtë fenomen e të vazhdojmë me një praktikë të tillë”, tha Dedvukaj.
Ai apeloi për një bashkëpunim më të fuqishëm ndërmjet të gjitha subjekteve politike shqiptare, për të qenë më unikë dhe më zemërgjerë.
Ndërkaq, kryetari i nderit i LD në MZ-së, Mehmet Bardhi, duke përshëndetur dhe përmendur ata që kanë kontribuuar në themelimin e kësaj partie, ndër të tjera u ndal te zgjedhjet e para shumëpartiake, përkatësisht te marrëveshja tripartiake e nënshkruar më 12 nëntor 1990 ndërmjet Partisë së Aksionit Demokratik në Mal të Zi, LD në MZ-së dhe Partisë së Barazisë, për zgjedhjet e 9 dhjetorit 1990, me të cilën në zgjedhjet parlamentare dolën me emrin Koalicioni Demokratik.
“Në zgjedhjet e para shumëpartiake parlamentare e lokale, që u mbajtën më 9 dhjetor 1990, si koalicion fituam 13 mandate (deputetë): Lidhja – 4 deputetë (Gjergj Gjokaj, Tahir Pereziqi, Mustaf Çapuni dhe Xheladin Zeneli, të cilin pas një kohe e zëvendësoi Skender Hoxha); SDA CG (Partia e Aksionit Demokratik) fitoi 9 deputetë. Në zgjedhjet vendore në Ulqin fituam gati dy të tretat. Kryetar i Kuvendit u zgjodh Mehmet Bardhi, ndërsa i Këshillit Ekzekutiv Shaban Dollaku”, theksoi Bardhi.
Ai falënderoi të gjithë nismëtarët, themeluesit, anëtarët, veçanërisht ata që, siç u shpreh, në ato kohë përballeshin me përndjekje të vazhdueshme, si dhe familjarët dhe përkrahësit që i kanë mbështetur deri më sot.
“Me punë e angazhime vetëmohuese e demokratike u organizuam t’u themi ndal plaçkitjeve që, në lëmi e forma të ndryshme, po vazhdojnë edhe sot”, u shpreh ndër të tjera Bardhi.
Ai shtoi se aktivitetet dhe angazhimet e tyre duhet të vazhdojnë më me përkushtim, për të shkuar më para.
Në pjesën ceremoniale të aktivitetit përshëndetën edhe kryetari i Forcës së Re Demokratike dhe i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, dhe ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, Fatmir Gjeka.Në këtë mbrëmje solemne, LD në MZ shpalosi rrugëtimin 36-vjeçar të veprimtarisë së saj, rolin dhe kontributin në jetën politike shqiptare, mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të shqiptarëve, si dhe ruajtjen dhe afirmimin e vlerave kombëtare.

T. Ujkaj

Të fundit

më të lexuarat