Dokumentim i historisë së Krajës

Studiuesi dhe profesori Hajrullah Koliqi është protagonist dhe folës kryesor i dokumentarit “Kraja e Shkodrës”, përmes të cilit solli një pasqyrë të historisë, gjeografisë, trashëgimisë kulturore dhe lidhjeve të hershme të Krajës me Shkodrën. Ndërkaq, dokumentari “Konti i Ljares” trajton historinë e familjes fisnike Junkaj, e cila, sipas autorit Gecaj, ka ruajtur titullin e kontit për 746 vjet

Historia, trashëgimia dhe kujtesa historike e trevës së Krajës u sollën në vëmendje përmes premierës së dy dokumentarëve “Kraja e Shkodrës” dhe “Konti i Ljarës”, me autor dhe regjisor Vranin Gecajn, të shfaqur në Galerinë e Qendrës për Kulturë në Ulqin.
Dokumentari “Konti i Ljares” trajton historinë e familjes fisnike Junkaj, e cila, sipas autorit, ka ruajtur titullin e kontit për 746 vjet. Përmes dëshmive dhe rrëfimeve historike, filmi sjell në pah lidhjet e hershme familjare, kulturore dhe historike të Krajës me Shkodrën. Në dokumentar kontribuon edhe Prof. Dr. Hajrullah Koliqi, i cili shpjegon veçoritë historike dhe identitare të kësaj treve.
Studiuesi dhe profesori Hajrullah Koliqi është protagonist dhe folës kryesor i dokumentarit “Kraja e Shkodrës”, përmes të cilit solli një pasqyrë të historisë, gjeografisë, trashëgimisë kulturore dhe lidhjeve të hershme të Krajës me Shkodrën. Me njohuritë dhe rrëfimin e tij, Koliqi shpalosi veçoritë historike dhe identitare të kësaj treve, duke e kthyer dokumentarin në një dëshmi të rëndësishme për ruajtjen e kujtesës historike.
Duke përshëndetur të pranishmit, regjisori Vranin Gecaj shprehu kënaqësinë për prezantimin e filmave në Ulqin dhe tregoi se ideja për realizimin e tyre lindi nga lidhjet e tij familjare me familjen Junkaj.
“Përmes lidhjeve familjare kontaktova Mark Junkun dhe familjen e tij, me të cilët arritëm ta realizojmë këtë projekt. Më pas, në bashkëpunim me profesor Hajrullah Koliqin, vendosa që kjo nismë të shndërrohej në një trilogji dokumentarësh kushtuar kësaj treve”, u shpreh Gecaj.
Ai bëri të ditur se trilogjia përfshin filmat “Kraja e Shkodrës”, “Konti i Ljarës” dhe dokumentarin e tretë, kushtuar arbëneshëve të Zarës, të cilët kanë prejardhje nga Shestani.
“Qëllimi im është ta sensibilizojmë këtë zonë, e cila është shumë e bukur dhe me histori të pasur, dhe t’i ftojmë ata që kanë emigruar të kthehen në tokat e tyre, të investojnë dhe ta ringjallin atë”, theksoi Gecaj.
Ai vlerësoi edhe kontributin e bashkëpunëtorëve në realizimin e dokumentarëve, duke theksuar se projekte të tilla nuk mund të realizohen pa përkushtimin dhe ndihmën e njerëzve që e njohin dhe e çmojnë këtë trashëgimi.
Në përfundim të aktivitetit, Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi i ndau regjisorit Vranin Gecaj mirënjohje për kontributin e veçantë që jep përmes realizimit të këtyre dokumentarëve.
Mirënjohjen ia dorëzoi kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, Faik Nika, me motivacionin “Për kontributin e veçantë në dokumentimin dhe promovimin e trashëgimisë historike, kulturore dhe kombëtare të trevës së Krajës përmes realizimit të dokumentarëve, duke sjellë dëshmi dhe materiale me vlerë të veçantë për identitetin dhe kujtesën historike të saj.”

Dafina Teliqi – Rexha

Të fundit

më të lexuarat