Përndjekja e intelektualëve shqiptarë në arsim

Në muajin shtator të këtij viti janë bërë 45 vjet nga organizimi i seminareve me punonjësit e arsimit në gjuhën shqipe në Mal të Zi. Këto seminare, të organizuara pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, kishin për qëllim goditjen e arsimit shqip në Malin e Zi, punonjësve të arsimit dhe intelektualëve shqiptarë, të cilët shiheshin si rrezik dhe kërcënim për shtetin. Një pjesë e mësimdhënësve atdhetarë të cilët nuk pranuan të nënshtroheshin nën presionin e pushtetit, u dënuan me dënime të ndryshme – burgosje, largim nga puna, vërejtje për parapërjashtim nga puna etj. Lidhur me këtë temë deri tani është shkruar pak. Në librin e tij “Pozita kushtetuese-juridike dhe politike e shqiptarëve në Mal të Zi nga viti 1945-1990” autori Hajrullah Hajdari e ka trajtuar këtë çështje në kuadër të kapitullit që iu kushtohet ngjarjeve dhe zhvillimeve që patën ndikim në jetën e shqiptarëve në Malin e Zi. Prandaj, në këtë përvjetor “Koha javore” do të botojë në disa vazhdime, në formë fejtoni, një pjesë nga ky libër. “Koha javore” fton pjesëmarrësit e seminareve apo edhe të tjerët që kanë dijeni për të dhënë kontributin e tyre lidhur me këtë temë

Hajrullah Hajdari

Menjëherë pas ngjarjeve në Kosovë, të cilat u cilësuan si nacionaliste dhe irredentiste, arsimi dhe kultura, arsimtarët dhe shkollat në gjuhën shqipe në Mal të Zi u vunë në shënjestër të kritikave duke u cilësuar si vatra të nacionalizmit shqiptar. Në çdo tubim të njerëzve punues apo mbledhje të Organizatës Themelore të Lidhjes Komuniste (OTHLK) arsimi dhe kultura shqipe u cilësuan si të rrezikshme dhe kërcenuese për marrëdhëniet e mira ndërnacionale dhe ruajtjen e vëllazërim-bashkimit të popujve jugosllavë. Për këto dukuri negative fajësoheshin planprogramet mësimore, sidomos të gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe historisë, si dhe arsimtarët e shkollave shqipe, veçanërisht të këtyre lëndëve mësimore.
Posa përfundoi viti shkollor 1980/1981, Sekretariati Republikan për Arsim, Kulturë dhe Shkencë ndërmori aksionin për reduktimin e planprogrameve mësimore të shkollave shqipe në Mal të Zi, me qëllim të cungimit maksimal të tyre, sidomos të Gjuhës e letërsisë shqipe dhe Historisë. Nga planprogramet e Gjuhës dhe letërsisë shqipe duhej të hiqeshin të gjithë shkrimtarët që jetonin e punonin në Shqipëri dhe të zëvendësoheshin me shkrimtarë sllavë, megjithëse ata nxënësit shqiptarë i mësonin në lëndën e gjuhës serbokroate, ndërsa lënda e historisë duhej të pasurohej me njësi mësimore nga e kaluara e popullit sllav. Qëllimi kryesor ishte që viti i ri shkollor 1981/1982 të fillojë me planprograme të reja, të adaptuara sipas dëshirës së politikës aktuale në Mal të Zi, që për shqiptarët s’ishte tjetër veçse fillimi i ndrydhjes së qenies dhe vetëdijes shqiptare me qëllimin përfundimtar – asimilimin e tyre. Për arritjen e këtij qëllimi, siç do të shohim më vonë, ishte e nevojshme që nga sistemi arsimor të largohen kuadrot më të mirë shqiptarë në shkollat shqipe në mënyrë që projekti i tyre të realizohet sa më lehtë e me sukses.
Për këto qëllime, Enti Republikan për Përparimin e Shkollave në bashkëpunim me Këshillin Pedagogjik, Sekretariatin Republikan për Arsim, Kulturë dhe Shkencë dhe Bashkësitë Vetëqeverisëse të Interesit për shkollat fillore dhe të mesme, në shpejtësi e pa një përgatitje paraprake të mirëfilltë, organizoi disa seminare me punonjësit e arsimit në gjuhën shqipe. (DACG, AO Ulcinj, FSKJ, 1981, Informatë e Entit Republikan për Përparimin e Shkollave, OPB Puna shkencore hulumtuese për përparimin e edukimit dhe arsimimit, mbi mbajtjen e seminarit për punëtorët e arsimit të cilët mbajnë mësim në gjuhën shqipe në RS të Malit të Zi.)
Në informatën e Entit Republikan për Përparimin e Shkollave theksohet se në kuadër të programit për aftësimin profesional, pedagogjik dhe ideopolitik të arsimtarëve të shkollave fillore dhe të mesme për vitin 1981, ky institucion në bashkëpunim me Këshillin Pedagogjik të Republikës Socialiste të Malit të Zi, Sekretariatin Republikan për Arsim, Kulturë dhe Shkencë dhe Bashkësitë Republikane Vetëqeverisëse të Interesit për arsimin e mesëm dhe fillor në gjuhën shqipe, në Tuz, Plavë dhe Ulqin, prej 19-27 shtator 1981, ka organizuar seminare për punonjësit e arsimit. Seminarët kanë qenë dyditorë, në të cilët kanë marrë pjesë afër 400 punonjës të arsimit. Në Tuz dhe Ulqin, në punën e seminarit kanë marrë pjesë të gjithë arsimtarët të cilët në këto shkolla japin mësim në gjuhën serbokroate.
Temat e seminarit kanë qenë: (DACG, AO Ulcinj, FSKJ, 1981, Informatë…, fq. 1)

  1. Çështjet aktuale të gjendjes shoqërore-politike dhe ekonomike në vendin tonë;
  2. Rezultatet e arritura në fushën e arsimit dhe kulturës të kombësisë shqiptare në Mal të Zi;
  3. Funksioni ideoedukativ i shkollës dhe përgjegjësitë e faktorit subjektiv në realizimin e edukimit ideor e marksist dhe arsimimi i gjeneratave të reja;
  4. Projekti i programit të përkohshëm të lektyrave për shkollat fillore dhe përdorimi i librave;
  5. Projekti i programit të përkohshëm të Gjuhës dhe letërsisë shqipe për shkollat e mesme dhe përdorimi i librave;
  6. Projekti i programit të përkohshëm të Historisë për shkollat fillore dhe përdorimi i librave;
  7. Projekti i programit të përkohshëm të Historisë për shkollat e mesme dhe përdorimi i librave.
    Ligjërues në seminare kanë qenë: Angjellko Kovaçeviq – sekretar organizativ i Komitetit Qendror të LKMZ-së (në Tuz), Dr. David Dashiq – sekretar ekzekutiv i KQ të LKMZ-së (në Plavë), Dr. Avdyl Kurpejoviq – drejtor i Entit Republikan për Planifikim (në Ulqin), Dr. Bozhina Ivanoviq – sekretar republikan për Arsim, Kulturë dhe Shkencë, Fadil Taipoviq – kryetar i Komitetit Republikan për Turizëm në Mal të Zi, Ramë Dukaj – këshilltar për arsim në Entin Republikan për Përparimin e Shkollave, Lucë Lucaj dhe Pjetër Dreshaj – këshilltarë në Entit Arsimor-Pedagogjik në Titograd, Gjergj Berishaj – drejtor i Shkollës së Mesme “25 Maji” në Tuz, Mirko Gjuranoviq dhe Marko Gvozdenoviq.
    Qëllimi i këtyre seminareve ka qenë që punonjësve të arsimit të cilët punojnë në shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe t’u jepen disa informata mbi disa çështje aktuale shoqërore-politike dhe ekonomike, mbi të arriturat dhe zhvillimin e mëtejshëm të arsimit, kulturës dhe shkencës të kombësisë shqiptare në RS të Malit të Zi, për funksionin ideoedukativ të shkollës dhe përgjegjësinë e faktorit subjektiv në realizimin e edukimit dhe arsimimit ideor dhe marksist të nxënësve. (vijon)
    (Marrë nga libri “Pozita kushtetuese-juridike dhe politike e shqiptarëve në Mal të Zi (1945-1990)”), Art Club, Ulqin, 2021)

Të fundit

më të lexuarat