Integrimi evropian dhe investimet zhvillimore në fokus të takimit

Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, priti të martën, më 17 nëntor 2026, në një vizitë pune ministren e Çështjeve Evropiane, Maida Gorçeviq. Vizita u zhvillua në kuadër të projektit të Bashkimit Evropian EU4ME – “Mbështetje për komunikimin e procesit të integrimit evropian”.
Kryetari Nimanbegu bëri të ditur se gjatë takimit e kishte informuar ministren për planet zhvillimore të Komunës, investimet e parapara, projektet infrastrukturore dhe nevojën për rritjen e kapaciteteve institucionale me qëllim të shfrytëzimit sa më efikas të fondeve të Bashkimit Evropian.
Duke folur për rëndësinë e integrimit evropian, ai theksoi se pakicat kombëtare kanë një rol kyç në këtë proces.
”Ne kemi qenë të fokusuar në integrimet evropiane për 20 vjet, prandaj ky proces paraqet një lloj kurorëzimi të aspiratave tona për t’iu bashkuar një shoqërie më të mirë dhe më të drejtë. Miratimi dhe zbatimi i ligjeve dhe standardeve evropiane për pakicat nënkupton mirëqenie më të madhe, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë juridik“, u shpreh Nimanbegu.
Ai theksoi se, krahas perspektivës evropiane, Ulqini përballet edhe me sfida të shumta zhvillimore, duke nënvizuar nevojën për përshpejtimin e investimeve nga ana e institucioneve shtetërore.
Në këtë kontekst, Nimanbegu përmendi disa projekte me rëndësi strategjike për komunën dhe rajonin, ndër të cilat ndërtimin e urës mbi lumin Buna, realizimin e autostradës Adriatiko-Joniane, si dhe përshpejtimin e procesit të projektimit të portit të Ulqinit në Lima.
Po ashtu, ai ngriti edhe çështjen e Ligjit për të Mirat Detare, duke kërkuar eliminimin e, siç e cilësoi, padrejtësisë që i bëhet Komunës së Ulqinit përmes dispozitave të këtij ligji.
Ministrja e Çështjeve Evropiane, Maida Gorçeviq, theksoi se Mali i Zi është një nga vendet që ruan kulturën dhe identitetin e vet dhe se pikërisht këto janë vlerat evropiane që dëshirojmë t’i marrim më vete në Bashkimin Evropian.
“Gjatë takimit diskutuam për sfidat në rrugën drejt integrimit evropian, si dhe për procesin nëpër të cilin ka kaluar Mali i Zi për përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga kapitujt e negociatave. Folëm për përmbylljen e këtij procesi dhe përcjelljen e dokumentacionit përkatës në Bruksel dhe te shtetet anëtare të BE-së. Gjithashtu, diskutuam edhe për atë që e pret Malin e Zi në ditën e parë të anëtarësimit në BE“, është shprehur ajo.
Agjenda e vizitës përfshiu edhe takimin me përfaqësuesit e OJQ “Mogul“ dhe gratë sipërmarrëse të Ulqinit, vizitën në Shkollën e Mesme ”Vëllazërim-Bashkim“, ku me nxënësit u diskutua për rëndësinë e integrimit evropian, si dhe vizitën në Parkun Natyror ”Kriporja e Ulqinit“, me fokus në mbrojtjen dhe promovimin e vlerave natyrore të këtij lokaliteti.

Dafina Teliqi – Rexha

Të fundit

më të lexuarat