Testament i fuqishëm moral e intelektual i mendimit të lirë

”Qani Osmani ishte ndër të paktët sociologë që i hyri në mënyrë profesionale çështjeve shoqërore e politike të shqiptarëve këtu. Vepra e tij e fundit është një obligim moral e kolegial dhe do të shërbejë si referencë e pazëvendësueshme për studimet e ardhshme“, u shpreh Dr. Nail Draga

Në ambientet e Qendrës për Kulturë në Ulqin, në një atmosferë plot emocione, u mbajt mbrëmja përkujtimore me rastin e njëvjetorit të ndarjes nga jeta të sociologut, publicistit dhe intelektualit të shquar, Qani Osmani. Kjo ngjarje e veçantë shërbeu njëkohësisht edhe për promovimin e librit të tij të gjashtë, botuar pas vdekjes, i titulluar ”Shkruaj, sepse ekzistoj!“, një vepër që vjen si një testament i fuqishëm moral e intelektual i mendimit të lirë.
Aktiviteti, i cili u hap dhe u moderua nga Gazmend Çitaku, bëri bashkë familjarë, drejtues institucionesh, studiues, kolegë e artdashës të shumtë. Të pranishmit nderuan figurën e Osmanit, i lindur në Gostivar e i arsimuar në Prishtinë, si një nga zërat më origjinalë, më koherentë dhe më me integritet të inteligjencës shqiptare.
Paneli shkencor, letrar e gazetarsk zbardhi dimensione të veprimtarisë sociologjike, publicistike dhe njerëzore të autorit.
Dr. Nail Draga, folësi i parë në këtë panel, vuri në dukje se Qani Osmani ishte ndër sociologët e paktë që i hyri me kompetencë shkencore e profesionalizëm analizës së raporteve shoqërore e politike të shqiptarëve në Mal të Zi gjatë periudhës së tranzicionit. Ai numëroi gjithashtu pesë botimet e mëparshme të autorit (”Demokracia dhe partitë politike shqiptare në Mal të Zi“ – 2016, ”Vizione“ – 2018, ”Identiteti përballë nënshtrimit“ – 2020, ”Mes zhgënjimit dhe nënshtrimit“ – 2023 dhe ”Shqiptarët dhe vitet e tranzicionit“ – 2024), duke e vlerësuar librin e ri si një pikë referimi të pazëvendësueshme për studimet e ardhshme.
”Qani Osmani ishte ndër të paktët sociologë që i hyri në mënyrë profesionale çështjeve shoqërore e politike të shqiptarëve këtu. Vepra e tij e fundit është një obligim moral e kolegial dhe do të shërbejë si referencë e pazëvendësueshme për studimet e ardhshme“, u shpreh Dr. Draga.
Në fjalën e tij, gazetari dhe bashkëpunëtori i afërt Ali Salaj pasqyroi me vërtetësi e forcë karakterin e panënshtruar të Osmanit dhe përplasjen e tij parimore me mjedisin ku veproi.
Ai vuri në dukje se Osmani mbushi një vakuum të madh analitik dhe ruajti me fanatizëm pavarësinë e informacionit sa kohë që drejtoi gazetën ”Koha javore“.
”Qani Osmani ishte një mendimtar i pavarur që i rezistoi konformizmit, servilizmit dhe logjikës së turmës. Ai nuk e dha kurrë mendjen me qira, nuk u bë ‘argat i askujt’ dhe ruajti dinjitetin e vet profesional e njerëzor deri në fund“, theksoi gazetari Ali Salaj.
Ai nënvizoi se mospërkujtimi i tij nga forcat politike apo mjedisi ku kontribuoi dëshmon një lloj injorance shoqërore, duke e bërë këtë botim pas vdekjes një detyrim moral e historik për dinjitetin e autorit.
Më tej, gazetari Esat Mehmeti solli kujtime prekëse nga miqësia e tyre e hershme, që nga bankat e studimit. Ai theksoi se sot nuk duhet të mbajmë zi për vdekjen, por të festojmë jetën, fjalën e lirë dhe gjurmët e pashlyeshme që ai la pas.
Atmosfera u pasurua edhe nga interpretime me ndjenjë të Luljeta Avdiu – Curës, e cila lexoi pjesë të zgjedhura nga libri, duke përçuar te publiku mesazhin ekzistencial të autorit: ”Lexoj, pra jam; shkruaj, pra ekzistoj“.

Mesazhi i familjes dhe
përjetësia e veprës
Mjaft emotive ishte fjala e vajzës së madhe të të ndjerit, Albina Markasheviq, e cila foli në emër të familjes. Ajo shprehu falënderime për të gjithë bashkëpunëtorët që mundësuan këtë botim e mbrëmje përkujtimore, duke e cilësuar babanë e saj si një edukator të parimeve të forta.
”Ti nuk je më fizikisht mes nesh, por jeton në çdo hap tonin, në çdo faqe të librave të tu dhe në çdo përqafim të fëmijëve tanë. Sa të jetë emri yt i shqiptuar me dashuri, ti do të jesh gjithmonë i përjetshëm“, përmbylli me lot e krenari ajo fjalën e saj.
Mbrëmja përkujtimore në Ulqin u mbyll me mesazhin se megjithëse Qani Osmani u nda nga jeta një vit më parë, vepra, mendimi kritik dhe udhërrëfyesi i tij intelektual do të mbeten të gjalla e të pashlyeshme në kulturën shqiptare.

Eliana Peku

Të fundit

më të lexuarat