Këto ditë doli nga shtypi numri 19-20 i revistës “Dija”, revistë vjetore për shkencë, art dhe kulturë e Bashkimit të Krijuesve Shqiptarë në Malin e Zi. Ky dynumërsh sjell për lexuesin poezi, prozë, ese, studime, histori e traditë ulqinake. Ai hapet me një thënie të Lao Cé-së (rreth viteve 604-531 p.e.s.):
Nëse jeni depresiv, jetoni në të kaluarën.
Nëse jeni në ankth, jetoni në të ardhmen.
Nëse jeni të qetë, jetoni në të tashmen.
Zgjedhja nuk është e rastësishme. Lexuesi i “Dije”-s ka mësuar të presë prej saj pikërisht këtë: një ndalesë të qetë në të tashmen, ku e kaluara e qytetit dhe e krahinës lexohet pa ankth, e ku e ardhmja nuk shtyhet nga frika, por ndërtohet me punë e me kujtesë.
Numri ka gjithsej 223 faqe dhe u botua me mbështetjen financiare të kryetarit të Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, përmes konkursit për subvencionimin e projekteve të personave fizikë që merren me veprimtari kulturore.
Kujtimi i dy emrave të humbur në vitin 2025
Numri hapet me një kujtim për Qani Osmanin (1960-2025) dhe Ibrahim Berjashin (1948-2025). Për Osmanin shkruan Ismet Karamanaga, ndërsa Hajredin Kovaçi i kushton Berjashit një shkrim në njëvjetorin e ndërrimit jetë. Berjashi është i pranishëm edhe me vargjet e tij “E gëzosh emrin e bibliotekës”, ndërsa Osmani me studimin “Identiteti kombëtar në sfidat e kohës”.
Letrare
Poezia shqipe hapet me një cikël të gjatë të Hajro Ulqinakut, tërësisht kushtuar detit. Poezi sjellin gjithashtu Xhevahir Spahiu, Halil Matoshi, Arjan Kallço, Shefkije Islamaj, Arian Leka, Rita Petro, Rina Kovaçi, Jaho Kollari dhe Sulejman Dërmaku.
Seksioni i poezisë së Ballkanit sjell Jasna Shamiqin, Tanja Bakiqin, Jelena Neleviq Martinoviqin, Jovan Nikollaidisin dhe Tin Ujeviqin. Poezia botërore përfshin Alda Merinin, Çarls Bukovskin, Marta Rivera Garridon, Elizabet Greçin dhe Lucilla Trapazonin. Në prozë janë Jaho Kollari, Nexhat Halimi, Argëzon Sulejmani dhe Dushko Millaçiq.
Ese dhe Ex-libris
Në “Ese” shkruajnë Jovan Nikollaidis me tekstin “Kuptimi në pakuptimësi” mbi dadaizmin, dhe kryeredaktori Gazmend Çitaku me “Valdanosi – epopeja e ullirit dhe simfonia e detit”. Rubrika “Ex-libris” përmban vlerësime për libra të autorëve ulqinakë: Jaho Kollari, Rozafa Shpuza, Sidorela Berishaj, Ali Gjeçbritaj dhe Naim Berisha shkruajnë mes të tjerash për Aventurat e Dorartit dhe për “varkën” shkencore të Hajro Ulqinakut.
Studimore, histori, gjeografi, traditë
Studimet e këtij numri janë të Qani Osmanit, Dr. Nail Dragës dhe Majlinda Kurtit mbi varësinë nga ekrani. Në rubrikën e historisë hyjnë Dr. Anton Lulgjuraj, Mustafa Canka, Sami Flamuri, Hajredin S. Muja dhe Naim Flamuri, që shqyrton pretendimet serbe mbi Skënderbeun.
Gjeografia sjell artikujt e Dr. Ervis Krymbit mbi përshkrimet e studiuesve të huaj në paraqitjen e hartave të trojeve shqiptare, dhe Dr. Maksut Xh. Haxhibrahimit mbi veçoritë hidrografike të lumit Buna.
Rubrika e traditës sjell Gazmend Çitakun (Sahatkulla në Ulqin, 1754, dhe arka e nuses, arka e pajës), Dr. Maksut Xh. Haxhibrahimin (Krojet e vendbanimeve rurale të prapavijës së Ulqinit), Muhamed Gjokajn (Aquaeductus Docleae, Via e Dukjanit), Arben Berjashin (“Shtëpia që ndërtoi civilizim”, trashëgimia kulturore e Krajës), Ali Gjeçbritajn (Tezjehu/tezjahu) dhe Zenepa Likën (Kriporja e Ulqinit, forca e heshtur e trashëgimisë industriale).
Numri mbyllet me një udhëpërshkrim nga Qezi dhe Adem Pajaziti.
Numri i parë i revistës “Dija” doli në vitin 2003.
Sami Flamuri
