Në Pazarin e Vjetër të Suvenireve në Ulqin, të dielën (25 tetor 2026) u mbajt edicioni i dytë i Festës së Kafesë, një manifestim që solli atmosferë festive, muzikë dhe traditë, duke mbledhur qytetarë dhe vizitorë të shumtë. Aktiviteti synoi të promovojë trashëgiminë kulturore të qytetit dhe të pasurojë ofertën turistike.
Manifestimi u organizua nga OJQ ”Globus Art“, në bashkëpunim me Komunën e Ulqinit, Organizatën Turistike dhe bizneset vendase.
Një nga veçoritë e kësaj feste ishte prezantimi i përgatitjes së kafesë në gur dhe në rërë, një mënyrë tradicionale që tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve. Krahas saj, vizitorët patën mundësi të njihen me punimet e artizanëve, ndërsa programi muzikor e pasuroi edhe më shumë mbrëmjen.
Në skenë u paraqitën Grupi “Marinarët” nga Ulqini, këngëtarët Isra Elmazi dhe Edlira Shkurti, violinistja Herta Toska, si dhe Esspresivo Band.
Kryetari i OJQ ”Globus Art“ dhe organizatori i manifestimit, Ramiz Hajdari, theksoi se qëllimi është që përmes aktiviteteve të tilla të ruhet tradita dhe të krijohen mundësi për bashkimin e qytetarëve.
”Synimi ynë është që përmes këtyre ngjarjeve të mbajmë gjallë traditën dhe t’u ofrojmë qytetarëve e vizitorëve tanë momente të bukura bashkimi. Ky nuk është aktiviteti i fundit për këtë vit, pasi organizime e evente të ngjashme festive do të na presin edhe në periudhën vijuese, përpara festave të Vitit të Ri“, u shpreh ai.
Violinistja Herta Toska, e cila është shpesh e pranishme në Ulqin në kuadër të aktiviteteve kulturore të organizuara nga OJQ ”Globus Art“, ishte sërish pjesë e programit muzikor të kësaj feste. Përmes interpretimit të saj, ajo solli muzikën më pranë publikut në ambientin tradicional të Pazarit të Vjetër të Suvenireve.
Pjesë e programit ishte edhe këngëtarja 13-vjeçare Isra Elmazi nga Kërçova e Maqedonisë së Veriut, e cila e cilësoi pjesëmarrjen në këtë manifestim si një përvojë të veçantë, duke veçuar mikpritjen dhe reagimin pozitiv të publikut ulqinak.
Festa e Kafesë synon që të shndërrohet në një traditë të përvitshme në Ulqin. Përmes ndërthurjes së gastronomisë tradicionale, artizanatit dhe muzikës, kjo ngjarje synon të ruajë identitetin kulturor të qytetit dhe të krijojë përmbajtje të reja për zhvillimin e turizmit kulturor edhe jashtë sezonit veror.
Organizatori Ramiz Hajdari shprehu mirënjohjen për të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e edicionit të dytë të Festës së Kafesë. Ai falënderoi sponsorin e përgjithshëm, Organizatën Turistike të Ulqinit, si dhe Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, Ndërmarrjen “Veprimtaritë Komunale” dhe Komunën e Ulqinit për mbështetjen e dhënë.
Falënderime të veçanta pati edhe për bizneset dhe të tjerët që e përkrahën manifestimin: HD Ulqini, LD në MZ, Kallaba Company, Kafe Ulqini, Gragjacomerc, Hotel Llolla, SHPK “Parking Servisi” dhe Pemëtore Besa.
Dafina Teliqi – Rexha
