Kontribuues për arsimin, gjuhën dhe kulturën shqiptare

“I ndjeri Mirash Gojçaj, së bashku me Gjergj Dakun Gjokaj, i vunë themelet e forta redaksisë e cila vitin e kaluar kremtoi 60-vjetorin e punës së pandërprerë të informimit në gjuhën shqipe. Në atë kohë Gjergj Gjokaj ishte themeluesi dhe redaktori i parë i redaksisë, kurse Mirash Gojçaj gazetar dhe folës i pazëvendësueshëm, siç thoshte edhe vetë Gjergji për të”, u shpreh Marash Dedvukaj

Të mërkurën mbrëma, më 12 gusht 2026, në Qendrën Kulturore-Informative “Malësia” në Tuz, Redaksia e Programit në gjuhën shqipe e Radios së Malit të Zi, në bashkëpunim me familjarë të të ndjerit, organizuan një “orë përkujtimore” kushtuar 50-vjetorit të vdekjes së arsimtarit, gazetarit dhe intelektualit Mirash Lucë Gojçajt.
Fillimisht, si njohës dhe bashkëpunëtor i kohës, foli profesori Gjergj Camaj, i cili solli evokime nga jeta dhe veprimtaria shumëdimensionale shoqërore e intelektuale, sidomos atë në fushën e arsimit.
Camaj veçoi, ndër të tjera, kontributin e zellshëm të Gojçajt për gjuhën shqipe në këto treva, por dhe për historinë kombëtare.
“Gojçaj përveçse kishte guximin, ai ishte edhe patriot. Mendimi dhe bindja ime është se Mirashi gëzonte një besim, një respekt edhe te pushtetarët e Komunës së Titogradit (Podgorica e sotme). Në atë kohë, në kohën e monizmit, të Partisë Komuniste, ishte pak e ndjeshme që të flitej për historinë kombëtare. Por, Mirashi ka qenë i guximshëm dhe ai atë respekt që ka gëzuar, e ka shfrytëzuar që shkolla që ishte katërklasëshe në Arzë, të bëhej tetëklasëshe, edhe pse në kushte shumë të vështira”, theksoi Camaj.
Ai kujtoi edhe kontributin e tij në fushën e medias, duke thënë se ai nuk përtonte të shkonte në skajet më të largëta të vendeve ku jetonin shqiptarët në Malin e Zi për të bërë kronika dhe për të shënuar e dokumentuar ngjarje nga jeta e përditshme e tyre.
Ndërkaq, gazetari dhe redaktori i Programit të Popujve Pakicë në Radion e Malit të Zi, Marash Dedvukaj, shpalosi kujtime nga veprimtaria e Mirash Gojçajt në fushën e gazetarisë, si gazetar që punoi disa vite në Redaksinë e Programit në gjuhën shqipe në këtë radio.
“I ndjeri Mirash Gojçaj, së bashku me Gjergj Dakun Gjokaj, i vunë themelet e forta redaksisë e cila vitin e kaluar kremtoi 60-vjetorin e punës së pandërprerë të informimit në gjuhën shqipe. Në atë kohë Gjergj Gjokaj ishte themeluesi dhe redaktori i parë i redaksisë, kurse Mirash Gojçaj gazetar dhe folës i pazëvendësueshëm, siç thoshte edhe vetë Gjergji për të”, u shpreh Dedvukaj.
Ai shtoi se Mirashin e karakterizonin virtytet më të larta njerëzore, puna, përgatitja profesionale, edukimi familjar, shkathtësia, bujaria, e veçanërisht thjeshtësia.
“Ishte njeri i fjalës dhe besës, dinte të punonte në heshtje por edhe të ngriste zërin nëse kjo ishte e domosdoshme. Dhe të gjitha këto në shërbim të së vërtetës dhe gjithnjë drejt së mirës së përgjithshme”, theksoi në mes tjerash Dedvukaj.
Falë entuziazmit dhe përkushtimit të tij të pashoq, shtoi ai, Mirashi në secilin vend që studioi dhe punoi la gjurmë të pashlyera dhe krijoi autoritet, si në Prishtinë, Gjakovë, Shkup dhe Malësi.
Ndërkaq, gazetari Gjokë Dukaj, si hulumtues i veprimtarisë së Mirash Gojçajt në fushën e gazetarisë dhe të publicistikës, paraqiti një profil më të plotë të kontributit të tij intelektual, veçanërisht të atij në media.
“Veprat e mira jetojnë gjatë dhe për këtë arsye jemi tubuar sonte këtu të përkujtojmë Mirash Gojçajn, i cili punoi dhe veproi në një periudhë kur çdo shkronjë dhe çdo rresht i publikuar nga këto treva, kushtuar vlerave apo halleve nga e përditshmja e njerëzve tanë, kishte domethënie të veçantë dhe rëndësi të shumëfishtë e afatgjatë”, u shpreh ai.
Duke iu referuar artikujve të publikuar nga Gojçaj në shtypin e kohës, si ‘Titogradska tribina’ (disa artikuj të vitit 1970), Dukaj tha se ai përmes tyre trajtonte probleme jetike për banorët e këtushëm, si në infrastrukturë, shkolla etj.
Dukaj ka thënë se Gojçaj, duke qenë bashkëpunëtor edhe i gazetave e revistave të kohës në Prishtinë, Shkup e qendra të tjera, dëshmon qartë se ai ishte vërtet i përkushtuar të shënojë dhe të grumbullojë sa më tepër përmbajtje të ndryshme, duke i ruajtur ato nga dhëmbi i harresës.
Ndërkaq, në emër të familjarëve të familjes Gojçaj përshëndeti Atë Pashko Gojçaj, i cili foli gjerësisht mbi figurën, veprimtarinë dhe virtytet morale e njerëzore të cilat e karakterizonin Mirash Gojçajn.
Ai theksoi, ndër të tjera, se fusha e veprimtarisë së tij ka qenë trekëndëshi institucional: kishë, shkollë dhe radio.
“Si gazetar i spikatur ka ditur të marrë nga Kisha atë që i ka munguar, shkollës dhe gjeneratave të reja t’u japë atë çfarë u është dashur për formim dhe radion si burim informacioni e ka shfrytëzuar për përmasat e gjera”, u shpreh Atë Patër Gojçaj.
Ai shtoi se fakti që nën patronazhin e Misionit Françeskan në Tuz, në vitin 2006, u shënua tridhjetëvjetori i vdekjes së Mirashit, “flet më së miri se çfarë marrëdhëniesh kishte ai me Kishën”.
“Ju kujtoj se me këtë rast, përpos tjerash, u botua libri ‘Thesaret e Malësisë’ dhe u xhirua filmi dokumentar ‘Pishtar i kulturës së Malësisë – Mirash Luca Gojçaj’, i xhiruar dhe i shfaqur në Detroit”, theksoi ndër të tjera Gojçaj.
Në këtë orë përkujtimore u kujtua dhe u vlerësua kontributi i Mirash Gojçajt si mësues, gazetar, studiues i folklorit dhe mbledhës i trashëgimisë gojore shqiptare. Ai u lind në vitin 1933 në fshatin Skorraq të Hotit dhe vdiq në vitin 1976.

T. Ujkaj

Të fundit

më të lexuarat