Forumi Shqiptar ka kërkuar nga kryeministri Millojko Spajiq realizimin e detyrimeve nga marrëveshja për formimin e Qeverisë së 44-t të Malit të Zi, të cilat, sipas kësaj partie nuk janë realizuar ose janë realizuar në masën jo të duhur.
Dokumenti që i është dërguar kryeministrit të Malit të Zi përfshin disa kërkesa, të grupuara në katër shtylla kryesore: Partneriteti politik, zbatimi i marrëveshjes dhe përgjegjësia institucionale; Të drejtat e shqiptarëve, përfaqësimi politik dhe mundësitë e barabarta; Decentralizimi, financat lokale dhe zhvillimi kapital; Ekonomia, bujqësia dhe konkurrueshmëria.
Sa i përket partneritetit politik dhe zbatimit të marrëveshjes, kjo parti vëren se “gjatë marrjes së disa vendimeve që ndikojnë drejtpërdrejt në të drejtat dhe interesat legjitime të popullit shqiptar, Forumi Shqiptar dhe komunat ku shqiptarët përbëjnë shumicën nuk janë konsultuar me kohë dhe nuk është arritur harmonizimi politik”.
Në fushën e të drejtave të shqiptarëve, përfaqësimit politik të tyre dhe mundësive të barabarta, Forumi Shqiptar tërheq vërejtjen se “në praktikë, nuk është siguruar zbatimi i qëndrueshëm i Ligjit për të Drejtat dhe Liritë e Pakicave dhe i Ligjit për përzgjedhjen, përdorimin dhe shfaqjen publike të simboleve kombëtare. Të drejtat e garantuara me ligj nuk mund të varen nga interpretimi arbitrar dhe as të kufizohen në mënyrë selektive”.
Ky subjekt politik kërkon që “përmes ndryshimeve në legjislacionin zgjedhor, listave autentike zgjedhore të popullit shqiptar duhet t’u sigurohet një numër i garantuar mandatesh të deputetëve në Kuvendin e Malit të Zi, përmes një modeli të veçantë të masave afirmative, i cili nuk do të varet ekskluzivisht nga pragu i përgjithshëm zgjedhor, pjesëmarrja në zgjedhje ose matematika momentale zgjedhore”. Numri i mandateve të garantuara dhe mënyra e ndarjes së tyre do të përcaktohej saktësisht me ligj.
Disa prej kërkesave në fushën e decentralizimit dhe zhvillimit të komuniteteve lokale kanë të bëjnë me përcaktimin dhe miratimin e një ligji të ri për të mirat detare, i cili do t’u sigurojë kompetenca më të mëdha komunave bregdetare dhe një ndarje më të drejtë të të hyrave;
zgjidhjen e çështjes së statusit të Ulqinit si qytet; përfundimin e përcaktimit të kufijve administrativë dhe ndarjen e pasurisë ndërmjet Komunës së Tuzit dhe Kryeqytetit; përgatitjen e një pakete masash për decentralizimin politik, administrativ dhe fiskal; nisjen e dialogut institucional dhe përgatitjen e një analizë juridike, ekonomike dhe territoriale për formimin e Komunës Urbane të Krajës, e cila do të përfshinte bashkësitë lokale Ostros dhe Gjyraç, me një model të qartë të kompetencave dhe financimit.
Nga Forumi Shqiptar kanë thënë se presin që kryeministri të sigurojë realizimin e detyrimeve të marra përsipër dhe të kërkesave të përfshira në këtë dokument, me afate të qarta dhe përgjegjësi të përcaktuar të institucioneve kompetente.
“Kërkojmë që Qeveria të paraqesë një përgjigje me shkrim brenda 30 ditëve dhe që brenda të njëjtit afat të mbahet një takim ndërmjet kryeministrit dhe përfaqësuesve të Forumit Shqiptar. Përgjigjja me shkrim nuk mund të jetë vetëm një deklarim formal, por duhet të përmbajë një plan veprimi të plotë dhe të zbatueshëm, i cili për secilin detyrim përcakton institucionin kompetent, personin përgjegjës, mjetet e nevojshme, afatet ndërmjetëse, afatin përfundimtar dhe rezultatin e pritshëm”, thuhet në dokumentin dërguar kryeministrit të Malit të Zi.
Pavarësisht realizimit të kërkesave, Forumi Shqiptar ka deklaruar se kjo në asnjë mënyrë nuk do të vinte në pikëpyetje mbështetjen e tyre parlamentare për agjendën evropiane, stabilitetin politik dhe projektet me interes strategjik për Malin e Zi.
“Forumi Shqiptar, si parti politike shtetformuese, do të vazhdojë të mbështesë në Kuvendin e Malit të Zi të gjitha detyrimet që lidhen me rrugën drejt Bashkimit Evropian, si dhe projektet kyçe zhvillimore dhe ekonomike të orientuara drejt rritjes së standardit të jetesës së qytetarëve”, thuhet në dokument, duke shtuar se nëse brenda afateve të përcaktuara nuk arrihet përparim i dukshëm në vendosjen e marrëdhënieve të partneritetit, respektimin e Marrëveshjes dhe realizimin e detyrimeve të marra përsipër, organet kompetente të Forumit Shqiptar do të shqyrtojnë formën dhe nivelin e pjesëmarrjes së tyre të mëtejshme në pushtetin ekzekutiv.
(Kohapress)
