Nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi dhe miqësie

Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, së bashku me nënkryetarët e Komunës së Ulqinit dhe deputetin në Kuvendin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq, pritën të enjten (24 shtator 2026) në vizitë zyrtare një delegacion nga Republika e Italisë, me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit dhe Miqësisë ndërmjet Komunës së Ulqinit dhe Komunës së Grossetos.
Delegacioni italian përbëhej nga kryetari Fausto Turbati, shefi i kabinetit të kryetarit të Komunës, Arturo Bernardini, senatori Manuel Vescovi, sipërmarrësi në sektorin agroushqimor Federico Guidotti, si dhe Daniela Vegni dhe Martina Cappelletti.
Në deklaratën për shtyp të zyrës së kryetarit të Komunës së Ulqinit thuhet se gjatë takimit u diskutua për mundësitë e avancimit të bashkëpunimit dhe lidhjes ndërmjet dy komuniteteve lokale, me theks të veçantë në turizëm, kulturë, sport, arsim, bujqësi dhe prodhim vendor.
Pjesa qendrore e vizitës ishte nënshkrimi i Marrëveshjes së Bashkëpunimit dhe Miqësisë, me të cilën u konfirmua gatishmëria e përbashkët për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Ulqinit dhe Grossetos, shkëmbimin e përvojave dhe realizimin e nismave të përbashkëta.
Marrëveshja njëkohësisht përfaqëson hapin e parë drejt lidhjes më intensive ndërmjet dy komunave dhe hap mundësinë për binjakëzimin e ardhshëm të Ulqinit dhe Grossetos.
Kryetari Nimanbegu shprehu kënaqësinë për vizitën e delegacionit italian dhe vendosjen e bashkëpunimit institucional, duke theksuar rëndësinë e lidhjes së Ulqinit me komunitetet lokale evropiane dhe krijimin e mundësive të reja për projekte të përbashkëta në interes të qytetarëve të të dyja komunave.
Bashkëbiseduesit shprehën gatishmërinë që marrëveshja e nënshkruar, në periudhën e ardhshme, të konkretizohet përmes aktiviteteve dhe nismave që do t’i lidhin edhe më shumë Ulqinin dhe Grosseton.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat