Plavë – Kryetari i Malit të Zi Jakov Millatoviq ka qëndruar të enjten, më 8 tetor 2026, në vizitë njëditëshe pune në komunën e Plavës. Atë e pritën dhe i dëshiruan mirëseardhje stafi drejtues i Komunës së Plavës, në krye me kryetarin Nihad Canoviq dhe kryetarin e Kuvendit të Komunës, Allen Balliq, me të cilët ka biseduar mbi projektet kyçe zhvillimore, sfidat infrastrukturore dhe ardhmërinë e kësaj treve.
Kujdes i veçantë gjatë takimit i është kushtuar mbrojtjes dhe rivitalizimit të liqenit të Plavës dhe avancimit të ofertës turistike lidhur me liqenin në fjalë. Kryetari Millatoviq ka thënë se bëhet fjalë për projektin e rëndësishëm për Plavën dhe tërë Malin e Zi, të cilin shteti do ta realizojë me mbështetje të Bankës Botërore.
“Liqeni i Plavës është potencial i madh natyror dhe zhvillimor. Mbrojtja e tij duhet të bëhet bashkë me investime të mençura në turizëm dhe në përmbajtjet të cilat krijojnë vlerë të re për bashkësinë lokale. Jam i sigurt se qytetarët e Plavës do të kenë shumë dobi nga ky projekt”, ka thënë kryetari Millatoviq, duke shtuar se Plava ka potenciale të jashtëzakonshme natyrore, njerëz të vyeshëm dhe diasporën e fuqishme.
“Qëllimi ynë është që të gjitha ato përparësi t’i shndërrojmë në mundësi konkrete për zhvillim dhe jetesë më të mirë të qytetarëve. Dëshiroj që Plava të jetë vend ku hapen vende të reja pune, jetohet më mirë dhe të rinjtë e shohin ardhmërinë e vet. Sepse zhvillimi i drejtë matet me cilësinë e jetës së njerëzve”, ka nënvizuar ai.
Si projekt i dytë i rëndësishëm zhvillimor është veçuar aksi rrugor Plavë-Deçan dhe vendosja e sërishme në funksion e vendkalimit kufitar në Çakorr.
“Përmes aktiviteteve të mia diplomatike shtesë do të angazhohem që në bisedat me palën kosovare këtë çështje ta vëmë në fokus. Hapja e kalimit kufitar në Çakorr do të avanconte qarkullimin e njerëzve dhe turistëve, shkëmbimin e mallit dhe shërbimeve dhe do të hapte mundësi të reja zhvillimore për Plavën”, ka porositur kryetari i Malit të Zi, Jakov Millatoviq.
Gjatë vizitës së tij, kryetari Millatoviq ka vizituar edhe paralelen e ndarë në fshatin Vojno Sellë të Shkollës fillore “Hajro Shahmanoviq”, ku ka biseduar me nxënësit dhe personelin mësimor, kurse me gjimnazistët e Shkollës së mesme të përzier “Beqo Bashiq” ka biseduar mbi integrimet evropiane, pozitën e të rinjve dhe të ardhmen e Malit të Zi.
“Është me rëndësi që të rinjtë kanë mundësi që drejtpërdrejt të bisedojnë me kryetarin e shtetit dhe t’i parashtrojnë pyetje. Njëra prej fuqive të Malit të Zi është ajo që të bisedojmë haptas me njëri-tjetrin. Këtë praktikë dëshiroj t’ua përcjelli edhe gjeneratave të reja”, ka thënë në fund kryetari i Malit të Zi, Jakov Millatoviq.
Sh. Hasangjekaj
