Shtet qytetar apo nacional?!

Në botën moderne nuk ka vetëm shtete nacionale apo vetëm shtete qytetare (civile). Në esencë, të gjitha ato janë shtete nacionale në kuptimin politik, por jo dhe në kuptimin etnik, ndonëse në nivele të ndryshme të zhvillimit të shoqërisë civile. Prandaj, nuk ka asnjë dilemë - shtet qytetar (civil) apo shtet nacional?! Dilema e vërtetë mund të jetë vetëm - shtet demokratik ose jodemokratik

Nikë Gashaj

Në shtetet bashkëkohore, qytetaria është forcë kryesore e unitetit, por dhe kombësia është e pranishme në të gjitha vendet multietnike, madje edhe në demokracitë e zhvilluara. Bëhet fjalë për lidhjen e ngushtë midis strukturës qytetare dhe asaj kombëtare të shoqërisë.
Prandaj, nëse ka orvajtje për të hequr elementin etnokulturor nga koncepti i shtetit, për të krijuar shtetin e pastër qytetar (civil), ky është iluzion, meqenëse me shlyerjen e ndonjë fenomeni nga fusha e teorisë, normave juridike dhe nga politika, nuk do të thotë se ai nuk ekziston ose është zhdukur nga realiteti dhe jeta. Sepse, trashëgimtari i identifikimit të kombit dhe shtetit është më së shpeshti kombi shumicë, i cili mund të synojë drejt unitarizimit kombëtar me një parashenjë qytetare.
Në Francë, për shembull, zyrtarisht nuk ekziston dallim midis “shumicës” dhe “pakicës”, por me çfarë kostoje? Minoritetet janë të rrezikuara ndaj një procesi “demokratik” të asimilimit në një komb shumicë, i cili, për të lehtësuar atë humbje “bujarisht” heq dorë nga identiteti i tij në favor të një identiteti të përbashkët qytetar-civil. Qëndrimi është se të gjithë qytetarët janë shtetas të Francës, prandaj nuk ka nevojë për kodifikim të të drejtave të veçanta për pakica kombëtare. Mirëpo, duke pasur parasysh praninë shumëmilionëshe të popullsisë afrikane në Francë, vërtet kujdesi për “pastërtinë” e shtetit civil nga parimi kombëtar nuk paraqet progres demokratik të shoqërisë. Në anën tjetër, realiteti është i tillë që një francez do të thotë për veten e tij se ai është një qytetar i shtetit francez, por si francez, në kuptimin kombëtar. Në të njëjtën kohë, një algjerian që jeton në Francë do të thotë për veten e tij se ai është një shtetas francez, por si algjerian dhe jo si francez.
Megjithëse Franca nuk e njeh zyrtarisht kategorinë e pakicave kombëtare, dihet përgjithësisht se ajo ka probleme etnike në territorin e saj, gjë që e ilustron më së miri rasti i Korsikës. Në kuadër të sistemi juridik francez është bërë një përjashtim, respektivisht është pranuar se një pjesë e territorit dhe e popullsisë që jeton atje të ketë një trajtim të veçantë, për shkak të karakteristikave të tyre historike dhe gjeografike, gjuhësore dhe kulturore. Andaj, në vitin 1991, zyrtarisht u krijua statusi special për Korsikën (“kolektivi territorial i Korsikës”). Rendi ligjor francez kërkonte të vendoste një lloj ekuilibri, d.m.th. të mos shkelë parimin e barazisë, por gjithashtu të njohë diversitetin duke ia mundësuar Korsikës që të qeverisë në mënyrë efikase në territorin e saj. Barazimi i shtetit dhe kombit në disa shoqëri lindore dhe juglindore mori një drejtim kah dominimi i kombit shumicë. Parimi qytetar (civil) është keqpërdorur ashtu që të drejtat civile dhe politike janë kryesisht “dekorim” i sistemit.
Demokracia liberale është larg nga ajo që shteti nacional është i mbrapsur në histori. Nëse do të ishte e vërtetë që shteti qytetar (civil) është i mundur vetëm si shtet postnacional, atëherë në Evropë sipas këtij kriteri nuk do të kishte shtete qytetare (civile)! Sepse, me pak përjashtime, të gjitha shtetet moderne janë kombëtarisht të përbëra dhe të ndërlikuara.
Në botën moderne nuk ka vetëm shtete nacionale apo vetëm shtete qytetare (civile). Në esencë, të gjitha ato janë shtete nacionale në kuptimin politik, por jo dhe në kuptimin etnik, ndonëse në nivele të ndryshme të zhvillimit të shoqërisë civile. Prandaj, nuk ka asnjë dilemë – shtet qytetar (civil) apo shtet nacional?! Dilema e vërtetë mund të jetë vetëm – shtet demokratik ose jodemokratik.
E ardhmja dhe demokracia e qëndrueshme e një shteti shumëkombësh reflektohet në faktin se elementet konstitucionale shtetërore janë të ndara në të gjitha bashkësitë etnonacionale në mënyrë të barabartë, ku kombi shumicë ose kombi numerikisht më i madh nuk gëzon ndonjë status të privilegjuar, përveç ndoshta që shteti mban emrin e tij. Por në këtë situatë, pasi që shumica etnike mund të anojë kah disa privilegje, është e domosdoshme mbrojtja ligjore e të drejtave individuale dhe kolektive të pakicave etnonacionale.
Shoqëria mund të jetë liberale dhe e drejtë nëse e respekton diversitetin. Prova e vërtetë e demokracisë nuk qëndron vetëm në lidhje me individin, por edhe me pakicat kombëtare. Prandaj, në shtetet shumëkombëshe ekziston gjithmonë një problem aktual në marrëdhëniet midis shumicës dhe pakicës. Tokvili (Alexis de Tocqueville) ka theksuar se parimi i shumicës së demokracisë shkel të drejtat e pakicave kombëtare dhe zakonisht shpien drejt “tiranisë së shumicës”. Karl Poper, duke u mbështetur në Greqinë e Lashtë dhe në disa përvoja të kohëve të fundit, konstaton se parimi i demokracisë nuk do të thotë se shumica është gjithmonë në të drejtë. Shumica mund të bëjë gabime të mëdha. Nuk duhet harruar që ardhja e Hitlerit në pushtet ishte legjitime dhe se autorizimet e tij diktatoriale i fitoi nga shumica parlamentare. Në Austri, mbi 90 për qind të votuesve i dhanë mbështetjen e tyre Hitlerit në momentin vendimtar. Prandaj, përfundon Poper, parimi i legjimitetit nuk është i mjaftueshëm.
Në këtë drejtim, pyetja kryesore është se si të zbatohet demokracia dhe të shmanget majorizimi i shumicës mbi pakicën, në veçanti në bashkësitë shumëkombëshe? Sepse, nëse parimi i vendimmarrjes së shumicës zbatohet, pa asnjë kufizim, në mjedise multinacionale, ai mund të sjellë pasoja jodemokratike. Gjegjësisht, ai mund të shërbejë si një mjet i kombit shumicë për të imponuar interesat e tij të ngushta kombëtare si interesa të përgjithshme të shtetit. Kështu, në një mjedis heterogjen, parimi i shumicës, nga mjeti i qeverisjes demokratike mund të shndërrohet në një instrument të sundimit reaksionar, hegjemonist dhe të dhunshëm.
Së fundi, në çdo rast, zgjidhjet, veçanërisht në rajonin tonë, nuk mund të kërkohen as në parimin e liberalizmit klasik “një shtet – një komb” ose në utopinë e modeleve postnacionale të bashkësisë njerëzore. Ajo është, siç do të thoshte Dominik Shnaper, njëfarë lloji e “utopisë kreative”. Andaj, mund të konstatohet se është më afër realitetit koncepti i shtetit demokratik, i cili është në të njëjtën kohë bashkësi e qytetarëve dhe bashkësi kolektive kombëtare, si një formë e ekulibrit historik të parimit qytetar dhe kombëtar.

Të fundit

më të lexuarat