
Dikur Malësia kishte burra që dilnin në mbrojtje të trojeve. Sot ka komisione, arbitrazhe, harta, avokatë dhe ekspertë që duhet të vendosin se kujt i takon ajo që brezat e mëparshëm e konsideronin të shenjtë. Rasti i Malësisë, në raport me ndarjen administrative ndërmjet Tuzit dhe Podgoricës, na përball me një qasje tejet komplekse, me perceptime të ndryshme në interpretim dhe, me një ironi të thellë simbolike.
Propozimi i Ministrisë së Administratës Publike të Malit të Zi që avokati Anton Markiqi të jetë kryetar i mundshëm i arbitrazhit, vetvetiu më solli ndër mend figurën e njohur historike të Malësisë, Prek Calin. Jo për t’i barazuar historikisht, por për të kuptuar se, edhe kur kohët ndryshojnë, disa çështje të Malësisë duket se mbeten përherë të hapura.
Prek Cali ishte një nga figurat që mishëroi qëndresën e Kelmendit dhe të Malësisë në kohën kur kufijtë përcaktoheshin nga interesat e Fuqive të Mëdha, me komisione ndërkombëtare dhe me pretendime territoriale. Në anën tjetër, Anton Markiqi nuk di se çka do të mishërojë, por dihet se do të ketë një përgjegjësi të rëndësishme për procesin, pasi bëhet fjalë për statusin territorial të Tuzit, pronën publike, kompetencat e pushtetit lokal dhe interesat afatgjata të qytetarëve.
Kjo përgjegjësi do të jetë edhe më e madhe po të kemi parasysh se qytetarët e Malësisë janë shndërruar në një shoqëri të medieve sociale, me aftësinë për të nxitur dhe ndezur debate dhe kritika të skajshme, ashtu si në gjithë hapësirën ku jetojnë shqiptarët në Malin e Zi. Përdorimi i Facebook-ut, platformës X, Instagram-it etj., si dhe debatet e zhurmshme përmes tyre, kanë nxitur shpesh anët më të errëta të natyrës njerëzore, duke i shpërfaqur ato dhe duke lënë në hije kulturën e komunikimit qytetar.
Anton Markiqi, si avokat me përvojë, me siguri e njeh polarizimin binar, i cili është bërë një tendencë e dukshme te shqiptarët në Mal të Zi, të cilët realitetin shpesh e shohin përmes dy kategorive të kundërta. Markiqi është mësuar me versionin e butë (soft) të Ulqinit, ku koncepti psikologjik përkufizohet përmes ndarjes në qytetarë dhe katundarë, ndërsa në Malësi ky stereotip është shumë më i ashpër (strong) dhe kategorizohet në patriotë dhe tradhtarë, që është një sfidë e pakapërcyeshme për procesin e arbitrazhit.
Ky polarizim pritet të kulmojë sidomos kur të trajtohen zonat e mosmarrëveshjes, pronat dhe pasuritë komunale, siç janë deponia “Livade”, Fundna, Trieshi, liqeni i Rikavecit dhe shumë çështje të tjera. Çfarëdo kriteri juridik, kadastral e administrativ që të zbatohet, vështirë se mund të garantohet që asnjëra palë të mos e perceptojë si humbje territoriale apo pasurore një vendim që, në bazë të ligjit, mund të jetë plotësisht i drejtë.
Është ky një mision i vështirë, thuajse i pamundur (Mission impossible), që kërkon përpjekje të jashtëzakonshme, por që nuk garanton domosdoshmërisht një rezultat të kënaqshëm. Për këtë arsye, Anton Markiqi, si ekspert i njohur në fushën drejtësisë, duhet të jetë i vetëdijshëm për rreziqet dhe barrierat e shumta që do ta shoqërojnë në këtë rrugëtim.
Rreziku do të jetë veçanërisht i madh në një mjedis të mbushur me stereotipe dhe paragjykime, sepse historia te shqiptarët, në mënyra të veçanta, e përsërit veten. Ndonjëherë këtë e bën si tragjedi, ndonjëherë si farsë, dhe herë tjera si një ironi tejet e hidhur.
