
Pas përfundimit të Festivalit të Lahutës në malet e Hotit, mendoj se ndoshta duhet të flasim më shumë për diçka që është më e madhe se një festival.
Shpesh flasim për kulturën, trashëgiminë, traditat dhe rëndësinë e ruajtjes së tyre. Por ndonjëherë harrojmë të bëjmë një pyetje shumë të thjeshtë: Ku jeton ajo kulturë?
Shumë prej traditave që sot prezantohen në qytete, festivale dhe skena të ndryshme, kanë lindur në male dhe komunitete që për breza i kanë mbajtur gjallë. Prandaj, ndoshta nuk është gjithmonë qyteti ai që duhet ta sjellë kulturën në qendër. Ndonjëherë qyteti duhet të kthehet te vendi prej nga ajo kulturë ka ardhur.
Në Mal të Zi ka aktivitete të rëndësishme që lidhen me traditën dhe jetën malore, përfshirë ato në Plavë, Zhablak dhe zona të tjera malore. Por shumë prej tyre zhvillohen në qendra ku qasja është më e lehtë dhe ku ekziston tashmë një infrastrukturë për vizitorët.
Ajo që po përpiqemi të bëjmë në Galerinë Hoti është pak më ndryshe. T’i çojmë njerëzit më thellë në mal, atje ku rruga nuk është gjithmonë e lehtë, ku nuk ka dyqane në çdo hap, ku nuk ka komoditetin e qytetit dhe ku jeta vazhdon me një ritëm tjetër. Sepse nëse duam që njerëzit e maleve të vazhdojnë të jetojnë aty, nuk mjafton vetëm t’u themi se duhet ta ruajnë traditën. Duhet t’u tregojmë se ajo traditë ka vlerë; se dikush është i gatshëm të udhëtojë deri tek ata; se kultura nuk i përket vetëm qytetit; se mali nuk është vetëm një vend për t’u fotografuar gjatë pushimeve, por një vend ku ende jetojnë njerëz, kujtime, histori dhe mënyra jetese që qyteti nuk mund t’i krijojë nga e para.
Sepse ekziston një rrezik që duhet ta mendojmë seriozisht. Nëse njerëzit largohen nga malet dhe fshatrat mbeten bosh, çfarë ndodh me kulturën që ata kanë mbajtur gjallë?
Nëse nuk ka më njerëz që e këndojnë këngën, që e tregojnë historinë, që e njohin rrugën, zakonin, instrumentin dhe kujtesën e vendit, kush do ta ruajë atë kulturë?
Nuk mund ta ruajmë një kulturë vetëm duke e vendosur në një skenë qyteti një herë në vit. Duhet të ruajmë edhe vendin, njerëzit dhe jetën që e kanë mbajtur atë kulturë gjallë. Prandaj mendoj se ministritë e kulturës, institucionet lokale dhe organizatat kulturore duhet të fillojnë ta shohin malin jo vetëm si destinacion turistik, por si një hapësirë të gjallë kulturore që ka nevojë për vëmendje, aktivitete dhe investim.
Festivali i Lahutës në Hot mund të jetë vetëm një hap i vogël. Por ndoshta pikërisht nga hapa të tillë fillon një ndryshim.
Qyteti dhe mali nuk duhet të jenë dy botë të ndara. Duhet të fillojnë të flasin me njëri-tjetrin.
Sepse kur kujdesemi për malin, nuk po ruajmë vetëm malin, por po ruajmë një pjesë të asaj që jemi.
