Britania dhe Lidhja e Prizrenit

Në fillim të janarit të vitit 1878, Tivari u pushtua nga malazezët gjatë një armëpushimi që ishte nënshkruar në mes të Portës dhe Rusisë, por të cilin malazezët nuk e respektuan. Më 10 janar, komandanti i Ushtrisë Malazeze, Misho Vrbica, i informoi autoritetet otomane në Shkodër për kapitullimin e Tivarit dhe për përzënien e ushtarëve së bashku me tërë popullsinë nga qyteti

Daut Dauti

Disa ditë më herët, popullsia shqiptare katolike ishte evakuuar dhe vendosur në Budvë nga austro-hungarezët. Ushtria Malazeze e okupoi edhe Ulqinin dhe vazhdoi duke e masakruar dhe përzënë popullatën vendase të atij rajoni. Shkodra, brenda pak ditësh, u vërshua me refugjatë.
Problemi i refugjatëve u bë çështje ndërkombëtare dhe e vuri në pozitë të rëndë Portën dhe Fuqitë e Mëdha. Në Stamboll, ambasadori austro-hungarez, konti Zichy i deklaroi ambasadorit britanik Henri Layard-it se qeveria në Vjenë ndjehej e turpëruar për faktin se 30.000 refugjatë shqiptarë u gjenden papritmas në territorin austro-hungarez. Vjena nuk ishte e përgatitur për një situatë të tillë. Në Vilajetin e Kosovës u shënua i njëjti problem me refugjatët të cilët e vërshuan këtë vend pas masakrave dhe përzënies nga Ushtria Serbe. Më 28 prill, Heri Kuper, nënkonsulli britanik, u takua në Prishtinë me Rifat Pashën, valiun e këtij qyteti. Sipas Rifat Pashës, Kosova ballafaqohej me 200.000 refugjatë. Pasi që nuk kishte as ushqim për refugjatët, pasha kërkoi ndihmë nga britanikët. Refugjatët, të cilët pas e kishin lënë tërë pasurinë, e destabilizuan situatën, por pasha nuk mund të bënte gjë në këtë drejtim.

Lufta që dënoi shqiptarët
Në fillim të marsit 1878 përfundoi lufta ruso-turke. Rusët dolën fitimtarë dhe e kërcënonin Stambollin. Prandaj, më 3 mars e detyruan Portën që të nënshkruante Marrëveshjen e Shën Stefanit dhe si rezultat u krijua Bullgaria autonome. Kufijtë e këtij shteti depërtuan thellë në tokat shqiptare, kurse Serbia dhe Mali i Zi, pasi që u gjenden në anën ruse, morën pjesë të mëdha të vilajetit të Kosovës dhe Shkodrës.
Ky ishte një shqetësim i madh për shqiptarët dhe kjo marrëveshje i detyroi që të vetëorganizoheshin dhe ta merrnin në dorë fatin e Shqipërisë. Krerët shqiptarë reaguan shpejt duke organizuar kuvende në shumë pjesë të veriut dhe lindjes. Më 18 mars, në Stamboll, ambasadori britanik e pranoi një memorandum të dërguar nga krerët shqiptarë. Shqiptarët me ngulm po e kundërshtonin krijimin e një Bullgarie që po shtrihej tej Shkupit, Korçës dhe Ohrit për t’u ndalur thellë në Shqipërinë dhe Kosovën e sotme. Protesta drejtohej edhe kundër zgjerimit të Serbisë dhe Malit të Zi në tokat shqiptare.
Më 8 maj, Layard e dërgoi edhe një shkresë në Londër me të cilën bënte me dije se shqiptarët, myslimanë dhe të krishterë, të veriut dhe vendeve të tjera që i kishte prekur Traktati i Shën Stefanit, protestonin kundër aneksimit të tokave të tyre. Shqiptarët kërkonin ‘ndërhyrjen e Anglisë që t’i shpëtonte nga ky fat’. Ata theksonin se nuk mund të përfshiheshin në shtetet e tjera që kishin përreth siç ishte Serbia, Bullgaria dhe veçanërisht Mali i Zi. Nëse ishin të shtyrë të jetonin në Mal të Zi, ata më parë do të ‘vdisnin duke luftuar’. Më 18 maj Layard pranoi edhe një letër me karakter të njëjtë nga shqiptarët e Kosovës. Edhe banorët e Dibrës i dërguan një peticion kundër përfshirjes së tyre në Bullgari. Ambasadori britanik në Stamboll dhe konsulli Kirby Grin në Shkodër vazhduan të pranonin edhe telegrame të tjera të kësaj natyre. Lëvizjet e shqiptarëve të Shkodrës me rrethinë, Grin i interpretoi si rezultat të një skeme të shqiptarëve dhe italianëve kundër Greqisë.

Traktati që luhati besimin e shqiptarëve në aftësitë e Portës së Lartë
Grin, pasi që e analizoi Traktatin e Shën Stefanit, i dërgoi një letër këshillëdhënëse eprorit të tij në Londër, Salisbury-it. Mali i Zi, sipas tij, po trefishohej nga territori. Kufijtë e Malit të Zi me Shqipërinë tashti ishin tërësisht ndryshe nga ajo që ai kishte propozuar Foreign Office një vit më herët. Propozimi i tij ishte që qeveria britanike nuk duhej kurrsesi ta pranonte këtë marrëveshje e cila po krijonte trazira serioze te shqiptarët dhe që do të rezultonte me probleme të mëdha në Ballkan. Grin, në raportimet e veta nuk shprehte aspak simpati për nacionalizmin shqiptar dhe, si i tillë nuk njihej mik i shqiptarëve, por shprehu brengë për situatën e krijuar. ‘Barriera e cila mundet dhe që duhet të krijohet kundër depërtimit sllav, është thyer’ – shkroi Grin, në mes tjerash, në një raportim të tij. Grin, me këtë rast kishte bëri me dije se depërtimi sllav në Shqipëri kishte domethënie të daljes së Rusisë, nëpërmjet Serbisë dhe Malit të Zi, në Adriatik. Kjo ishte një gjë që e brengoste seriozisht Londrën dhe këtu qëndronte një pikë e përbashkët në mes programit nacional shqiptar dhe interesave britanike.
Traktati i Shën Stefanit e luhati seriozisht besimin e shqiptarëve në aftësitë e Portës së Lartë. Grin vazhdoi të pranonte informata që bënin me dije se shqiptarët po aktivizoheshin. Tubime spontane të shqiptarëve po mbaheshin gjithandej veriut dhe lindjes së tokave shqiptare. Më 3 maj Grin raportoi në Foreign Office se shqiptarët po përgatiteshin që t’i rezistonin çdo efekti që do të krijonte Traktati i Shën Stefanit. Në veri-perëndim shqiptarët kishin formuar një Lidhje me të cilin rast ishin betuar ‘që t’u rezistonin deri në vdekje tentimeve që vinin nga jashtë apo nga Qeveria Supreme [Porta] që ta ndryshonin situatën ekzistuese në territorin e tyre’. U ndërmorën hapa, në veri deri në Prishtinë, të krijoheshin lidhjet. Në lindje deri në Dibër dhe Ohër kurse në Jug, deri në Janinë. Këto veprime por edhe aktiviteti i intelektualëve shqiptarë në Stamboll, rezultuan me mbajtjen e një kuvendi të madh në Prizren ku do të shqyrtohej situata e krijuar dhe ku do të merreshin vendime. Kur u bë e ditur se Fuqitë e Mëdha do të mblidheshin në Berlin, shqiptarët shpejtuan në krijimin e një organizate gjithpërfshirëse që u quajt Lidhja e Prizrenit ose Lidhja Shqiptare.

Lidhja e Prizrenit dhe interesi i saj i përbashkët me politikën britanike
Porta nuk e pengoi mbajtjen e Kuvendit në Prizren e as nuk ndërhyri në aktivitetin e kësaj organizate. Kjo ishte arsyeja që shumë observues, përfshirë konsullin Grin, që të deklaronin se pas kësaj organizate qëndronte pushteti perandorak në Stamboll. Të tjerët, sidomos sllavët, në krye me rusët, besonin se Britania e Madhe qëndronte pas shqiptarëve në Prizren. Një numër i madh i politikanëve, intelektualëve dhe shtypit rus shkuan edhe më tutje duke deklaruar se Lidhja nuk ekzistonte, por ishte prodhim i shtypit britanik. Sipas tyre, Lidhja ishte një organizatë e imagjinuar të cilën e përdorte Porta për të penguar implementimin e Marrëveshjes së Kongresit të Berlinit. Kur u organizua rezistenca rreth kufirit me Malin e Zi, me qëllim që të mos dorëzoheshin Plava dhe Gucia, këta deklaruan se këto veprime nuk bëheshin nga shqiptarët për shkak se ata si komb nuk ekzistonin, por ky veprim bëhej nga një Lidhje Muslimane e cila ishte e ‘organizuar nga Porta’.
Në realitet rusët kishin frikë se shqiptarët do të përkraheshin nga Londra. Kur Kuvendi hyri në ditën e tretë të punimeve (13 qershor 1878), që ishte dita e parë e punës së Kongresit të Berlinit, Lidhja ia dorëzoi memorandumin kryeministrit britanik, Benjamin Disraelit. Memorandumi shprehte dëshirë dhe shpresë që çështja shqiptare të diskutohej në Kongres, së bashku me problemin e shpërbërjes së Perandorisë Otomane dhe krijimin e shteteve të reja në Ballkan. Me anë të këtij memorandumi, shqiptarët kërkuan që të përfaqësoheshin nga delegacioni britanik që udhëhiqej nga Disraeli. Memorandumi shprehte kërkesën e shqiptarëve që çështja e tyre të mos lihej kryesisht në dorë të Portës në aranzhimet e ardhshme konstitucionale dhe administrative. Kërkohej që një komision ndërkombëtar duhet të merrej me çështjen shqiptare, ashtu siç dihej se do të merrej me Bullgarinë. Nëse ndonjë fuqi evropiane do ta merrte përsipër çështjen shqiptare, ajo duhej të ishte Britania e Madhe. Memorandumi i refuzonte fuqitë tjera sidomos atë ruse. Në lidhje me arsyet pse Britania duhej të merrej me rastin e Shqipërisë, Memorandumi thoshte:
‘Vetëm Britania e Madhe mund ta marrë kërkesën tonë në dorë dhe ta paraqes në Kongres. Duke e bërë këtë, asaj nuk do t’i mungon përkrahja nga Fuqitë tjera të cilat e kanë njohur ekzistimin tonë politik dhe fatin tonë që nga momenti kur parimi i nacionalitetit u bë bazë primare e të drejtës publike evropiane. E pavarur nga çështja e drejtësisë, Britania e Madhe ka interes të madh që të krijojë një kordon për ta ndalur përparimin e invazionit sllav që të mos vërshojë kah Adriatiku. Ky kordon mundet dhe duhet patjetër të krijohet nga populli që është më së shumti i rrezikuar nga një kërcënim i madh i fqinjëve. […] Britania e Madhe, ajo qendër e vjetër dhe zonjë e lirisë për të gjithë popujt, e para nga të gjitha Fuqitë e ka njohur të drejtën e kombeve tjera për pavarësinë e tyre’.

Të fundit

më të lexuarat