Gjuha shqipe, e përjashtuar në komunikimin zyrtar me shkrim dhe me gojë

Udhëheqësi i projektit, Dr. Haxhi Shabani, ka thënë se njëri nga përfundimet kryesore është se “gjuha shqipe në Malin e Zi nuk është gjuhë bazë, përkatësisht e parë në të cilën hartohen dokumentet zyrtare jo vetëm në nivelin e intitucioneve qendrore, apo të themeluara nga niveli qendror, por as gjuhë bazë (e parë) e dokumenteve zyrtare që përdoren në qeverisjet vendore (lokale), në të cilat shqiptarët janë shumicë dërmuese, apo një pjesë e konsiderueshme, duke përfshirë edhe komunën e Ulqinit dhe të Tuzit”

Përdorimi i gjuhës shqipe në institucionet publike në komunat ku jetojnë shqiptarët në Malin e Zi është në nivel tejet të ulët dhe shqetësues, përkundër faktit se gjuha shqipe është në përdorim zyrtar sipas Kushtetutës së Malit të Zi dhe Ligjit për të drejtat dhe liritë e pakicave, tregojnë rezultatet e hulumtimit të kryer në kuadër të projektit “Pozita zyrtare e gjuhës shqipe në Malin e Zi”.
Rezultatet e këtij projekti janë prezantuar të premten, më 8 korrik 2022, në Librarinë “Ulqini”.
Udhëheqësi i projektit, Dr. Haxhi Shabani, ka thënë se njëri nga përfundimet kryesore është se “gjuha shqipe në Malin e Zi nuk është gjuhë bazë, përkatësisht e parë në të cilën hartohen dokumentet zyrtare jo vetëm në nivelin e intitucioneve qendrore, apo të themeluara nga niveli qendror, por as gjuhë bazë (e parë) e dokumenteve zyrtare që përdoren në qeverisjet vendore (lokale), në të cilat shqiptarët janë shumicë dërmuese, apo një pjesë e konsiderueshme, duke përfshirë edhe komunën e Ulqinit dhe të Tuzit”.
Përfundim tjetër i këtij hulumtimi mbi përdorimin me shkrim dhe me gojë të gjuhës shqipe në Malin e Zi në nivelet e ndryshme institucionale, është se “gjuha malazeze është gjuha bazë (e parë) të cilën e përdorin shqiptarët në Malin e Zi për të hartuar dokumentet zyrtare në strukturat e qeverisjes vendore (lokale) ashtu edhe qendrore si në: komuna, ndërmarrje publike vendore dhe qendrore, shkolla, gjykata, në sistemin bankar, tregti, turizëm, bujqësi e degë të tjera të ekonomisë dhe fushat e tjera”.
“Gjuha shqipe në Malin e Zi në dokumentet zyrtare është gjuhë e përkthyer dhe zakonisht del e dyta, krahas gjuhës malazeze. Pothuajse rregullisht ndodh që fillimisht dokumenti zyrtar hartohet nga shqifolësi në gjuhën malazeze dhe pastaj përkthehet në gjuhën shqipe. Kjo dukuri, siç është pohuar edhe në përfundimin e parë, e klasifikon gjuhën shqipe në dokumentet zyrtare si një gjuhë joorigjinale, por të përkthyer, edhe në situatën kur subjektet që e përdorin atë në këtë pozicion janë shqiptarë”, ka thënë Shabani.
Sa i përket përdorimit të dygjuhësisë, Shabani ka thënë se është i përhapur, por jo gjithpërfshirës në komunat në të cilat shqiptarët janë shumicë si në: Ulqin, Tuz e në Guci.
“Gjuha shqipe përdoret në këto komuna në dokumentet zyrtare, në mbishkrime e emërtime të ndryshme publike duke dalë si gjuhë e dytë, krahas gjuhës malazeze. Rrallë ndodh që ajo të përdoret përpara gjuhës malazeze”, ka thënë ai.
Bazuar në rezultatet e hulumtimit, Shabani ka theksuar se “gjuha shqipe është gjuhë e përjashtuar në komunikimin zyrtar me shkrim dhe me gojë në nivel të institucioneve lokale dhe qendrore si në dokumente zyrtare, mbishkrime dhe emërtime të ndryshme publike në komunën e Tivarit, e Plavës dhe Rozhajës. Përjashtim bëjnë disa mbishkrime në komunën e Plavës të cilat janë të shkruara edhe në gjuhën shqipe, por shqipja në kuadër të dokumenteve zyrtare është e papërfshirë. Në komunën e Tivarit dhe Rozhajës gjuha shqipe ka përdorim shumë të kufizuar publik vetëm në radiot lokale në këto dy komuna, në të cilat ka program shumë të kufizuar në gjuhën shqipe, si dhe në disa situata në institucionet fetare”.
Lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe në mbishkrimet publike ka folur Vjola Avdiu, bashkëpunëtore kryesore në projekt.
Ajo ka thënë se referuar të dhënave të grumbulluara vërehet se në Komunën e Ulqinit veçori kryesore dalluese është përdorimi i neutralitetit gjuhësor në mbishkrimet publike në masën 25 për qind.
“Në këtë kategori përfshihen kryesisht emërtimet që janë në gjuhën angleze apo jepen në forma të tjera të përgjithësuara ndërkombëtare”, ka theksuar ajo.
Sipas Avdiut, “veçori tjetër tipike për Komunën e Ulqinit është se mbishkrimet publike me karakter dygjuhësor (në gjuhën malazeze dhe në gjuhën shqipe) dhe me karakter njëgjuhësor (vetëm në gjuhën malazeze) kanë të njëjtin nivel të përdorimit me 22 për qind”.
Sa i përket Komunës së Tuzit, ajo ka thënë se “në mbishkrimet publike dominon përdorimi vetëm i gjuhës malazeze në masën 32 për qind. Më pas kemi edhe përdorimin e neutralitetit gjuhësor në masën 26 për qind, si dhe përdorimi me karakter dygjuhësor (në gjuhën malazeze dhe gjuhën shqipe) në masën 21 për qind”.
Nisur nga gjetjet e hulumtimit, për përmirësimin e pozitës dhe statusit zyrtar e publik të gjuhës shqipe në Malin e Zi rekomandohet ndërmarrja e masave konkrete “që shqiptarët në Malin e Zi, të vetëdijësohen për pozitën dhe statusin real të gjuhës shqipe, sidomos për përdorimin zyrtar e publik të saj, pasi që: së pari, gjuha e tyre amtare, shqipja, në vendet ku jetojnë ata në Malin e Zi në formë të shkruar e gojore ka përdorim tejet të kufizuar sidomos në administratën publike dhe, së dyti: gjuha shqipe, përveçse në Ulqin e Tuz, është gjuhë me përdorim shumë të reduktuar zyrtar – në Guci e Plavë, kurse në Tivar e Rozhajë – në përdorimin publik, është e përjashtuar”.
“Duhet të hartohen e realizohen fushata e projekte me përfshirje të gjerë, në mënyrë që shqiptarët në Malin e Zi të binden se përpjekjet për përdorimin e gjuhës shqipe, sidomos në situatat publike janë të drejta të tyre kushtetuese e ligjore të pranuara nga Mali i Zi zyrtar si dhe në nivel ndërkombëtar, që duhet të zbatohen në praktikë, sepse gjuha është thesari i tyre më i rëndësishëm kulturor e shpirtëror, përkatësisht tipari i tyre themelor kombëtar”, ka thënë udhëheqësi i projektit, Dr. Haxhi Shabani.
Projekti është mbështetur nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi.
Kryetari i KKSH-së, Faik Nika, e ka vlerësuar projektin shumë të rëndësishëm për identitetin kombëtar të shqiptarëve në Malin e Zi.
Ai ka thënë se KKSH është institucioni të cilit i takon përgjegjësia të monitorojë dhe të nxisë përdorimin e elementeve të cilat bëjnë dallimin e kombësisë shqiptare në krahasim me kombet tjera në Mal të Zi, që përbëjnë indin kryesor të identitetit tonë kombëtar, siç janë simbolet kombëtare dhe gjuha shqipe.
Nika ka nënvizuar se neni 13 i Kushtetutës së Malit të Zi sanksionon se gjuha shqipe është në përdorim zyrtar në Mal të Zi, ndërsa në Ligjin për të drejtat dhe liritë e pakicave, neni 11, paragrafi 2, thuhet se “Në njësitë e vetëqeverisjes lokale në të cilat pjesëtarët e popujve pakicë dhe të komuniteteve të tjera të pakicave nacionale përbëjnë shumicën ose një numër të konsideruar të popullsisë, sipas rezultateve të regjistrimit të fundit, në përdorim zyrtar është edhe gjuha e këtyre popujve pakicë dhe komuniteteve të tjera të pakicave nacionale”.
Sipas tij, normat kushtetuese dhe ligjore ua mundësojnë shqiptarëve në Malin e Zi përdorimin zyrtar të gjuhës amtare, por çështja është se sa përdoret ajo.
Projekti “Pozita zyrtare e gjuhës shqipe në Malin e Zi” është realizuar në periudhën kohore mars-qershor 2022, ku një kujdes i veçantë i është kushtuar punës në terren, e cila është realizuar gjatë periudhës 15 maj – 25 qershor 2022. Në fokus të projektit ka qenë vëzhgimi i përdorimit, i pozitës, i statusit, i situatave të ndryshme gjuhësore të shqipes në Malin e Zi, përkatësisht i përdorimeve të saj publike e zyrtare. Në këtë kuadër janë hulumtuar situatat e ndryshme gjuhësore në stukturat e ndryshme të qeverisjes vendore në komunat: Ulqin, Tuz, Guci, Plavë, Tivar e Rozhajë. Po ashtu hulumtimi ka përfshirë edhe nga një shkollë fillore dhe të mesme ku mësimi zhvillohet edhe në gjuhën shqipe në komunat: Ulqin, Tuz, Plavë dhe në shkollat fillore në Ostros (komuna e Tivarit) dhe në Dacaj (komuna e Rozhajës). Hulumtuesit kanë përdorur metoda, teknika e strategji të cilat janë konsideruar më të përshatatshme për realizimin e këtij projekti (studimi), si: studimi i situatave gjuhësore në dokumentet zyrtare në institucionet e qeverisjeve vendore, të shkollave dhe mbishkrimeve publike,janë anketuar zyrtarët në këto institucione, është realizuar intervistimi me nëpunës të zgjedhur, është bërë vëzhgimi i mbishkrimeve publike dhe faqeve zyrtare të komunave përkatëse.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat