Vjosa Osmani zgjidhet presidente e Kosovës

Osmani fitoi në raundin e tretë të votimit, ku morën pjesë 82 deputetë. Për të votuan 71 deputetë, ndërsa kundërkandidat kishte ish-kandidatin për deputet nga lista e Lëvizjes Vetëvendosje, Nasuf Bejtën, i cili nuk mori asnjë votë. Osmani, 39-vjeçare, ishte kandidate e Lëvizjes Vetëvendosje! për postin e presidentit, parti kjo që udhëheq edhe me Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës. Ajo është gruaja e dytë që mban postin e presidentit të Kosovës, pas Atifete Jahjagës

Me 71 vota për, Kuvendi i Republikës së Kosovës zgjodhi të dielën Vjosa Osmanin në postin e presidentes së Kosovës me mandat pesëvjeçar.
Osmani fitoi në raundin e tretë të votimit, ku morën pjesë 82 deputetë. Për kundërkandidat kishte ish-kandidatin për deputet nga lista e Lëvizjes Vetëvendosje, Nasuf Bejtën, i cili nuk mori asnjë votë.
Në këtë seancë nuk morën pjesë deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ata të Listës Serbe. Kuorumin për zgjedhjen e Osmanit ia mundësoi ish-partia e saj, Lidhja Demokratike e Kosovës, që është në opozitë, deputetët e komuniteteve nga pakicat joserbe, si dhe deputetja e AAK-së, Albena Reshitaj, dhe ajo e PDK-së, Adelina Grainca.
Osmani, 39-vjeçare, ishte kandidate e Lëvizjes Vetëvendosje! për postin e presidentit, parti kjo që udhëheq edhe me Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës.
Në adresimin e saj të parë pas zgjedhjes, Osmani tha para deputetëve se ky post e mvesh atë me përgjegjësi të madhe.
“Sot është dita kur vullneti juaj (i qytetarëve) i shprehur më 14 shkurt po jetësohet”, tha Osmani, e cila në zgjedhjet e 14 shkurtit, ishte personi më i votuar, duke siguruar mbi 300 mijë vota.
Osmani, e cila është gruaja e dytë që mban postin e presidentit, pas Atifete Jahjagës, tha se zgjedhja e saj në krye të shtetit jep edhe mesazhin për vajzat e vogla, se ato mund të arrijnë aty ku ato dëshirojnë.
“Sot Kosova zgjodhi edhe një herë një presidente grua, për të cilat vajzat e vogla që mund të jenë duke na shikuar në këto momente, shpresoj përherë ta mbani mend këtë që po e them tani: vajzat e kanë vendin vetëm aty ku vetë dëshirojnë, aty ku çdo natë ëndërrojnë, aty për çka punojnë fort e me zell”, tha ajo.
Presidentja Osmani tha se Kosova po jep shembull për përfaqësimin e gruas në institucionet shtetërore.
Osmani ka falënderuar aleatët e Kosovës, të cilët e kanë mbështetur shtetin ndër vite në rrugën drejt lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit.
Ajo tha se Kosova gjithmonë është mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria dhe u bëri thirrje aleatëve që të vazhdojnë të qëndrojnë pranë Kosovës “për qëllime të përbashkëta”, për integrimin e shpejtë euro-atlantik dhe për zhvillimin ekonomik.
Presidentja foli edhe për dialogun me Serbinë, duke thënë se paqja “do të arrihet vetëm nëse shohim pendesë nga Serbia”.
Osmani tha se drejtësi për Kosovën nuk mund të ketë derisa Serbia nuk do të sjellë para drejtësisë “kriminelët që kryen krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid ndaj popullit të Kosovës”.
Ajo u zotua se gjatë mandatit të saj pesëvjeçar do të jetë figurë unifikuese.
“Unë do të jem presidentja e juaj, presidentja e të gjithëve”, tha Osmani, duke shtuar se dera e saj do të jetë e hapur për të gjithë dhe se nuk do të bëjë dallime mes pushtetit dhe opozitës.
Osmani, pas votimit, pranoi detyrën nga ushtruesi i deritanishëm i presidentit, Glauk Konjufca.
Sipas Kushtetutës, presidenti ka mandat pesëvjeçar dhe mund të rizgjidhet vetëm edhe një herë. Pas zgjedhjes, presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion në parti politike.
Më 3 shkurt të vitit 2020 Osmani ishte zgjedhur kryetare e Kuvendit të Kosovës, gruaja e parë që mbajti këtë post.
Përndryshe, që nga 5 nëntori 2020 e deri më 22 mars, Osmani e kishte ushtruar postin e presidentit, pasi Hashim Thaçi dha dorëheqje nga ky post për shkak të konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Dikur aktiviste e Lidhjes Demokratike të Kosovës, më pas Osmani arriti të bëhej edhe nënkryetare e kësaj partie. Si deputete nga LDK-ja në Kuvendin e Kosovës në tri legjislatura, Vjosa Osmani ka qenë kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike dhe kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane.
Në qershorin e vitit 2020, kryesia e LDK-së e shkarkoi Osmanin nga të gjitha postet partiake, për shkak të kundërshtimeve të shprehura lidhur me prishjen e koalicionit qeverisës me LVV-në dhe kundërshtimit të krijimit të qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti.
Me rastin e zgjedhjes Presidente e Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë mesazhe urimi nga krerët e institucioneve më të larta shtetërore të Kosovës dhe Shqipërisë, SHBA, Bashkimi Evropian, përfaqësuesit diplomatikë të vendeve të ndryshme etj. Mesazhe urime asaj i kanë dërguar edhe Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve dhe partitë politike shqiptare në Malin e Zi. Ndërkohë partitë opozitare në Kosovë, PDK dhe AAK, e kanë kritikuar zgjedhjen e Osmanit, duke thënë se ajo u zgjodh presidente përmes “pazareve” dhe se Kosova ka “rrëshqitur në monizëm”.
Vjosa Osmani është presidentja e pestë e shtetit që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 2008.

(Kohapress/REL)

Të fundit

më të lexuarat