Serbia pas Vuçiqit?!

Do të ishte iluzion të presësh që Serbia do të ndryshojë rrënjësisht, aq më tepër brenda nate. Sepse nuk kemi të bëjmë thjesht me një diktator, por me një mendësi hegjemoniste të krijuar ndër shekuj, bazuar në mite mbi të drejtën historike dhe popullin serb si një popull të shenjtë. Pavarësisht kësaj, ikja e këtij autokrati, politika e të cilit mbante vazhdimisht të destabilizuar rajonin, pritet të shtendosë atë dhe s’ka dyshim se do të ketë ndikim në skenën politike në vendet e rajonit

Ismet Kallaba

Humbja e ish-presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të zhvilluara të dielën, është një shenjë e mirë jo vetëm për qytetarët e Serbisë, por edhe për tërë rajonin.
Aleksandar Vuçiqi është produkt i politikës hegjemoniste serbe që nxiti luftërat vëllavrasëse në ish-Jugosllavi gjatë viteve ‘90 të shekullit të kaluar duke shkaktuar qindra mijëra viktima.
Ai ka ngritur një sistem autokratik dhe diktatorial duke e qeverisur Serbinë me grusht të hekurt dhe përqendruar gjithë pushtetin në duart e tij, duke përdorur aparatin shtetëror për ushtrimin e dhunës ndaj kundërshtarëve politikë dhe qytetarëve, reduktuar lirinë e shprehjes përmes privatizimeve të dyshimta të medieve kryesore në Serbi etj.
Historikisht Serbia ka qenë gjenerator i krizave të vazhdueshme në rajon, ndërsa Vuçiqi përbënte kërcënim jo vetëm për Serbinë por edhe për vendet e rajonit, duke nxitur dhe mbështetur akte terroriste dhe destabilizuese në këto vende. Për këtë qëllim, ai shfrytëzonte satelitët e tij në Kosovë, Malin e Zi, Bosnjë e Hercegovinë etj. Pushteti i tij krijoi Listën Serbe në Kosovë, një parti me veprimtari të errët, e lidhur me kriminelët serbë. Vuçiqi e ka kërcënuar vazhdimisht Kosovën, duke mbrojtur kriminelët si Radojiçiq dhe Veselinoviq. Ndërkaq, ai kishte bashkëpunim të ngushtë me udhëheqësin serb të Bosnjë e Hercegovinës, Millorad Dodik, dhe udhëheqësit kryesorë serbë në Mal të Zi – Andrija Mandiq dhe Millan Knezheviq. Ai i përdori serbët në shtetet e rajonit për ta mbajtur veten në pushtet, duke ua dhënë dyshtetësinë (shtetësinë e Serbisë), me detyrimin për të votuar për të. Në anën tjetër, diskriminimi ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës mori përmasa më të mëdha përmes zbatimit të metodave dhe formave të reja diskriminuese gjatë pushtetit të Vuçiqit.
Ai është ideator i Botës Serbe dhe i Ballkanit të Hapur, duke e promovuar këtë të fundit si një nismë ekonomike rajonale për kufij të hapur, por që në fakt dështoi që në zanafillë, sepse disa udhëheqës të rajonit, në radhë të parë Albin Kurti, e hetuan qëllimin duke refuzuar të bëhen pjesë e tij.
Vuçiqi njihet për lidhje të ngushta me Rusinë dhe Kinën, si dhe udhëheqësit e tyre, para së gjithash me Putinin, si dhe me ish-kryeministrin hungarez Viktor Orban. Në sytë e evropianëve, Vuçiqi paraqitej rrejshëm si një demokrat, por veprimet e tij politike ishin në kundërshtim me propagandën e tij. Në këtë kontekst, ai nuk e dënoi kurrë pushtimin rus të Ukrainës dhe nuk u bashkua me Bashkimin Evropian në zbatimin e sanksioneve kundër Rusisë.
Humbja e ish-presidentit Aleksandar Vuçiq në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi, më tepër sesa fitore e Listës Studentore është pasojë e pakënaqësisë ndaj mënyrës së sundimit të tij. Megjithatë, do të ishte iluzion të presësh që Serbia do të ndryshojë rrënjësisht, aq më tepër brenda nate. Sepse nuk kemi të bëjmë thjesht me një diktator, por me një mendësi hegjemoniste të krijuar ndër shekuj, bazuar në mite mbi të drejtën historike dhe popullin serb si një popull të shenjtë. Pavarësisht kësaj, ikja e këtij autokrati, politika e të cilit mbante vazhdimisht të destabilizuar rajonin, pritet të shtendosë atë dhe s’ka dyshim se do të ketë ndikim në skenën politike në vendet e rajonit. Lista Serbe dhe Dodiku pritet të mos kenë më mbështetjen që kishin gjatë pushtetit të ish-presidentit të Serbisë, ashtu si dhe partitë proserbe të afërta me Vuçiqin në Mal të Zi, si Demokracia e Re Serbe dhe Partia Demokratike Popullore, por edhe disa parti më të vogla.
Udhëheqja e re politike në Serbi, nëse do në Evropë duhet të distancohet nga e kaluara, të pranojë krimet në Kosovë dhe luftërat tjera në ish-Jugosllavi, si dhe të pranojë realitetin politik në Kosovë. Në deklaratat e veta gjatë fushatës zgjedhore, Lista Studentore ka treguar se qëndrimi i tyre ndaj Kosovës është pak a shumë i njëjtë me atë të Vuçiqit. Pas marrjes së pushtetit ata duhet të tregojnë nëse do të vijojnë të kenë të njëjtin qëndrim apo ai ka qenë vetëm për efekt elektoral.
Përtej gjeopolitikës rajonale, humbja e ish-presidentit Aleksandar Vuçiq paraqet një mësim historik që duhet ta dinë të gjithë pushtetarët, veçmas autokratët, se sistemet diktatoriale të qeverisjes janë të predispozuara të dështojnë, herët a vonë.
Dhe në fund, pyetja e pashmangshme që tashmë shtrohet në qarqet politike, por sidomos nga analistët, duke marrë shkas edhe nga protestat e fundit në Shqipëri, është se pas ikjes së kryeministrit të Hungarisë, Victor Orban, dhe ish-presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kush e ka radhën, duke aluduar në kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama? Kjo pyetje duket e logjikshme nëse kemi parasysh modelin e qeverisjes së ngritur nga Rama në Shqipëri, që ngjason apo është pak a shumë kopje e atij në Serbi, por edhe për shkak të afërsisë me njëri-tjetrin. Lidhjet personale të Vuçiqit me Ramën mbeten një prej historive enigmatike në marrëdhëniet shqiptaro-serbe, të cilat ish-presidenti serb i shfrytëzoi shpesh në dëm të Kosovës, ndërsa kryeministri Edi Rama jo një herë do të akuzonte pushtetin në Kosovë, sidomos gjatë kohës që në pushtet ishte (është) kryeministri Albin Kurti. Prandaj, pas rënies së Vuçiqit edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duhet të mendojë se një ditë mund të pësojë fatin e tij.

Të fundit

më të lexuarat