Naxhije Popi

Ali Gjeçbritaj

Të martën më 27 shkurt 2024, u nda nga jeta në moshën 83 vjeçare rapsodja e këngës g’jatë (këngës maje krahu), artizanja dhe aktivistja e dalluar nga Kraja Naxhije Popi. Naxhija lindi më 1941 në Priftaj (Arbnesh). Zonjën Naxhije e kam pasur bashkëvendëse dhe bashkëpunëtore në shumë aktivitete kulturore që kam organizuar në Krajë dhe jo vetëm.
Ajo ka qenë enciklopedi e gjallë e kulturës popullore tradicionale të Krajës. Gjithmonë i ka qëndruar besnike traditës së vendit të saj. Naxhija rrëfeu për jetën e saj në emisionin “Portreti” me gazetaen Hatixhe Nelaj në TV “Teuta” para disa viteve.
Naxhija ka qenë një grua fisnike, e dashur, e çiltër dhe shumë e zonja. Pothuajse gjithë jetën e saj ka punuar veshjen popullore të Krajës sidomos në veshjen e gruas krajane. Nga ajo shumë studiues kanë marrë shënime të hollësishme për veshjet e grave të trevës. Në detaje ka shpjeguar mënyrat dhe format e veshjes së vajzës, nuseve, plakave etj.. Ka “furnizuar” me këngë popullore shumë mbledhës të këngëve që janë kënduar në Krajë ndër shekuj. Ka ditur shumë vargje këngësh popullore lirike që ndër vite janë kënduar në Krajë.
Paralel me ta ajo pasion e ka pas këngën, veçanërisht këndimin g’jatë (këndim maje krahu), pastaj këngët që janë kënduar në vallen e Krajës etj.. Ajo në gëzimet familjare gjithmonë i ka prirë valles tradicionale më kërcim dhe më këngë. Pothuaj se nuk ka pasur gëzime familjare në fisin e saj dhe jo vetëm që ajo nuk printe në valle. Për mrekulli ka luajtur edhe vallëzimet popullore krajane si në valle ashtu edhe në kërcime dyshe. Tradita e bukur popullore e këngës dhe vallëzimit që është ruajtur me fanatizëm nga Naxhija ka bërë që ajo të jetë protagoniste në shumë ngjarje kulturore, festivale e manifestime anë kënd trojeve kah frymojnë shqiptarët. Naxhija është një ndër femrat e rralla të zonës së Krajës por edhe më gjerë që ka qenë aktive në shoqëritë kulturo artistike. Ajo që nga themelimi i SHKA “Tradita” ka marrë pjesë në prezantime brenda dhe jashtë vendit, protagoniste kryesore në dokumentarin “Dasma e Krajës” realizuar nga SHKA “Kraja” me regji të Muharrem Hardollit tashti i ndjerë. Në Festivalin e Gjirokastrës të vitit 2015 merr vendin e dytë në këndim solistik më këngë maje krahu. Tradita më përkushtimin e madh që ta prezantojë dinjitetshëm trashëgiminë folklorike të mbarë shqiptarëve të Malit të Zi, Naxhija gjithandej ka përfaqësuar vlerat etnografike dhe etnomuzikore trevën e Karajës. Këto vlera së bashku me Fadil Velaj i ka prezantuar më këngën e maja krahut kushtuar bjeshkës sonë të shenjtë Rumisë (Oj Rumia bjeshkë e naltë) në festivale prestigjioze në Gjirokastër, Kosovë e gjetiu. Kënga për Ruminë dhe “Blegeron delja në mal” kanë qenë këngët më të dashura që Naxija i ka kënduar me shumë dashuri.
Janë të shumta fletë falënderimet që ka marrë kjo grua që gjithë jetën e saj ka ruajtur dhe kultivuar traditën e këngës dhe të veshjes kranjane. Këtë ajo e ka përcjellë edhe te me të rinjtë në familje.
Juria e Festivalit të Gjirokastrës më 2015 e vlerësoi Naxhije Popin dhe Fadil Velajn me çmimin ,, Ruajtja e folklorit në trevën e Krajës “. Kënga e saj ka jehuar në shumë manifestime si bie fjala në “Festa e Gështenjave” në Krajë ,”Ditën e Verës në Krajë”, Manifestimin “Të gjithë në Rumi”, “Pranvera në Anë të Malit” etj.. Kënga e saj jehoi edhe në Kosovë, Maqedoninë e Veriut e gjithandej ku jetojnë shqiptarët në trojet e veta stërgjyshore. Me ikjen e saj nga kjo botë lirisht mund të themi se iku gruaja e fundit që këndoi e kultivoi këngën maje krahu (këndimin g’jatë). Me vdekjen e saj familja humbi njeriun e dashur, komuniteti një aktiviste të veçantë të kulturës popullore autoktone të etnografisë, ndërsa folklori shqiptar gruan e fundit nga Kraja që kultivoi të kënduarit maje krahu (këndimin g’jatë).
Naxhija u varros në varrezat familjare në Arbnesh .
E paç dheun e lehtë Naxhije!
Ngushëllime të sinqerta për gjithë familjarët!

Të fundit

më të lexuarat