KKSH të hapë zyrën e vet edhe në Tivar

Ulqin – Ministri i të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Fatmir Gjeka, i shoqëruar nga sekretari shtetëror Astrit Hoxha dhe drejtori i Drejtorisë për Mbrojtjen dhe Avancimin e të Drejtave të Popujve Pakicë, Arben Xhurreta, vizituan të hënën (15 prill 2024) Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, ku u njohën për së afërmi me punën dhe aktivitetet e këtij institucioni përfaqësues të shqiptarëve.
Kryetari i KKSH-së, Faik Nika, e njoftoi ministrin Gjeka me problematikat me të cilat përballet KKSH në veprimtarinë e vet dhe planet për të ardhmen.
Duke vlerësuar punën e deritashme të KKSH-së, ministri Gjeka potencoi mes tjerash nevojën që krahas zyrave koordinuese në Tuz dhe Plavë, KKSH të hapë zyrën e vet edhe në Komunën e Tivarit, në mënyrë që përmes aktiviteteve të saj për komunitetin shqiptar të kontribuojë në parandalimin e asimilimit të mëtejmë të shqiptarëve në këtë komunë.
Ministri Gjeka dhe bashkëpunëtorët e tij vizituan po ashtu edhe Librarinë “Ulqini”, e cila është themeluar nga KKSH, me ç’rast biseduan me drejtoreshën Arlinda Osmani për aktivitetet e realizuara në promovimin e vlerave kulturore dhe krijuese.
Ai ka vënë në dukje nevojën e punësimit të paktën edhe të dy personave të tjerë në këtë librari, si institucion të rëndësishëm dhe të nevojshëm jo vetëm për banorët vendas por edhe për turistët e shumtë që vizitojnë Komunën e Ulqinit.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat