Masakra e Tivarit dhe rishkrimi i historisë

Ndër ngjarjet tragjike të popullit shqiptar që ka të bëjë me Luftën e Dytë Botërore është Masakra e Tivarit, e cila ka ndodhur me 1 prill 1945. Në këtë masakër të realizuar nga njësitë ushtarake të Jugosllavisë, janë likuiduar një numër i madh shqiptarësh nga Kosova, me përmasat e gjenocidit, të cilët ishin mobilizuar për të ndjekur okupatorët gjermanë në pjesën perëndimore të ish-Jugosllavisë. Mobilizimi i tyre në Kosovë ka pasur një prapavijë të caktuar politike, sepse si qëllim kishte spastrimin e Kosovës nga shqiptarët, për të realizuar në praktikë pushtetin ushtarak i cili ishte vendosur nga data 8 shkurt 1945, duke bërë riokupimin e Kosovës, pa përfillur parimet e Kartës së Atlantikut, me pasoja për shqiptarët që është dëshmuar në vitet vijuese

Nail Draga

Me 1 prill u bënë 79 – vjet (1945-2024) nga Masakra e Tivarit, ku u likuiduan në mënyrën më mizore shqiptarët nga Kosova. Sipas të dhënave del që ky numër të përfshijë të paktën 1560 shqiptarë, ndërsa sipas disa përllogaritjeve arrin deri në 3764 persona. Fjala është për shqiptarët të cilët ishin të mobilizuar si regrutë në aradhat partizane, për të ndjekur armikun përfundimisht nga territori i ish-Jugosllavisë. Por, edhe pas shtatëdhjetë e pesë vjetëve kjo tragjedi ende nuk është ndriçuar nga studiuesit e ndryshëm nga vetë fakti se gjatë periudhës së sistemit komunist marrja me një ngjarje të tillë s’ishte e preferuar dhe kishte pasoja për autorët.
Edhe pse në popull dihej për ketë tragjedi dhe pëshpëritej për numrin e të vrarëve, saktësisht pak kush dinte të dhëna të sakta, sepse arkivat për shqiptarët ishin nën embargo, madje dokumentet gjegjëse ka mundësi që janë zhdukur nga ato të cilat kanë realizuar ketë masakër.

Dëshmi autentike e atyre që përjetuan masakrën
Por, vetëm pas dështimit të sistemit monist dhe vendosjes së pluralizmit nga viti 1990, opinioni i gjerë filloi të njihej më në detaje për ketë masakër, e atë duke iu falënderuar dëshmitarëve autentikë të cilët kishin shpëtuar nga kjo kasaphane tipike naziste e bërë nga pjesëtarët e aradhave partizane jugosllave, gjoja “nacional-çlirimtare”. Dhe janë këta individë që e përjetuan personalisht ketë masakër, ata të cilët kanë dhënë kujtimet e tyre për ketë kalvar të shqiptarëve nga mobilizimi i tyre në Kosovë dhe rrugëtimi në relacionin Prizren-Kukës-Shkodër-Tivar.
Ndër ta bën pjesë edhe Azem Hajdini – Xani, i cili opinionit i ka dhuruar librin “Tragjedia e Tivarit”, botuar në Shtutgard në Gjermani në vitin 1990 dhe më pas ribotuar në Prishtinë në vitin 1998. Po ashtu ky autor ka botuar edhe një botim tjetër me titull ”Masakra e Tivarit” – Memoare, Prishtinë 1998, duke prezantuar dëshmi autentike të personave të cilët kanë mbetur gjallë. Edhe pse ndërkohë janë botuar edhe disa studime nga autorë të tjerë për ketë masakër (M.Pirraku. U.Butka etj.), botimi i këtyre materialeve nga autori i cili e ka përjetuar drejtpërdrejt ketë masakër për momentin shërben si lëndë bazë dhe e domosdoshme për ta trajtuar ketë tragjedi të bërë nga komunistët, në prag të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, sepse arkivat ende janë të mbyllura për hulumtuesit shqiptarë.

Nisja nga Prizreni për në Tivar
Për ta bërë plotësimin e Armatës IV të Jugosllavisë, për në Frontin VP të bregdetit të Adriatikut në sajë të dhënave të publikuara del se në mars dhe prill të vitit 1945, u deportuan 22.017 luftëtarë shqiptarë nga Kosova. Ata janë deportuar ne formacione ushtarake të cilat quhen eshalonë, që gjatë muajve mars-prill 1945 nga Prizreni për në Tivar gjithsej ishin gjashtë eshalonë të tillë. Kështu në mars janë deportuar tre eshalonë: Eshaloni i parë, me 3.700 luftëtarë, ishte nisur nga Prizreni më 24.3.1945 dhe kishte arritur në Tivar më 29.3.1945; eshaloni i dytë, më 4.700 luftëtarë, ishte nisur nga Prizreni më 26.3.1945 dhe kishte arritur në Tivar më 31.3.1945 dhe eshaloni i tretë me 2.700 luftëtarë shqiptarë, ishte nisur nga Prizreni me 27.3.1945 dhe kishte arritur në Tivar më 1 prill 1945. Ndërsa, gjatë muajit prill janë deportuar edhe tre eshalonë të tjerë: eshaloni i parë me 1.506 luftëtarë ishte nisur nga Prizreni më 19 prill 1945, eshaloni i dytë me 2.601 luftëtarë ishte nisur nga Prizreni më 20 prill 1945 dhe eshaloni i tretë me 1.216 luftëtarë ishte nisur nga Prizreni më 24 prill 1945. Ndërsa, më pas nga Prizreni ishte nisur një eshalon i veçantë me 5.323 luftëtarë shqiptarë, nga Maqedonia ne ditët e para të prillit të vitit 1945.

Pse po largoheshin luftëtarët nga Kosova
Duke marrë parasysh se operacionet luftarake kundër nazistëve gjermanë në Luftën e Dytë Botërore kishin marrë fund nga fundi i viti 1944, me të drejtë bëhet pyetja se pse i deportuan luftëtarët shqiptarë nga Kosova. Përgjigja ishte e qartë sepse planifikohej një hakmarrje ndaj shqiptarëve të Kosovës për humbjen që kishin përjetuar formacionet ushtarake të partizanëve jugosllavë ne luftën ndaj luftëtarëve të Shaban Polluzhës. Ndërsa, nga ana tjetër, si qëllim ishte largimi nga Kosova i atyre luftëtarëve të cilët mund të bëjnë rezistencë për vendosjen e pushtetit ushtarak serb, gjegjësisht ripushtimin serb të Kosovës, në sajë të vendimeve të mëvonshme.

Të mobilizuarit iu ngjanin robërve
Edhe pse të gjithë të tubuarit nga anë të ndryshme të Kosovës kishin premtime se do të deportoheshin me statusin e luftëtarëve për ta ndjekur armikun në vinë e frontit në veriperëndim të Adriaktikut (Istër-Slloveni), nga momenti i parë në Prizren u vërejt se do të jetë tërësisht ndryshe. Nëse deri aty ata ishin të armatosur dhe nl përcjellje të oficerëve shqiptarë, me t’u nisur nga Prizreni përcjelljen e morën oficerët serbo-malazezë, ndërsa po ashtu u detyruan për të dorëzuar armët, me pretekst se rruga është e gjatë dhe do të lodheni pa nevojë, pra, ata u nisën nga Prizreni të paarmatosur, të paushqyer, të lodhur, të paveshur dhe ne kushte higjienike të papërshtatshme. Ishte ky eshaloni i dytë që ishte nisur nga Prizreni më 26 mars, ku pjesëtarët e tij do të përjetonin gjenocid të paparë në qytetin e Tivarit të Ri.
Gjatë rrugës atyre iu ndalohej dalja nga kolona, qoftë për të pirë ujë apo kryer nevoja fiziologjike. Kush kishte guxim të vepronte ndryshe e pësonte me jetë, sepse pushkatohej në vend. Nga një sjellje e tillë e oficerëve përcjellës të cilët vrisnin kur kishin dëshirë e flisnin fyerjet më vulgare ndaj shqiptarëve, tash të gjithë e kishin të qartë se nuk janë më luftëtarë por iu ngjanin robërve të luftës. Dhe nga një situatë e tillë dramatike gjatë rrugës deri ne Shkodër, numri i të vrarëve kishte arritur deri në 800 luftëtarë të cilët janë gjuajtur në lumin Drin, Bunë etj..

Pamjet e Tivarit paralajmëronin masakrën
Me të arritur në Tivarin e Ri është vërejtur një mobilizim i madh i popullatës vendore, ku me ta ishin së bashku edhe njësitë ushtarake të Brigadës së Dhjetë malazeze, të armatosur ne çdo aspekt, athua se janë duke pritur njësitë e armikut. U pa qartë komploti dhe gracka e përgatitur, por ata prisnin vetëm shkakun. Ne qendër të Tivarit të Ri, pasi i kanë urdhëruar për të pushuar, në afërsi të tyre ishte një krua, ku shqiptarët shprehën kërkesën për të pirë ujë, por oficerët reaguan ashpër, duke mos iu mundësuar dhe duke i fyer ata në aspektin nacional, duke vrarë tre shqiptarë, ndërsa nga plumbat e tyre kishin vrarë “gjoja” një ushtarë malazias. Ky ishte një tjetër pretekst për të vrarë shqiptarë, andaj për ketë “vepër”, e cila nuk ishte bërë nga shqiptarët, ata pushkatuan 100 ushtarë shqiptarë, sikurse nazistët gjermanë kohë më parë. Nga kjo e papritur shqiptarët ishin të vetëdijshëm se një tragjedi e tillë nuk do të përfundojë me kaq, sepse ishin të rrethuar nga të gjitha anët.

Ndërtesa e Monopolit të Duhanit, ferri i shqiptarëve
Ata më pas në kolonë i detyruan të ecin dhe i vendosën në objektin e Monopolit të Duhanit në afërsi të portit. Ishte kjo një ndërtesë trekatëshe, ku i detyruan të hyjnë brenda, ndërsa të tjerët u vendosen në oborr, pra të gjithë grumbull e jo në kolonë, sepse kështu mundësia për t’i shfarosur ishte më e madhe. Dhe nuk ka vonuar shumë, te të gjithë shqiptarët, si brenda ne ndërtesë, ashtu edhe në oborr, ishte gjuajtur me të gjitha mjetet luftarake rreh dy orë dhe në oborr dhe shesh ku ishin rreth 3000 veta nuk kishte mbetur njëri i gjallë në këmbë, sepse ishte bërë kasaphanë e vërtetë dhe kudo ishte lumë gjaku. E tërë kjo masakër ka zgjatur rreth një orë e gjysmë, duke filluar në ora 14 të datës 1 prill 1945. Patën fat të shpëtojnë vetëm ata që ishin në katin e lartë të ndërtesës dhe disa nga eshaloni i parë, të cilët për momentin ishin në Tivarin e Vjetër. Por, tragjedia ishte ndërprerë, duke iu falënderuar disa vëzhguesve amerikanë, të cilët kishin kaluar atypari me automobili dhe me gjasë kishin dëgjuar të shtënat e armëve dhe kishin ardhur për ta parë vendin e ngjarjes. Por, kriminelët iu dolën përpara dhe i bindën të largoheshin dhe ta vazhdojnë rrugën për në Ulqin. Pra, nga frika se do të zbulohet krimi, ata u detyruan ta ndërpresin lojën. Ishte kjo një rastësi që të shpëtojnë disa luftëtarë kosovarë, të cilët do të jenë dëshmitarë të kësaj masakre, edhe pse qëllimi i forcave shfarosëse të partizanëve jugosllavë ishte për t’i vrarë të gjithë, për të mos pasur dëshmitarë.
(Vijon)


(Vijon nga numri i kaluar)
Mungojnë varret e të masakruarve

Me pas u mobilizuan të gjithë qytetarët si pleq, gra, të rinj, punëtor e ushtarë për ta pastruar oborrin, për t’i humbur gjurmët e kësaj vepre mizore. Me kamion kanë ngarkuar të vrarët dhe të plagosurit për t’i deportuar në varreza të ndryshme kolektive. Madje ne ketë transport kanë angazhuar edhe ata shqiptarë të cilët kanë mbetur gjallë. Ende nuk dihet se ku janë bartur kufomat dhe ku janë varrosur ata. Bëhet fjalë për disa vende si: Tivari i Vjetër, Tugjemili, Zalefi dhe një shpellë në malin e Vollujicës pranë detit. Por, nuk ka dilemë se pjesën më të madhe të tyre e kanë gjuajtur në det.
Bëhet pyetja sa janë vrarë ne këtë masakër, e sa kanë mbetur gjallë. Pasi nuk ka të dhëna arkivore, i vetmi burim është A.Hajdini – Xani, i cili thotë se të gjallë kemi mbetur 810 individë, ndërsa nga Kosova janë nisur 4700 luftëtarë, nga del se gjatë rrugës dhe në ketë masakër, janë vrarë e zhdukur 3.890 shqiptarë të eshalonit të dytë dhe 420 të eshalonit të parë, pra gjithsej 4310 individë kanë humbur jetën, çështje që mbesin për hulumtime.
Ne këtë regji shfarosëse ka pasur raste që individë të ndryshëm të shpëtojnë dhe të ikin në drejtime të ndryshme, por edhe aty nëse janë zbuluar janë likuiduar, sepse të gjithë shqiptarët janë cilësuar si armiq nga pushteti ushtarak. Ka raste të veçanta që kosovarët janë strehuar e mbajtur nga familje shqiptare duke iu shpëtuar jetën, si ne Tivar, Anë të Malit dhe Krajë, ku për raste të tilla ekzistojnë dëshmi autentike.

Objekti i Monopolit të Duhanit në Tivar-vendi i masakrës së 1prillit 1945!
Tragjedia e cila u hesht për vite të tëra

Me të përfunduar lufta dhe kthimi i luftëtarëve kosovarë në shtëpitë e tyre, kjo ngjarje mori dheun, por ishte me pasoja nëse kërkohej e vërteta pse ndodhi ajo. Madje, ata të cilët e përjetuan ishin të kërcënuar nëse debatojnë në lidhje me ketë ngjarje, e jo më të kërkojnë që ajo të ndriçohet në tërësi.
Dhe si për ironi të fatit pas kësaj masakre, ajo u hesht nga ata të cilët është dashur të flasin dhe ta informojnë opinionin e gjerë për ketë gjenocid të bërë nga partizanët jugosllavë, duke kërkuar përgjegjësi nga ana e tyre.
Por, ndodhi që për këtë masakër te mos flasin kuadrot shqiptare, qoftë nga Kosova apo nga Shqipëria, por për të parën herë të deklarohet A. Rankoviqi në Kongresin Themelues të PKS më 8-12 maj 1945, i cili ne mes tjerash ka thënë se ”udhëheqësit e eshalonit e nxitën revoltën midis shqiptarëve”, duke planifikuar të vrisnin” 40 shqiptarë për një luftëtar të vrarë”, duke vazhduar se “udhëheqësit tanë hapën zjarr dhe i vranë 300 shqiptarë”. Një e dhënë e tillë edhe pse e minimizuar shumë herë, dëshmon se një masakër e tillë ka ekzistuar dhe është realizuar nga forcat partizane jugosllave, që ishin të Brigadës së Dhjetë Malazeze, duke mbetur informata e vetme zyrtare për këtë masakër.
Por edhe pse një nismë të tillë ne rrugë institucionale për ta prezantuar dhe hulumtuar të vërtetën është bërë nga Azem Hajdini si pjesëmarrës i kësaj masakre nga viti 1966 e më pas çdo gjë mbeti vetëm në nismë, sepse pushtetit jugosllav të kohës nuk i ka interesuar e vërteta për ketë tragjedi, sepse ishin vetë serbo-malazezët të cilët ishin skenaristët dhe regjisorët e kësaj masakre, e cila ishte më e madhja në përfundim të Luftës së Dytë Botërore në Evropën Juglindore.

Përgjegjësia e udhëheqjes së Shqipërisë
Edhe pse kanë kaluar 79 vite nga Masakra e Tivarit, deri më tash nuk kemi pasur rast të lexojmë diçka konkrete në lidhje mbi ketë tragjedi nga strukturat qeveritare të Shqipërisë. Madje, kjo tragjedi nga ana e tyre është heshtur, duke mos u shënuar as ne kalendarin e ngjarjeve historike, sepse ata janë të vetëdijshëm për përgjegjësinë që mbajnë. Sepse, si të lejohet që të kalojnë nëpër territorin e Shqipërisë eshalonë të tërë qytetarësh kosovarë, të përcjellë nga ushtarakët serbo-malazezë gjoja për të marrë pjesë në ndjekjen përfundimtare të armikut në Istër e Slloveni, kur Lufta e Dytë Botërore kishte marrë fund.
Nuk ka dilemë se ky ishte një veprim monstruoz dhe antikombëtar i udhëheqjes së Shqipërisë së kohës e cila ka përgjegjësi për masakrën e Tivarit. Por, nëse analizojmë rrethanat e kohës që më vonë është njoftuar opinioni i gjerë, as që është pritur diçka konkrete nga udhëheqja e Shqipërisë, ose me konkretisht nga ajo e PKSH-së, sepse këta ishin si filiale e komunistëve jugosllavë dhe ishin të indoktrinuar nga ideologjia komuniste si rrallëkush në Evropën Juglindore. Sepse nga ajo kohë e deri në vitin 1948 me jugosllavët kanë punuar së bashku për të eliminuar armiqtë ideologjikë, ku ekzistojnë dëshmi të pakontestueshme, sepse individë te ndryshëm shqiptarë janë arrestuar në Shqipëri dhe iu janë dorëzuar jugosllavëve, të cilët kanë përfunduar më pasoja tragjike.

Tivari 1945, sikurse Srebrenica 1995

Nuk ka dilemë se Masakra e Tivarit e vitit 1945 është pothuaj identike me Masakrën e Srebrenicës në vitin 1995 e bërë nga forcat ushtarake serbe ndaj rreth 8000 boshnjakëve. Por, këtu ekziston vetëm një dallim, sepse krimi në Tivar është bërë pa praninë e forcave ndërkombëtare, ndërsa në Srebrenicë është bërë në prani të tyre, të cilët ishin gjoja me mision për ta mbrojtur këtë popullatë. Një rast i tillë analog ka edhe të veçantën tjetër, sepse viktimat e Tivarit edhe sot janë pa varre të identifikuara, ndërsa ata të Srebrenicës janë identifikuar, sepse janë gjetur në varrezat kolektive, me ç’rast është bërë rivarrimi i tyre.

Pllaka përkujtimore e cila mungon
Ka ardhur koha që për Masakrën e Tivarit të formohet një komision i veçantë pranë Qeverisë së Kosovës, për të zhvilluar një takim me përfaqësuesit e Qeverisë së Malit të Zi. Nuk ka dilemë se ngjarja tragjike e vitit 1945 nuk mund ta ngarkojë me përgjegjësi pushtetin aktual në Mal të Zi, por angazhimi në drejtim të ndriçimit të kësaj masakre do të ishte ne favor te pushtetit aktual në rrethana të reja shoqërore e politike.
Edhe pse kanë kaluar 79 vjet nga kjo masakër, ende nuk ka të dhëna për varret e të masakruarve, andaj është obligim moral dhe civilizues që në vendin ku është bërë masakra të ngrihet një memorial apo të vendoset një pllakë përkujtimore në tre gjuhë, për ta njoftuar opinionin e gjerë mbi ketë ngjarje tragjike në vitin 1945, që ka ndodhur në qytetin e Tivarit.

Përfundim
Ndonëse kanë kaluar 79-vjet nga data e 1 prillit 1945, kur u masakruan shqiptarët nga Kosova, nga ana e strukturave ushtarake jugosllave të kohës, realizuar sipas një skenari me qëllime shfarosëse ndaj shqiptarëve nga Kosova, ajo masakër ia kalon “Natës së Shën Bartolomeut” të Parisit të vitit 1573, që është sinonim për vrasjet masive të kundërshtarëve ideologjikë.
Për këtë tragjedi në kohën e monizmit nuk është guxuar të flitet as të shkruhet se pasojat ishin të mëdha. Çdo informatë ishte në heshtje, sepse politika komuniste e kohës si mision kishte eliminimin e krimeve, duke mos i publikuar ato, por e vërteta nuk ka mundur të heshtet.
Vetëm pas rënies së monizmit, të mbijetuarit por edhe disa studiues kanë filluar të shkruajnë artikuj e botime të veçanta, e po ashtu janë përgatitur edhe emisione televizive. Është fatkeqësi që për këtë masakër nuk ka asnjë shënim në librat e shkollave fillore, të mesme e universitare, sidomos nga lënda e historisë, dukuri e cila nuk mund të arsyetohet më asgjë.
Në lidhje me ketë ngjarje tragjike Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi, në Ulqin, më 30-31mars të vitit 2013, ka organizuar konferencën shkencore ”Masakra e Tivarit-1945”, me pjesëmarrje të studiuesve nga Kosova, Shqipëria e Mali i Zi. Pas prezantimit të kumtesave për këtë ngjarje (të cilat ende nuk janë botuar) pjesëmarrësit më pas kanë shkuar e vizituar vendin e krimit të Monopoli i Duhanit (31 mars). Ishte ky takimi i parë nga përfaqësuesit e një subjekti të shqiptarëve, ku kanë marrë pjesë edhe ish të mbijetuar e kësaj masakre nga Kosova, duke dëshmuar në mënyrë autentike përjetimet e kësaj tragjedie.
Pasi në lidhje me këtë masakër, nuk ka asnjë të dhënë në vendin e ngjarjes, duhet bërë çmos që në ketë vend të ngrihet një memorial i shkruar ne tre gjuhë kushtuar kësaj ngjarjeje tragjike. Një memorial i tillë duhet të jetë monument i kujtesës, për të kaluarën, tashmen dhe të ardhmen, për të njoftuar opinionin e gjerë mbi ketë masakër që ka ndodhur në qytetin e Tivarit. Në rrethana të reja kur tashmë Kosova është shtet i pavarur, i takon qeverisë së saj të iniciojë një çështje të tillë me pushtetin në Malin e Zi.
Andaj, ka ardhur koha që historia të rishkruhet dhe të thuhet e vërteta për këtë tragjedi, duke eliminuar qasjen ideologjike e pranishme edhe në ditët tona. Në këtë aspekt është obligim profesional të hulumtohen arkivat sekrete të UDB-ës jugosllave, për t’i hequr hipotekat nga e kaluara ideologjike, që do të jetë në favor të faktografisë shkencore, si kudo në botën demokratike.

Të fundit

më të lexuarat