Nga fillim i vitit, fitues i dyzetë medaljeve

Tuz – Klubi i Taekwondos “Besa” nga Tuzi, që nga fillimi i vitit 2024, është shumë aktiv me pjesëmarrje nëpër gara të shumta sportive brenda dhe jashtë vendit, duke shënuar rezultate të shkëlqyeshme me dyzetë medalje (të arta, të bronzta dhe të argjendta).
Sportistët e Klubit “Besa” kanë marrë pjesë në kampionatin Open Zhablak, në kampionatin dimëror në Greqi që u zhvillua në fillim të këtij viti dhe më pas në Austria Open (G Turnament) dhe para pak ditësh (në muajin mars) morën pjesë në Open Zrenjanin.
Trajneri i Klubit të Taekwondos “Besa” Nikollë Gegaj për gazetën Koha Javore u shpreh se pavarësisht mjeteve të pamjaftueshme financiare për të vajtur në të gjitha aktivitetet sportive, ata përpiqen që me aq mundësi sa kanë, të japin maksimumin për të prezantuar punën e klubit me fëmijë nëpër gara të ndryshme.
I pyetur për rezultate që sportistën e ‘Besës’ arritën në këto kampionate, trajneri Gegaj thotë se kemi të bëjmë me një gjeneratë të re të sportistëve (mbi 60 sportistë të ri) të cilët po japin rezultate të shkëlqyeshme.
“Në kampionatin Open Zhablak dolëm ekipi më i suksesshëm në luftëra, dhe Vendin e Dytë në disiplinën pompse. Ndërsa fituam edhe 24 medalje: 9 të arta, 12 të argjendta dhe 3 të bronzta. Kurse në Austria Open 1 medalje të argjendtë dhe në Open Zrenjanin, 8 medalje: 3 të arta, 1 të argjendtë dhe 4 të bronzta” u shpreh trajneri i Klubit “Besa”, Nikollë Gegaj.
Ndërkohë, i pyetur se sa është rritur ndër vite interesimi i të rinjve për këtë lloj sporti në Malësi, ai thotë se nga viti në vit numri i sportistëve për sportin e taekwondos shënon rritje.
Gegaj tregon se në punim e sipër është rikonstruksioni (zgjerimi) i objekt sportiv ekzistues I, me përfundimin e së cilit, siç tha ai, numri i sportistëve do të rritet edhe më shumë, pasi infrastruktura e objektit ekzistues ku zhvillohen trajnimet, shërben për një numër të kufizuar të sportistëve.
Z. Gegaj vë në dukje rëndësinë që ka sporti tek fëmijët dhe të rinjtë, sidomos në këtë kohë kur ata janë pasiv, siç tha ai, nga telefonat celularë, tabletë, etj..
“Prandaj ne duhet të punojmë sa më shumë me fëmijët, jo vetëm në taekwondo por në secilin sport. Ne punojmë shumë edhe në edukimin e sportistëve tonë dhe kjo sjell padyshim edhe rezultate. Shpresoj se me këtë lloj edukimi, ne inkurajojmë gjeneratat dhe i mbështesim vërtetë që të mos devijojnë nga rruga e drejt” shprehet Gegaj.
Ndërkaq, ky sport po ushtrohet nga djemtë dhe nga vajzat. Madje viteve të fundit është shtuar numri i vajzave, gjë që, për trajnerin Gegaj tregon se është thyer ajo tabuja kur në fillim të viteve 90-ta, vajzat kanë qenë në numër shumë të vogël.
“Por ne, edhe atëherë kemi nxitur që të merren me këtë sport dhe sot, jemi krenarë sepse kemi pasur rezultate të shkëlqyeshme edhe me vajzat” thotë ai.
Trajneri i këtij klubi tregon se për të shënuar rezultate kërkohet një punë e vazhdueshme, e pandalshme dhe me shumë përkushtim dhe mund, sidomos kur bëhet fjalë për garat ndërkombëtare të nivelit të lartë.
“Këtë vit kemi më shumë bashkëpunime me Shqipërinë, me Kosovën, me Bosnjen dhe Hercegovinën në mënyrë që këto mosha të kenë sa më shumë përvojë dhe t’i ngremë në piedestalin më të lartë të rezultateve” shprehet Gegaj.
I pyetur për kushtet në të cilat Klubi “Besa” e zhvillon veprimtarinë sportive, trajneri Gegaj thotë se kushtet ende nuk i kanë të kënaqshme, mirëpo me fillimin e rikonstruksionit të objektit të sportiv, kushtet priten të përmirësohen dukshëm.
“Investimi fillestar për këtë objekt është personalisht nga buxheti im një pjesë nga diaspora para dy-tre vjetësh” shprehet ai.
Trajneri Gegaj tha se vitin e kaluar kishte një projekt shumë afër realizimit i cili fatkeqësisht, siç tha ai, nuk është realizuar.
“Edhe pse Ministria e Sportit në bashkëpunim me Komunën e Tuzit e premtoi. Megjithatë, ne ende nuk kemi humbur shpresat nga ajo gjë që të realizohet ai projekt. Bëhej fjalë për një shumë prej 40 mijë eurosh. 10 mijë për pajisje, sepse momentalisht jemi shumë deficitar. Pra, nëse s’kemi pajisjet e duhura, ne nuk mund të ecim para” shpreh Gegaj.
Ai u shpreh optimist se në këtë drejtim do ta ndihmojë komuna dhe organizatat e tjera brenda dhe jashtë vendit, duke apeluar tek organet komunale qa ta shtyjnë para projektin e tyre të realizimit të objektit sportiv.
“Sepse në vjeshtë ne do të prisnim një numër më të madh, pra do ta dyfishonim numrin e fëmijëve, por dhe do të hapte mundësi të reja që të punësojmë ndonjë të ri që të asistojë meje sepse aktualisht të gjithë që më ndihmojnë, janë vullnetarë.
I pyetur për ecurinë e punimeve në këtë objekt sportiv, trajneri Gegaj thotë se faza e parë e punimeve, afro 70 për qind është përfunduar, ndërsa ende mungojnë tualetet, dhomat e zhveshjeve, fasadat, ndriçimi dhe disa punime të tjera të domosdoshme.
Z. Gegaj thotë se ky objekt shumefunksional do të shërbej si qendër edhe për klubin e çiklizmit, kajakut, vëtëmbrojtjes, sporti i xhudos, boksit, vallëzimit, fitnesi etj..

t. u.

Të fundit

më të lexuarat