Tradita, sfidat dhe kërkesa për një program radiofonik 24-orësh

Zgjerimi i programeve, përgatitja e kuadrove të reja, ruajtja e standardeve profesionale dhe krijimi i kushteve për një program radiofonik 24-orësh dolën si çështje që kërkojnë angazhim të vazhdueshëm institucional. Në këtë drejtim, sfida mbetet që tradita e gjatë e informimit në gjuhën shqipe të shoqërohet me zgjidhje konkrete për të ardhmen dhe me përmbajtje cilësore, të besueshme e të qasshme për të gjithë shqiptarët në Mal të Zi

E ardhmja e informimit në gjuhën shqipe në Mal të Zi, zhvillimi i shërbimit publik, profesionalizmi gazetaresk dhe nevoja për përshtatjen e medieve me realitetin digjital ishin në qendër të panel-diskutimit me temë “Sfidat e informimit në gjuhën shqipe në Mal të Zi”, të organizuar të premten (16 tetor 2026) nga Radio Televizioni i Malit të Zi (RTMZ) në Ulqin, në studion e këtij shërbimi publik.
Në diskutim morën pjesë Senad Gilaj, redaktor për pakica në RTMZ, Nikollë Camaj, nënkryetar i Kuvendit të Malit të Zi, dhe gazetari e analisti Ali Salaj. Përmes pikëpamjeve të tyre, panelistët trajtuan rrugëtimin historik të medieve shqipe, arritjet e deritanishme, por edhe sfidat institucionale, profesionale dhe teknologjike që kërkojnë zgjidhje konkrete.
Një nga çështjet kryesore të ngritura ishte mundësia e krijimit nga RTMZ e një programi radiofonik 24-orësh në gjuhën shqipe, i cili do të ishte i qasshëm për shqiptarët në të gjitha trevat e Malit të Zi.
Duke përshëndetur të pranishmit në emër të drejtorit të përgjithshëm të RTMZ-së, Boris Raoniq, Senad Gilaj vlerësoi rëndësinë e organizimit të këtij diskutimi pikërisht në Ulqin, ku jeton një pjesë e konsiderueshme e komunitetit shqiptar.
Ai theksoi se zhvillimi i programeve në gjuhën shqipe në kuadër të shërbimit publik ka shënuar përparim, veçanërisht gjatë viteve të fundit.
“Vetëm në programin televiziv në gjuhën shqipe, plani për vitin 2026 parasheh 652 emisione, apo mbi 10 mijë minuta program”, bëri të ditur Gilaj, duke nënvizuar zgjerimin e përmbajtjeve informative, kulturore, tematike dhe dokumentare.
Sipas tij, përveç edicioneve informative dhe emisioneve ekzistuese, hapësirë të rëndësishme kanë fituar edhe formate të reja, si “Ditari” 20-minutësh dhe emisioni “Në Fokus”. Ai përmendi gjithashtu kanalin online me transmetim 24-orësh dhe bashkëpunimin me shërbimet publike në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup, përfshirë emisionin e përbashkët “Pa Kufi”.
Megjithatë, Gilaj theksoi se vlerësimi i zhvillimit të një redaksie nuk duhet të kufizohet vetëm te minutazhi, por edhe te cilësia dhe ndikimi i përmbajtjes.
“Ne nuk duhet të kënaqemi vetëm me pyetjen, sa minuta program kemi në gjuhën shqipe? Pyetja shumë më e rëndësishme do të ishte se çfarë programi kemi? Sa është cilësor dhe a arrin te dëgjuesit e shikuesit për të cilin prodhohet?”, deklaroi ai.
Një pjesë të rëndësishme të fjalës së tij Gilaj ia kushtoi kërkesës për transmetim të rregullt radiofonik në gjuhën shqipe, jo vetëm përmes internetit, por edhe në valët radiofonike. Sipas tij, RTMZ-ja ka gatishmëri dhe kapacitete profesionale për të nisur këtë shërbim, por realizimi i projektit mbetet i lidhur me çështjen e licencës së nevojshme nga Agjencia për Media Elektronike dhe ndryshimet e kuadrit ligjor.
“Prandaj ajo që po kërkojmë nuk është privilegj, por zgjidhje institucionale që i përgjigjet nevojës reale. Nëse RTMZ është e gatshme për këtë shërbim dhe nëse ekziston vullneti për ta realizuar, atëherë mendoj se duhet të gjendet edhe rruga ligjore që kjo gatishmëri të shndërrohet në shërbim konkret për qytetarët”, theksoi Gilaj.
Ai vuri në dukje edhe nevojën për gazetarë të rinj, të përgatitur profesionalisht dhe me njohuri të mira të gjuhës shqipe, si dhe për përmbajtje që i përgjigjen interesave të publikut, veçanërisht të brezave të rinj.
Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, u ndal te historiku i informimit në gjuhën shqipe dhe kontributi i medieve në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar. Ai kujtoi se më 25 maj 1965 nisi emisioni i parë javor në gjuhën shqipe në valët e Radio Titogradit të atëhershëm, sot Radio Mali i Zi.
Camaj përmendi zhvillimin e mëvonshëm të programeve radiofonike dhe televizive, si dhe rolin e medieve private, ndër të cilat Radio “Mir”, TV “Boin” dhe TV “Teuta”. Ai veçoi edhe rëndësinë e shtypit shqip, duke iu referuar gazetës “Koha javore”, e themeluar në dhjetor të vitit 1999, numri i parë i së cilës doli më 21 shkurt 2002.
Sipas Camajt, mediet në gjuhën amtare kanë pasur një funksion shumë më të gjerë sesa përcjellja e lajmeve.
“Mediet shqipe kanë ndihmuar që përvoja e komunitetit të dokumentohet dhe të bëhet pjesë e debatit publik në Mal të Zi, e mbi të gjitha, të sigurojë dëshmi mbi të kaluarën tonë”, tha ai.
Duke folur për perspektivën e medieve shqipe, Camaj ritheksoi se angazhimi për një program radiofonik 24-orësh duhet të vazhdojë, përfshirë edhe përmes ndryshimeve të nevojshme ligjore.
Ndërkaq, gazetari dhe analisti Ali Salaj e përqendroi fjalën te profesionalizmi, besueshmëria dhe përgjegjësia e medieve në gjuhën shqipe. Ai vlerësoi se këto media kanë rëndësi të veçantë në një shoqëri shumetnike, sepse trajtojnë çështje që shpesh nuk marrin hapësirë të mjaftueshme në mediet e shumicës.
Salaj paralajmëroi se zhvillimi teknologjik dhe ndryshimi i mënyrës se si publiku, sidomos të rinjtë, e konsumon informacionin, kërkojnë përshtatje të vazhdueshme të medieve shqipe.
“Nuk mjafton që përmbajtja të jetë vetëm në gjuhën amtare, por ajo duhet të jetë gjithashtu tematikisht e pranueshme, vizualisht tërheqëse dhe e shpërndarë aty ku të rinjtë janë të fokusuar”, theksoi ai.
Sipas Salajt profesionalizmi dhe përgjegjësia duhet të mbeten parimet themelore të gazetarisë, ndërsa sensacionalizmi dhe informacionet e paverifikuara duhet të shmangen. Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e pluralizmit brenda medieve shqipe, duke argumentuar se komuniteti shqiptar nuk është një grup me mendime dhe interesa të njëjta, por një shoqëri me diversitet politik, kulturor dhe shoqëror që duhet të pasqyrohet drejt.
“Lajmi i saktë, i ndershëm, i paanshëm dhe i bazuar në fakte të verifikuara do të ishte shtylla kryesore e etikës dhe profesionalizmit në media”, u shpreh Salaj.
Panel-diskutimi në Ulqin riktheu në vëmendje nevojën që informimi në gjuhën shqipe të mos shihet vetëm si detyrim ndaj komunitetit pakicë, por si pjesë e rëndësishme e misionit të shërbimit publik dhe e pluralizmit mediatik në Mal të Zi.
Zgjerimi i programeve, përgatitja e kuadrove të reja, ruajtja e standardeve profesionale dhe krijimi i kushteve për një program radiofonik 24-orësh dolën si çështje që kërkojnë angazhim të vazhdueshëm institucional. Në këtë drejtim, sfida mbetet që tradita e gjatë e informimit në gjuhën shqipe të shoqërohet me zgjidhje konkrete për të ardhmen dhe me përmbajtje cilësore, të besueshme e të qasshme për të gjithë shqiptarët në Mal të Zi.

Dafina Teliqi – Rexha

Të fundit

më të lexuarat