Njohje me teknikat e raportimit hulumtues

Ligjëruese të këtij trajnimi ishin Fatjona Mejdini, gazetare e pavarur dhe koordinatore për Ballkanin Perëndimor në Inicativën Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, dhe Valmora Gogo, pedagoge e gazetarisë dhe themeluese e portalit Gogo.al. Ato kanë folur mbi parimet e gazetarisë hulumtuese, ku dallon ajo nga gazetaria e përditshme dhe gjinitë tjera gazetare, temat që mund të jenë të përshtatshme për hulumtime të mira, teknikat që përdoren në procesin hulumtues, verifikimin e informacionit, zbatimin e etikës në hulumtim, shkrimin e artikullit hulumtues dhe rëndësinë e redaktimit etj

Ulqin – Në vijim të projektit “Parandalimi i korrupsionit dhe promovimi i pjesëmarrjes qytetare”, i cili realizohet nga OJQ “Horizonti i Ri” në bashkëpunim me gazetën “Koha javore”, të shtunën në Ulqin është mbajtur trajnimi i dytë me temë “Mbledhja e informacionit dhe shkrimi i një raporti investigativ”.
Koordinatori i OJQ “Horizonti i Ri”, Nazif Veliqi, ka thënë në fjalën përshëndetëse se pas përvojës që kanë sjellë në trajnimin e parë dy trajnerët nga Kosova, në këtë trajnim pjesëmarrësit do të njihen me përvojën e gazetarisë hulumtuese në Shqipëri, duke u fokusuar në disa teknika që më së shumti iu hyjnë në punë përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe mediave.
“Jemi së bashku këtu edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, edhe përfaqësuesit e mediave, sepse kështu mendojmë se është mënyra më e mirë në luftimin e korrupsionit, në denoncimin e dukurive korruptive, në promovimin e sundimit të ligjit dhe të qeverisjes së mirë si koncept i përgjithshëm”, ka thënë ai.
Veliqi ka theksuar se “Horizonti i Ri” do t’u ofrojë mbështetje logjistike të gjithë atyre që do të merren me hulumtimin e çështjeve të ndryshme dhe që do të kenë si rezultat përfundimtar publikimin e artikujve hulumtues.

“Jemi së bashku këtu edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, edhe përfaqësuesit e mediave, sepse kështu mendojmë se është mënyra më e mirë në luftimin e korrupsionit, në denoncimin e dukurive korruptive, në promovimin e sundimit të ligjit dhe të qeverisjes së mirë si koncept i përgjithshëm”, ka thënë koordinatori i OJQ “Horizonti i Ri”, Nazif Veliqi

“Ne ofrojmë mundësi që shumë më lehtë të vini tek informatat në organet zyrtare pasi që kemi një periudhë të gjatë që merremi me dërgimin e kërkesave për qasje të lirë të informacionit dhe jemi të stërvitur mjaft mirë se si të komunikojmë me organet e pushtetit, kështu që lirisht mund të na shfrytëzoni në këtë aspekt”, ka theksuar ai.
Redaktori përgjegjës i gazetsë “Koha javore”, Ali Salaj, ka vërejtur se trajnimet për gazetarinë hulumtuese po mbahen për të parën herë me gazetarë shqiptarë në Malin e Zi dhe se shpreson që do të jenë të suksesshme.
Ai ka thënë se beson që përmes këtyre trajnimeve do të krijohet një partneritet efektiv midis mediave dhe organizatave të shoqërisë civile, siç është “Horizonti i Ri”.
“Ne shpresojmë se do ta finalizojmë me një rrjet të gazetarëve hulumtues në gjuhën shqipe në Mal të Zi. Ky është edhe objektivi i këtyre takimeve dhe i këtyre seminareve, trajnimeve. Ky rrjet i gazetarëve do të jetë i përgatitur për shkrime hulumtuese në fushën e qeverisjes vendore dhe të demokracisë në nivel lokal”, ka theksuar Salaj.

Ai ka thënë se gazetarët hulumtues duhet të merren “me tema që na duken shumë të vogla, por që janë shumë të rëndësishme – si funksionimi i pushtetit vendor, qoftë në Malësi, qoftë këtu në Ulqin, apo edhe në Plavë dhe Guci”.
Ligjëruese të këtij trajnimi ishin Fatjona Mejdini, gazetare e pavarur dhe koordinatore për Ballkanin Perëndimor në Inicativën Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, dhe Valmora Gogo, pedagoge e gazetarisë investigative dhe themeluese e portalit Gogo.al.
Ato kanë folur mbi parimet e gazetarisë hulumtuese, ku dallon ajo nga gazetaria e përditshme dhe gjinitë tjera gazetare, temat që mund të jenë të përshtatshme për hulumtime të mira, teknikat që përdoren në procesin hulumtues, verifikimin e informacionit, zbatimin e etikës në hulumtim, shkrimin e artikullit hulumtues dhe rëndësinë e redaktimit etj.
Gazetarja Fatjona Mejdini ka thënë se gazetaria hulumtuese kërkon guxim.
Ajo ka shpjeguar se indicia është shumë e rëndësishme në procesin e hulumtimit. Megjithatë, sipas saj, “pasja e një dokumenti në vetvete nuk përbën investigim”.
Sipas saj, me rëndësi është që gazetari ta njohë mirë çështjen, “shumë më mirë sesa autoritetet zyrtare”.
Mejdini ka thënë se gazetarët duhet të punojnë në kuadër të sferës ligjore, duke hulumtuar me etikë, sepse dilemat etike dhe morale te gazetaria hulumtuese janë shumë të mëdha.
Duke folur për dallimet ndërmjet gazetarisë hulumtuese, e cila ndryshe quhet edhe gazetari cilësore, dhe gjinive të tjera gazetare, ajo ka thënë se gazetaria hulumtuese shpesh ngatërrohet me analizën.
Mejdini ka përmendur edhe rastet e keqpërdorimit të gazetarisë hulumtuese, për qëllime të të tjerëve.
“Ndonjëherë mund të jetë një shkrim i sponsorizuar, i cili mund të jetë investim i një partie politike, apo edhe i një grupi kriminal”, ka thënë ndër të tjera ajo.
Pedagogia e gazetarisë, dr. Valmora Gogo, ka thënë se në gazetarinë investigative vlen parimi “ndiqe paranë”.
Ajo ka folur për rëndësinë e verifikimit të informacionit, sidomos në ditët e sotme kur jetojmë në kohën e lajmeve të rreme dhe manipulimeve politike.
Gogo ka thënë se si indicie për fillimin e hulumtimit mund të na shërbejë edhe gazetaria qytetare.
Sipas saj, ndikimi i hulumtimit është elementi ndarës midis shkrimeve hulumtuese dhe shkrimeve të thjeshta.
Gogo ka potencuar ndikimin e investigimit tek audienca dhe maksimalizimin e saj duke përdorur ciklin e plotë: gazetë, media online, televizion, youtube, media sociale.
Dy ligjërueset kanë sjellë edhe raste të ndryshme të hulumtimeve gazetare dhe shembuj të gazetarisë së mirë hulumtuese.
Pjesëmarrësit në trajnim, përfaqësues të mediave në gjuhën shqipe në Malin e Zi dhe aktivistë të shoqërisë civile, patën mundësi të forcojnë kapacitetet e tyre në lidhje me çështjet e ndërtimit të një procesi hulumtues, hetimin e korrupsionit dhe teknikat e përgatitjes së raporteve hulumtuese.
Ky ishte aktiviteti i dytë që u realizua në kuadër të projektit “Parandalimi i korrupsionit dhe promovimi i pjesëmarrjes qytetare”, pas trajnimit të parë me temë “Qeverisja e mirë dhe antikorrupsioni”, që u mbajt në muajin shtator. Projekti mbështetet nga Departamenti i Shtetit të SHBA-së – Zyra për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, në kuadër të Programit të shoqërisë civile për drejtësi penale.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat