Cili është roli i Shqipërisë për Ukrainën përballë Rusisë

DASh konfirmoi se Shqipëria do të jetë bashkëpenëmbajtëse për çështjen e Ukrainës me ShBA. Mandati si anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurisë për vendin tonë nisi në janar, ndërsa u pozicionua në role të larta lidershipi me një ndër tre anëtarët e përhershëm. Çfarë është sistemi i penëmbajtjes dhe sa i rëndësishëm është ky rol që Shqipëria do të bashkëndajë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës? Nga e para herë që zgjidhej anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurisë në Kombet e Bashkuara, Shqipëria shënon një tjetër arritje në fushën e sigurisë ndërkombëtare, në vetëm pak muaj.

“Me këtë rol në tryezën e lidershipit të Kombeve të Bashkuara, Shqipëria merr një përgjegjësi të madhe, me dinjitet të lartë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ngjit një shkallë të re në partneritetin gjithnjë e më të afërt me ShBA-në”, ka theksuar kryeministri Rama. Ai ka zbuluar se krijimi i kësaj dysheje ShBA-Shqipëri në Këshillin e Sigurisë për të pritur çështjen e Ukrainës është ndërmarrë për të garantuar një angazhim aktiv dhe të vazhdueshëm me nisma konkrete që të dy shtetet, që janë tashmë partnerë të ngushtë në këtë proces, do të ndërmarrin, diçka që konfirmon qartë një pozicion të padyshimtë të vendit tonë.
Kreu i Qeverisë shqiptare u nis drejt Uashingtonit, ku merr pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Në vizitën 4 ditore, më 15 shkurt në Uashington, Rama do të ketë një takim me Sekretarin amerikan të Shtetit Anthony Blinken, pasi DASh mori vendimin që Shqipëria të jetë bashkë-penëmbajtës të çështjes së Ukrainës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Ky është takimi i dytë që do të mbahet mes Ramës dhe Blinken, pas atij të 13 Qershorit 2021 në Bruksel, ku SHBA dhe Shqipëria nënshkruan memorandumin për sigurinë e 4G dhe 5G. Dy ditë më vonë, Asambleja e Përgjithshme e OKB e zgjodhi Shqipërinë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Kjo shënoi edhe herën e parë e përzgjedhjes së vendit në këtë funksion, pas 65 vitesh nga anëtarësimi i saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Këshilli i Sigurimit, një organ i OKB-së me kompetenca të fuqishme, përbëhet nga 15 anëtarë, 5 prej të cilëve të përhershëm, ShBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Rusia dhe Kina që kanë të drejtë vetoje si dhe 10 anëtarë jo të përhershëm, me një mandat dyvjeçar. Shqipëria, Brazili, Gaboni, Gana dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ishin në garë, pa konkurrentë nga rajonet përkatëse, për 5 vendet. Për t’u zgjedhur, secilës prej tyre i duhej të siguronte dy të tretat e votave të vendeve anëtare të OKB-së. Shqipëria mori 175 vota. Shqipëria është vendi i vetëm që nuk ka qenë asnjëherë anëtare e Këshillit të Sigurimit. Mandati i anëtarëve të rinj filloi më 1 janar 2022 dhe do të shërbejnë deri në 31 dhjetor 2023. Pesë shtetet e tjera në grupin e 10 anëtarëve jo të përhershme janë India, Irlanda, Kenia, Meksika dhe Norvegjia.
“Roli ynë aktiv tregon se na njihet e drejta dhe potenciali për të dhënë një kontribut ekstra në lidhje me këtë çështje. Nuk jemi në fushën e qokave, por këtu bëhet fjalë për të krijuar një partneritet një dyshe që do të angazhojë Këshillin e Sigurimit për këtë temë dhe jo vetëm. ne kemi planin tonë në këtë pjesë, kemi ndarë idetë tona me partnerët dhe do të kemi mundësi që në këto dy vite të luajmë një rol duke shfrytëzuar peshën e mardhe që i jep këtij çiftëzimi partneri tjetër, SHBA”, është shprehur Rama. Ambasadorja amerikane, Yuri Kim ka vlerësuar lidershipin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, si bashkë-penëmbajtëse me ShBA për çështjen e Ukrainës .
“Agresioni i Rusisë jo vetëm që kërcënon Ukrainën dhe Europën, por rendin ndërkombëtar për të cilin Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara është ngarkuar të ruajë”, shkruante pak ditë më parë ambasadorja.
Pas përballjes në janar mes ShBA-së dhe Rusisë, pasi kjo e fundit grumbulloi trupat në kufirin ukrainas, Rusia do të mbajë presidencën e Këshillit të Sigurisë për muajin shkurt.
Po çfarë është sistemi i penëmbajtjes dhe sa i rëndësishëm është ky rol që Shqipëria do të bashkëndajë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës?
Tre anëtarët e përhershëm, Francë, Britani dhe ShBA të njohur edhe si P3, kryejnë role të vazhdueshme drejtimi në shumë nga çështjet specifike dhe tematike në agjendën e Këshillit. Praktika është etiketuar si “Sistemi i penëmbajtjes”, por roli i një penëmbajtësi shkon përtej hartimit të rezultateve të Këshillit dhe përfshin, me përjashtime të rralla, ndërmarrjen e nismave në të gjithë veprimtaritë e Këshillit sa i takon situatës, si mbajtja e takimeve urgjente, organizimi i debateve të hapura dhe drejtimi i misioneve vizitore.
Kur “mban penën” një anëtar shpesh vendos ç ‘aksion duhet të marrë Këshilli, pastaj harton një dokument përfundimtar që e negocion me anëtarë të tjerë të përhershëm, përpara se të ndajë tekstin me anëtarët e zgjedhur.
Sistemi i penëmbajtjes gjithashtu siguron një rrugë për të fuqizuar ndikimin e anëtarëve të zgjedhur në mënyra promovojnë respekt për sundimin e ligjit ndërkombëtar.
Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka do të thoshte se Shqipëria merr një rol të dorës së parë në çështje të sigurisë përmes bashkëhartimit me ShBA për çështjen e Ukrainës. Projekti i parë do hartohet nga dy vendet dhe më pas do ndahet me të tjerë. Bashkëhartuesit janë të parët që flasin për çështjen në fjalë në takimet e Këshillit të Sigurimit.
Ky pozicion që i jepet Shqipërisë si bashkë-penëmbajtëse nga ShBA, i rrit sipas kryeministrit, reputacionin dhe dinjitetin vendit në arenën ndërkombëtare, duke u gjendur në mes të një prej çështjeve më të nxehta në fushën e sigurisë , me Rusinë që kërcënon një konflikt të ri në Ukrainë.

Të fundit

më të lexuarat