Britania dhe Lidhja e Prizrenit

Në fillim të janarit të vitit 1878, Tivari u pushtua nga malazezët gjatë një armëpushimi që ishte nënshkruar në mes të Portës dhe Rusisë, por të cilin malazezët nuk e respektuan. Më 10 janar, komandanti i Ushtrisë Malazeze, Misho Vrbica, i informoi autoritetet otomane në Shkodër për kapitullimin e Tivarit dhe për përzënien e ushtarëve së bashku me tërë popullsinë nga qyteti

Daut Dauti

Kjo ishte pika e përbashkët e interesit të shqiptarëve me britanikët siç e kishin paraqitur hartuesit e Memorandumit. Edhe në përfundim të Memorandumit sërish bëhej me dije se kërkesa për krijimin e një shteti autonom ose të pavarur shqiptar kishte domethënie të ndalimit të ekspansionit sllav në Evropën Perëndimore. Me këtë dokument, por edhe me veprime të tjera, udhëheqësit shqiptarë kishin bërë me dije se në rast të protektoratit, Britania e Madhe do të ishte fuqia ose autoriteti që do ta pranonin.

Përkrahja britanike për otomanët në Kongresin e Berlinit dhe (mos)njohja e shqiptarëve si nacionalitet
Në fund të marsit 1878, Lordi Darby dha dorëheqje nga pozita e sekretarit të jashtëm pasi që konsideronte se Disraeli, Cairns dhe Salisbury po i zhvillonin çështjet e politikës së jashtme pa dijeninë e tij. Kjo dorëheqje shkaktoi një krizë të shkurtër pasi që Britania dhe fuqitë e tjera brengoseshin për zhvillimet e reja të Çështjes Lindore. Qeveria britanike kishte shprehur mospajtim me gjendjen ekzistuese dhe kishte dhënë shenja se do të bënte thirrje për një konferencë ndërkombëtare ku do të revidohej rezultati i Shën Stefanit.
Kryeministri Disraeli e emëroi Lordin Salisbury sekretar të jashtëm. Salisbury brenda natës e hartoi Qarkoren e tij të famshme ku e paraqiti qëndrimin e politikës së jashtme britanike. Me këtë dokument britanikët demonstruan se kishin adaptuar një politikë të re në diplomaci dhe se do ta implementonin në mënyrë energjike. Esenca e kësaj politike ishte se Britania nuk do të lejonte krijimin e një Bullgarie të madhe nën kontrollin e Rusisë. Por, do të lejohej një zgjerim i ‘moderuar’ i Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë dhe kjo gjë nuk shihej si dëmtim i interesave shqiptare, por si zvogëlim i territorit otoman. Pra, para se të fillonte Kongresi i Berlinit britanikët e kushtëzuan pjesëmarrjen e tyre me të drejtën e revidimit të plotë të pushtetit otoman në Evropë. Brenda kësaj politike nuk do të kishte vend për diskutim të veçantë të çështjes shqiptare. Britanikët do të mundoheshin të shpëtonin sa më shumë toka të shqiptarëve, por do t’i konsideronin si territor nën sovranitetin otoman.
Fuqitë e Mëdha, para se të udhëtonin për në Berlin, kishin arritur marrëveshje bilaterale sekrete me njëra-tjetrën, por në asnjë rast nuk kishin paraparë se do t’u dilnin probleme me shqiptarët. Prandaj, asnjë nga marrëveshjet sekrete nuk e përmendte çështjen shqiptare. Shqipëria përmendej në marrëveshjen e fshehtë në mes Austro-Hungarisë dhe Rusisë që ishte nënshkruar një vit më parë (15 Janar dhe 18 mars 1877). Neni 3 i marrëveshjes së 18 marsit parashihte rregullimin e këtyre fuqive me rastin e largimit të otomanëve nga Ballkani. Nëse kjo ndodhte, atëherë Rusia nuk do të përzihej drejtpërsëdrejti në Ballkan, nuk do të krijohej ndonjë shtet i madh sllav, kurse Shqipëria dhe Bullgaria mund të pavarësoheshin. Por, siç u vërejt me Traktatin e Shën Stefanit, Rusia nuk iu përmbajt kësaj marrëveshjeje.

Otomanët ofruan territore në Bosnje, në këmbim të tokave shqiptare
Layard kishte njohuri për çështjen shqiptare dhe raportonte me mjaft korrektësi për Lidhjen e Prizrenit. Ai kishte raporte të mira me Sulltanin dhe ushtronte influencë ndaj tij. Prandaj, i sugjeroi Sulltanit që në krye të delegacionit që do ta dërgonte në Berlin, ta emëronte një ’turk kredibil’ siç ishte Sadik Pasha. Sulltani u pajtua, por më vonë e ndërroi mendjen. Disa ditë para fillimit të Kongresit, Sulltani i tha Layard-it se e kishte emëruar Karatedori Pashën dhe Mehmet Ali Pashën si përfaqësues fuqiplotë të Portës të cilëve në Berlin do t’u bashkohej ambasadori Sadullah Beu. Karateodori ishte grek i lindur në Berlin dhe duke qenë djalë i mjekut personal të Sulltanit, kishte bërë karrierë të suksesshme në hierarkinë e pushtetit otoman. Mehmet Ali Pasha, të cilin shqiptarët e quanin Ali Pashë Maxharri, ishte gjerman, por që kishte shkuar në Stamboll si i ri dhe kishte përparuar deri në gradën e mareshalit. Në Berlin Ali Pasha kishte treguar interesim të madh që të ruante territor otoman, sa më shumë që ishte e mundshme. Kjo e kishte shtyrë kancelarin gjerman, Oto von Bizmarkun, që pashën ta shpotiste shpesh dhe t’ia tërhiqte vërejtjen duke ia bërë me dije se ai në Kongres po merrte pjesë për të dëgjuar e jo për të parashtruar kërkesa. Disa javë pas përfundimit të Kongresit, Ali Pasha do ta humbte jetën në Kosovë dhe do të regjistrohej si viktima e parë e Marrëveshjes së Berlinit.
Në Berlin çështja shqiptare nuk doli në diskutim si çështje e ndarë apo e pavarur siç kërkoi Lidhja e Prizrenit. Asnjë nga fuqitë nuk e mori përsipër këtë çështje. Memorandumi që iu dërgua Disraelit nuk prodhoi efekt dhe çështja shqiptare doli në agjendë vetëm në mënyrë sporadike dhe në diskutimet e dorës së dytë kur merrej vendim për kufijtë e Malit të Zi dhe Greqisë.
Më 28 qershor Ali Pashë Maxharri foli për armëpushimin e Adrianopolit gjatë së cilës kohë Mali i Zi, kundër rregullave, e kishte zgjeruar territorin. Pasha kërkoi që këto territore të ktheheshin në sundim të Portës. Në protokollet a Marrëveshjes së Berlinit është shënuar se edhe Karateodori Pasha e kundërshtoi kalimin e Tivarit nën pushtetin malazez, duke argumentuar se qyteti dhe rrethina ishin të banuara me shqiptarë të cilët nuk do ta pranonin këtë gjendje. Ali Pashë Maxharri doli me një propozim për ndërrim të territoreve. Ai i propozoi Kongresit që Mali i Zi t’i kthente territoret shqiptare dhe të kompensohej me territore në drejtim të Bosnjës dhe Hercegovinës, por ky propozim nuk u miratua. Britanikët nuk e kundërshtuan argumentimin e otomanëve, por nuk treguan gatishmëri që ta përkrahnin. Britanikët i përkrahën otomanët në vendosjen e kufirit të veriut ku shtrihej Serbia. Përfaqësuesi britanik Odo Rusell qëndroi pas Ali Pashës. Karateodori Pasha nuk u pajtua as me kufijtë e jugut që dilnin nga propozimi i delegatit francez, por as ky kundërshtim nuk u pranua.

Britania në mbrojtje të Portës, konservatorët njihnin shqiptarët
Britanikët, duke e mbrojtur Portën, ia dolën që ta bllokonin propozimin e delegatit francez, Saint-Valier, i cili ishte në favor të zgjerimit të të drejtave të katolikëve të Mirditës të cilat ishin të garantuara në bazë të ab antico. Kjo iniciativë u përkrah edhe nga austro-hungarezët. Me këtë rast, Salisbury theksoi se propozimi francez do të shkaktonte vështirësi pasi që do të sanksionoheshin privilegjet të cilat nuk ishin të qarta dhe me të cilat Kongresi do t’i jepte pranim ndërkombëtar të drejtës lokale zakonore. Në fakt, u bë kompromis në këtë çështje. Otomanët morën obligime që të mos bënin ndryshime të reja në statusin e Mirditës dhe kjo hyri si deklaratë në tekstin e Traktatit.
Britania e realizoi qëllimin e saj në Berlin. Politika e Disraelit ishte që Perandorisë Otomane t’i ofrohej siguri dhe ringjallje duke ia garantuar kufijtë e rinj ushtarak në Evropë dhe duke e bindur Portën që të ndërmerrte reforma me qëllim që ta stabilizonte rendin e brendshëm, që të prosperonte dhe, mbi të gjitha, që të evitohej kërcënimi nga Rusia. Britania e Madhe gjithashtu arriti që t’i siguronte interesat e saj në Mesdhe që ishte rruga e saj për në Indi. Rivalët politikë britanikë, konservatorët e udhëhequr nga Disraeli dhe liberalët e udhëhequr nga Gladstone, nuk dalloheshin shumë në këtë pikë. Dallimi qëndronte në pikëpamjet që këto dy parti kishin për Ballkanin, sidomos për çështjen shqiptare, e cila paraqitej nga Lidhja e Prizrenit.
Në debatet politike që u zhvilluan në Britani, gjatë dhe pas Kongresit të Berlinit, konservatorët e njihnin faktin e ekzistimit të shqiptarëve si nacionalitet të veçantë, kurse liberalët e kundërshtonin. Kur konservatorët e udhëhequr nga Disraeli e shqyrtonin çështjen shqiptare në Parlamentin britanik hasnin në kundërshtim të liberalëve të udhëhequr nga Gladtsone. Kritika më e ashpër e liberalëve ishte me rastin kur sekretari i Jashtëm britanik, Lord Salisbury, më 12 maj 1879 e pranoi në takim zyrtar delegacionin e Lidhjes së Prizrenit të përbërë nga Abdyl Frashëri dhe Mehmet Vrioni.

Të fundit

më të lexuarat