Vizionar i përkryer dhe i përkushtuarprofesionit të vet

Shaban Hasangjekaj

Nga Prishtina, më 18 mars të këtij viti, u kumtua dhe si era u përhap lajmi i hidhur se papritmas në moshën 52 vjeçare ndërroi jetë Arben Jakup Rugova, gazetar dhe diplomat, si pasojë e sulmit kardiovaskular.
Ka lindur në fshatin Hakaj të Komunës së Plavës më 3 maj të vitit 1972 nga prindërit Bute dha Jakup Sylë Rugova, në një familje tipike tradicionale shqiptare, me veti dhe tipare atdhedashëse patriotike, mikpritëse e bujare. Në familje shumëanëtarëshe ku prindërit, Jakupi dha Butja, rritën dy djem dhe tri vajza. I rrisnin në kushte modeste ekonomiko-sociale, të cilat aso kohe si shumica e familjeve të kësaj ane, kryesisht mbijetonin nga punët bujqësore e blegtorale.
Arben Jakup Rugova shkollimin fillor katërklasësh (I-IV) e ka kryer në shkollën fillore katërklasëshe në fshatin Vishnjevë, fshat fqinj i vendlindjes së tij, ndërsa katër klasat e ciklit të lartë (V-VIII), i ka kryer në shkollën fillore tetëvjeçare “Xhafer Nikoçeviq” në Guci duke i përfunduar në vitin 1987, të gjitha me sukses të shkëlqyer. Shkollimin e mesëm e ka vijuar dhe përfunduar në vitin 1991 në Shkollën e Mesme të Përzier “Beqo Bashiq” në Plavë.
Dëshira dhe vullneti për t’i ndjekur studimet në Universitetin e Prishtinës pothuajse i dështoi sepse që nga vitit 1991 pushteti famëkeq i Serbisë kishte mbyllur Universitetin e Prishtinës për studentët shqiptarë. Megjithatë, Arbeni për një kohë i vijoi studimet në Fakultetin e Elektroteknikës në cilin ligjëratat mbaheshin në objekte dhe shtëpi private. Duke qenë i vetëdijshëm se studimi i këtillë nuk ishte efektiv, Arbeni në vitin 1994 i rifillon studimet aty ku i flinte zemra, në Universitetin e Tiranës – Fakulteti i Historisë dhe filologjisë, në drejtimin Gazetari, të cilin e përfundoi me sukses në afat të rregullt në vitin 1998.
Një kohë të shkurtër dy-tre vjeçare e kalon në Londër të Anglisë, mirëpo nostalgjia, ndjenja, pasioni dhe vullneti për jetësimin e punës profesionale në gazetari, e bëjnë që të kthehet në Kosovë për të kontribuar në ngritjen dhe ripërtëritjen e vendit, përmes punës së vet profesionale. U kthye në Prishtinë në vitin 2002 dhe filloi punën në gazetën e përditshme “Koha ditore”, në të cilën detyrën e gazetarit e ushtron dy vjet, e pastaj në një periudhë kohore dhjetëvjeçare detyrën e gazetarit, redaktorit, zëvendës-kryreadaktorit dhe redaktorit, i kryen në disa media të rëndësishme kosovare ditore e periodike. Në gazetën “Lajm” në të cilën për gjashtë vjet ishte fillimisht gazetar i rubrikës së politikës e në fund zëvendës-kryeredaktor i saj. Arbeni më pas aktivitetin e vet e vazhdon si redaktor i deskut të politikës në Portalin e lajmeve “Telegrafi”, tri vjet me radhë. Punën e vet profesionale Arben Rugova e kryen në detyrën e kryeredaktorit në gazetën ditore “Tribuna”, për një kohë të shkurtër. Po ashtu detyrën e kryeredaktorit e ushtroi edhe në ueb faqen e lajmeve “lajmi.net” etj.
Kudo që punoi si gazetar, Arben Jakup Rugova ishte një punëtor i madh dhe profesionist i shkëlqyer, duke dhënë kontribut të paçmuar në zhvillimin dhe avancimin e mediave në gjuhën shqipe dhe në aftësimin e gazetarëve të rinj. Ishte një gazetar i matur dhe punëtor i përkryer, një redaktor i përpiktë dhe një udhëheqës i denjë dhe i paepur i ekipit. Të gjithë ata që kanë punuar me të nuk i harrojnë këshillat profesionale që vazhdimisht ua rekomandonte, maturinë dhe pjekurinë e punës dhe seriozitetin me të cilët i ishte qasur detyrës për t’i dhënë publikut informacionin.
Në vitet e fundit, Arben Jakup Rugova, ishte i punësuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, ku ka dhënë një kontribut të konsiderueshëm në fushën e informimit dhe diplomacisë. Ka qenë i angazhuar në Divizionin për Komunikim Publik të kësaj ministrie, ndërsa kohët e fundit ka qenë zyrtar për qasje në dokumentet publike. Edhe në këtë vend pune Arben Jakup Rugova ka treguar atë që e kishte tipar që nga koha e studimeve, dashurinë për vendin e vet, për institucionet e Republikës së Kosovës, përkushtimin ndaj detyrave dhe angazhimin e vazhdueshëm për të qenë një zyrtar dhe diplomat profesionist i Kosovës. Paraprakisht ka qenë i punësuar edhe në Ministrinë e Shëndetësisë në detyrën e këshilltarit për media si konsulent i jashtëm.
Tani i ndjeri Arben Jakup Rugova ka marrë pjesë në seminare dhe programe të ndryshme të organizuara në një serë vendesh të Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndër të cilët veçohet Kursi i Programit të Lidershipit vizitorëve ndërkombëtarë “Insights on America”, i sponsorizuar nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, vizita studimore në Talin e Estoni, vizita në Romë të Italisë dhe së fundmi pak kohë para ndarjes nga jeta në shtetin e Kuvajtit. Kudo që punoi dhe veproi ishte i përpiktë në profesionin dhe detyrën që kryente e ushtronte. Ishte njeri me autoritet, i nderuar dhe respektuar. Lajmi për vdekjen e tij tronditi dhe brengosi të gjithë ata që e njihnin, ata me të cilët punonte e vepronte dhe me të cilën e ndante të mirën dhe të keqen.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, në krye me zonjën Donika Gërvalla, ka organizuar më 20 mars një mbledhje komemorative për nder të zyrtarit të lartë të kësaj ministrie, zotëri Arben Jakup Rugova.
Zonja Gërvalla e vlerësoi lart kontributin e të ndjerit gjatë punës së tij në MPJ, por edhe në institucionet tjera shtetërore në të cilat kishte punuar gjatë karrierës së tij. Ndërkaq, sekretari i ministrisë në fjalë, zotëri Behar Isma, në fjalën memoriale tha që Arben Rugova ishte një gazetar i dëshmuar, një bashkëpunëtor i jashtëzakonshëm dhe një institucionalist profesional i përkushtuar për të gjitha këto vite që ka punuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Në një detyrë specifike të përkushtuar nga një rrjedhojë e proceseve të rëndësishme, Arbeni kishte barrë kryesore informimin detyrë që e kreu me përgjegjësi, dinjitet dhe përkushtim maksimal, prandaj Arben Rugova do të kujtohet përgjithmonë për profesionalizmin, fisnikërinë, qëndrimin dhe para së gjithash kulturën e lartë që kishte në komunikim ndërshoqëror dhe ndërinstitucional. Mbetet një shembull dhe frymëzim për gjithë a ata që patën rastin dhe fatin të punojnë me të.
Pa ngurrim, me plot gojë dhe me ndjenja shpirtërore dhembje e mallëngjimi konfirmoj se Arben Jakup Rugova vërtetë ka qenë njeri kolosal i kohës, profesionist i rryer, aktivist shumëdimensional i denjë dhe i paepur, misionar dhe vizionar i veprimtarisë së vet intelektuale, familjar i përkryer, shok, mik, koleg, bashkëvendës dhe bashkëkombës i nderuar dhe i respektuar.
Vdekja e tij e hershme dhe e papritur, shkaktoi dhimbje, pikëllim dhe vragë të rënda, ndër të gjithë ata që e kanë njohur, që kanë puruar dhe janë shoqëruar me të. Familja e ngushtë ka humbur kryefamiljarin, ajo e gjerë, vëllain, xhaxhin, dajën, vëllazëria Rugova vëllain dhe mbështetësin dhe këshillëdhënësin e denjë. Hakajt bashkëvendësin e çmuar, popullata e Plavë-Gucisë, Prishtinës, Kosovës dhe më gjerë shokun, mikun, kolegun, bashkëvendësin, bashkëkombësin e çmuar, të respektuar dhe shumë të vlerësuar.
Arben Jakup Rugova edhe pse ndërroi jetë në Prishtë, ku e kaloi një pjesë të konsiderueshme të jetës dhe punës së vet, u varros më 21 mars 2024 në varrezat e vendlindjes në Hakaj me nderimet më të larta. Pjesëmarrja masive e të pranishmëve në ambientin e shtëpisë së tij familjare dhe lamtumira e tij e fundit për në shtëpinë e përmotshme në varrezat e vendlindjes, ka dëshmuar për figurën dhe personalitetin e tij njerëzor, intelektual e profesional. Prania e tyre tregoi respektin që ai ka pasur kudo.
Arbeni pas vetes la bashkëshorten Minën, djalin Rionin dhe vajzën Senën.
Arben i nderuar, pusho i qetë në gjirin e vendlindjes në Hakaj ku u linde, u rrite dhe e vlerësove shumë!
Të qoftë i lehtë dheu mbi shtëpinë tënde të përmotshme!
Lavdi dhe respekt jetës dhe veprimtarisë sate të begatë!

Të fundit

më të lexuarat