Ne mësuesve na kënaq vetëm shëndeti dhesuksesi i fëmijëve tanë

Në majin e kujtesës dhe të luleve, Ulqini nderohet me figurën e një mësuesi që dritën e dijes e mbajti ndezur deri në frymën e fundit. Kjo është intervista e fundit e mësuesit Selim Tula, dhënë në studion e Radio Ulqinit vetëm pak ditë para ndarjes nga jeta. Një bisedë që tashmë mbetet amaneti i tij për brezat

E. Peku: Profesor, jemi në prag të 7 Marsit. Çfarë peshe ka kjo datë për ju kur hyni në klasë para nxënësve?
S. Tula:
Ne në qytetin tonë, ashtu si në çdo vend ku jetojnë shqiptarët, mundohemi ta respektojmë maksimalisht këtë datë historike. 7 Marsi i vitit 1887, kur u hap Mësonjëtorja e parë në Korçë, mbetet simboli ynë. Gjeneratat janë munduar që këtë festë ta bëjnë madhështore dhe të mos ia humbin asnjëherë karakterin.
Edhe ne në shkollën tonë çdo vit urojmë njëri-tjetrin, shkëmbejmë urime me kolegët, por ajo që na e bën festën vërtet madhështore është kur nxënësit që kemi edukuar nuk na harrojnë dhe na nisin mesazhet e tyre. Është shumë bukur të kujtohesh gjithmonë.

E. Peku: Në rrugëtimin tuaj të gjatë, kush ishte ai mësues që ju la gjurmë dhe ju bëri të thoni: “Edhe unë dua të bëhem si ai”?
S. Tula:
Edhe pse unë kam punuar në kushte të tjera nga këto të sotmet, të gjithë mësuesit e mi i mbaj mend dhe i kujtoj me plot respekt. Por, nuk mund të anashkaloj pa përmendur idhullin tim, dajën tim të ndjerë, Sulejman Kurtin. Ai ishte shembulli im.

E. Peku: Sot teknologjia po ndryshon gjithçka. A mund ta zëvendësojë kompjuteri atë “shkumësin” dhe lidhjen shpirtërore mes mësuesit dhe nxënësit?
S. Tula:
Duhet ta kuptojmë se teknologjia është e nevojshme. Ne kemi bërë ndryshime nga mësimi tradicional. Klasat tona sot janë të pajisura me kompjuterë e televizorë. Por, duhet të kemi kujdes. Kam vënë re se sa më shumë i përdorim mjetet teknologjike, aq më pak po e përdorim logjikën apo trurin për të menduar. Teknologjia duhet të jetë një “plus”, por jo të na bëjë të varur deri në atë pikë sa të mos mendojmë dot më vetë.

E. Peku: Ulqini njihet për respektin ndaj arsimtarëve. Si ndiheni kur ecni rrugëve dhe dëgjoni “Puna e mbarë profesor” nga njerëz që dikur i kishit fëmijë në banka?
S. Tula:
Për ne kjo është një kënaqësi që të jep emocione të veçanta. Kur të takojnë, të përshëndesin apo të ftojnë diku, aty e kupton se ke lënë gjurmë. Ne mundohemi të japim maksimumin që fëmijët ta kuptojnë se arsimi është veshja dhe arma kryesore për jetën e tyre. Në kujtesën e çdo personi mbeten gjithmonë tre emra: baba, nëna dhe mësuesi. Kjo është krenaria jonë.

E. Peku: Cila ka qenë sfida më e madhe gjatë karrierës suaj? Ato momente kur mësuesi duhet të jetë edhe prind, edhe psikolog?
S. Tula:
Ka pasur shumë momente. Unë shpesh e kam parë veten jo vetëm si mësues, por edhe si prind. Kam pasur raste kur nxënësit nuk i vinte kush në shkollë dhe i merrja në makinën time, i çoja deri në shtëpi vetëm që të isha i sigurt se ishin mirë.
Unë jam mësues që vij në shkollë gjysmë ore përpara, sepse i dua nxënësit dhe dua të jem aty për ta. Dora e mësuesit nuk është vetëm për nxënësit e shkëlqyer, por mbi të gjitha për ata që kanë nevojë për mbështetje.

E. Peku: Sot shohim një mbrojtje shumë të madhe të prindërve ndaj fëmijëve, ndonjëherë edhe kur fëmija gabon. Si e shihni këtë raport?
S. Tula:
Ky është një problem global sot. Dikur, kur fëmija kishte nota të dobëta, qortohej fëmija. Sot, i lihet faji mësuesit. Prindërit sot u japin fëmijëve një mbrojtje jo pozitive, duke i bërë ata të mendojnë se “çfarëdo që të bëj, kam prindërit që më mbrojnë”.
Unë jam gjithmonë që prindi të interesohet për fëmijën, por duhet të konsultohet me mësuesin si me një mik, jo si me një fajtor. Ky është problemi ynë kryesor sot.

E. Peku: Profesor, cili është mesazhi juaj i fundit për 7 Marsin, për prindërit dhe nxënësit e Ulqinit?
S. Tula: Mesazhi im është: Arsimohuni sa më shumë që t’i shërbeni shoqërisë sonë. Ne mësuesve nuk na kënaq lulja, asnjë dhuratë tjetër… Ne na kënaq vetëm shëndeti dhe suksesi i fëmijëve tanë.

Bisedoi: Eliana Peku

Të fundit

më të lexuarat